Edi Rama dhe Albin Kurti: Mes liderit që ndërton peshë dhe liderit që kërkon protagonizëm

Në politikën shqiptare të këtyre viteve po përplasen dy mënyra krejt të ndryshme të të kuptuarit të pushtetit dhe lidershipit kombëtar. Në Tiranë është Edi Rama, prej vitit 2013 kryeministër i Shqipërisë, tashmë në mandatin e katërt. Në Prishtinë është Albin Kurti, politikani që erdhi si simbol i ndryshimit dhe që vazhdon të gëzojë mbështetje të konsiderueshme në Kosovë, por që nuk njeh kompromisin për funksionimin e shtetit ligjor.

Të dy janë politikanë të fortë. Të dy kanë ambicie që shkojnë përtej administrimit të zakonshëm të qeverisë. Të dy duan të lënë gjurmë në historinë politike shqiptare.

Por këtu ngjashmëritë pothuajse mbarojnë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sepse ndërsa Edi Rama e ka kuptuar se fuqia politike matet jo vetëm me votat që merr, por edhe me institucionet që funksionojnë, aleancat që ndërton dhe peshën ndërkombëtare që krijon për vendin, Albin Kurti rrezikon gjithnjë e më shumë ta ngatërrojë popullaritetin e tij me aftësinë për të udhequr një shtet që kërkon kompromis.

Swiss Digital Mobile Reklama

Rama, 13 vite pushtet dhe asnjë vakuum institucional

Edi Rama mund të kritikohet për shumë gjëra. Opozita e akuzon prej vitesh për përqendrim pushteti, kontroll të administratës, marrëdhëniet e qeverisë me biznesin dhe mënyrën se si është zhvilluar beteja politike në Shqipëri. Këto janë çështje që ekzistojnë në debatin publik dhe nuk mund të fshihen. Këto ndodhin, pothuaj kudo në shtete që vijnë nga komunizmi.

Por ekziston edhe një fakt tjetër që kundërshtarët e tij e kanë të vështirë ta mohojnë: që prej ardhjes në pushtet në vitin 2013, Rama ka prodhuar vazhdimësi politike dhe institucionale. Ka fituar zgjedhje pas zgjedhjesh. Në vitin 2025 fitoi mandatin e katërt. Shqipëria nuk është futur në një cikël zgjedhjesh të pafundme sepse kryeministri nuk arrin të gjejë gjuhën politike për ngritjen e institucioneve.

Ky është një dallim thelbësor me atë që ka ndodhur në Kosovë. Demokracia nuk është vetëm të fitosh zgjedhjet. Demokracia është edhe aftësia që pas zgjedhjeve të prodhosh institucione.

Dhe këtu fillon problemi i Albin Kurtit.

Kurti fiton vota, por Kosova paguan çmimin e konfliktit

Albin Kurti ka një meritë që duhet njohur: ai ka ndërtuar një marrëdhënie të fortë me një pjesë të madhe të elektoratit kosovar dhe ka ardhur në pushtet me një diskurs kundër establishmentit të vjetër politik.

Por një lider nuk gjykohet vetëm nga pastërtia e kauzës që shpall. Gjykohet nga rezultati që prodhon për shtetin. Kosova ka kaluar një periudhë të jashtëzakonshme paqëndrueshmërie politike dhe zgjedhore. Brenda rreth 18 muajve qytetarët janë thirrur tri herë në zgjedhje parlamentare. Dhe sot, në verën e vitit 2026, përplasja politike për Presidentin po e vendos përsëri kompromisin në qendër të debatit.

Pyetja është e thjeshtë: Sa herë duhet të votojë një popull derisa politikanët e tij të mësojnë të bëjnë kompromis? Sepse kompromisi nuk është tradhti. Në një republikë parlamentare, kompromisi është mekanizëm qeverisjeje. Kur nuk ke votat për të vendosur i vetëm, nuk mund të sillesh sikur i ke. Duhet të ulesh me kundërshtarin, të negociosh, të japësh diçka dhe të marrësh diçka.

Kjo quhet politikë.

Rama e kuptoi diçka që Kurti ende refuzon ta pranojë

Edi Rama është politikan pragmatik. Ndonjëherë deri në ekstrem. Por pikërisht pragmatizmi e ka bërë të kuptojë një rregull elementar të pushtetit: nuk mund të luftosh njëkohësisht me të gjithë. Rama ka investuar për vite në marrëdhëniet e Shqipërisë me Washingtonin, Brukselin, Romën, Parisin, Berlinin, Londrën dhe liderë të tjerë ndërkombëtarë.

Ka kuptuar se Shqipëria, një vend i vogël në Ballkan, nuk bëhet faktor duke bërtitur më fort se të tjerët. Bëhet faktor duke qenë i nevojshëm në tavolinë. Prandaj Rama sot mund të ketë kundërshtarë të fortë në Shqipëri, por Shqipëria ka një profil ndërkombëtar shumë më të madh sesa pesha e saj demografike. Dhe mbi të gjitha, rruga europiane e Shqipërisë ka avancuar.

