Dënimet e ish-krerëve të UÇK-së, Kurti: Nevojitet koordinim shtetëror dhe diplomatik për ndryshimin e vendimit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nevojitet një strategji e përbashkët shtetërore për reagimin ndaj vendimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë për katër ish-krerët e UÇK-së.

Kurti ka thënë se Qeveria e Kosovës do të vijojë të ofrojë mbështetje për ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së në procesin e apelimit. Sipas tij, krahas ndihmës juridike, nevojitet edhe një angazhim në planin diplomatik për të kundërshtuar vendimin.

Ai ka deklaruar se institucionet e Kosovës duhet të koordinohen për të përcaktuar mënyrën më efikase të reagimit ndaj vendimit të shkallës së parë. Kurti e ka cilësuar vendimin si të padrejtë dhe të pasaktë, duke shprehur bindjen se ai duhet të ndryshohet përmes procedurave të apelimit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kryeministri ka theksuar gjithashtu se Kosova do të bashkëpunojë me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë për të mbrojtur atë që ai e konsideron si të vërtetën mbi luftën çlirimtare të UÇK-së. Në deklaratën e tij, Kurti ka përmendur edhe nevojën për të dokumentuar masakrat dhe krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, për të cilat ai akuzon Serbinë se vijon të përpiqet të fshehë përgjegjësinë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Katër ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, janë dënuar me një total prej 81 vitesh burgim për krime lufte. Pas vendimit, ekipet e tyre mbrojtëse kanë paralajmëruar apelimin e dënimeve.

Ndërkohë, në Kosovë janë zhvilluar protesta kundër vendimit të Dhomave të Specializuara, ndërsa çështja vijon të jetë në qendër të debatit politik dhe publik.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?