Kurti, përkundrazi, shpesh e koncepton politikën si betejë morale: dikush duhet të ketë të drejtë dhe dikush duhet të ketë gabim. Por shtetet nuk drejtohen vetëm me bindjen se ke të drejtë. Drejtohen duke prodhuar rezultate.

SPAK-u, paradoksi më i madh i epokës Rama

Ka edhe një tjetër paradoks që kundërshtarët e Ramës duhet ta shpjegojnë. Reforma në drejtësi u miratua në vitin 2016 gjatë qeverisjes së tij dhe prej saj lindi arkitektura që solli SPAK-un. Sot SPAK-u nuk po godet vetëm kundërshtarët e Partisë Socialiste. Përkundrazi, hetimet dhe goditjet e drejtësisë kanë prekur figura shumë të rëndësishme të lidhura me pushtetin socialist. Kjo nuk do të thotë se Rama duhet shpallur autor i çdo suksesi të SPAK-ut. SPAK-u duhet të jetë dhe të mbetet institucion i pavarur. Por politikisht ekziston një realitet që nuk mund të anashkalohet: Edi Rama drejton një vend ku institucioni më i fuqishëm kundër korrupsionit po heton edhe njerëzit e pushtetit të tij. Ky është një paradoks interesant për këdo që pretendon se në Shqipëri nuk ekziston më asnjë kundërpeshë institucionale.

Kush është lideri i shqiptarëve?

Këtu vijmë te ambicia më e madhe. Albin Kurti prej vitesh ka ndërtuar një profil politik që nuk kufizohet vetëm në Kosovë. Ai ka kërkuar ndikim edhe mes shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe ka mbështetur politikisht faktorë të caktuar shqiptarë atje. Kjo ka prodhuar edhe akuza se ndërhyrja e tij ka thelluar ndarjet brenda faktorit shqiptar. Por këtu Kurti duhet t’i bëjë vetes një pyetje: A mund të pretendosh lidership mbarëshqiptar kur energjinë politike të duhet ta shpenzosh për të garantuar funksionimin normal të institucioneve në Prishtinë? Edi Rama ka zgjedhur një rrugë tjetër. Edhe Rama luan rolin e liderit kombëtar. Madje e luan shumë. Por përpiqet ta bëjë atë nga pozita e kryeministrit të Shqipërisë dhe përmes peshës ndërkombëtare të shtetit shqiptar.

Ky është një ndryshim shumë i madh. Njëri kërkon ndikim duke hyrë në betejat politike të shqiptarëve jashtë kufirit. Tjetri kërkon ndikim duke rritur peshën e Tiranës në tavolinat ndërkombëtare.

Tirana nuk ka nevojë të marrë leksione nga Prishtina

Edhe debatet e fundit rreth protestave në Tiranë tregojnë sa lehtë mund të kapërcehet kufiri mes solidaritetit shqiptar dhe ndërhyrjes politike. Çdo shqiptar nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi apo diaspora ka të drejtë të ketë mendimin e tij për Edi Ramën. Por politika shqiptare vendoset nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë. As Tirana nuk duhet të zgjedhë qeverinë e Kosovës. As Prishtina nuk duhet të zgjedhë qeverinë e Shqipërisë. Ky duhet të jetë rregulli.

Por Albin Kurti ka investuar shumë te protesta në Tiranë për ta dërmuar Edi Ramën si lidership kombëtar. Kjo në fakt mbetet thikë pas shpine e Kurtit ndaj kryeministrit të shtetit amë.

Kurti duhet të fitojë Prishtinën përpara se të kërkojë Ballkanin

Albin Kurti mund të vazhdojë të jetë një nga politikanët më popullorë shqiptarë. Por popullariteti nuk është shtetformim. Shtetformimi kërkon institucione, kompromis, aleatë dhe aftësi për të kuptuar momentin kur duhet të tërhiqesh një hap që shteti të ecë dy hapa përpara.

Këtë Edi Rama, me të gjitha defektet e tij, e ka mësuar. Kurti ende duket se beson se kompromisi ia zvogëlon figurën. Në fakt është e kundërta. Lider i madh nuk është ai që nuk tërhiqet kurrë.

Lider i madh është ai që di se kur interesi i shtetit është më i madh se interesi i tij politik. Edi Rama prej 13 vitesh qeveris Shqipërinë, ka fituar katër mandate, ka mbajtur funksionale institucionet, ka investuar në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe Shqipëria po avancon drejt Bashkimit Europian.

Albin Kurti ka fituar beteja elektorale dhe ka krijuar një markë politike të fuqishme. Por Kosova nuk ka nevojë për një lider që të fitojë çdo debat shqiptar nga Tirana në Shkup.

Ka nevojë për një kryeministër që ta bëjë Kosovën të funksionojë. Sepse para se të kërkosh të bëhesh lider i shqiptarëve në Ballkan, duhet të tregosh se je në gjendje të ndërtosh kompromisin në shtëpinë tënde.

Dhe Albin Kurti nuk e bën dot, fakti që ka 18 muaj e kusur pa institucione kushtetuese, tregon se nuk ndryshon dot./SP/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?