Kosova drejt zgjedhjeve, PDK refuzon ofertën e Kurtit: Vetëvendosja i do të gjitha për vete
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza ka refuzuar ofertën e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke vlerësuar se marrëveshjet politike nuk mund të imponohen në orët e fundit para përfundimit të mandatit. Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, Hamza tha se çështjet që janë në diskutim nuk duhet të ndërlidhen mes vete, ndërsa kërkoi që të procedohet me miratimin e ligjit përkatës.
“Është shumë vonë për të imponuar marrëveshje. Nuk janë çështje të ndërlidhura. Ne po kërkojmë që të bëhet ligji. Me çdo orë që kalon, praktikisht bëhet gjithnjë e më e pamundur që ligji të miratohet në dy lexime”, deklaroi Hamza
. Duke komentuar ofertën për emërimin e Bekim Sejdiut, kreu i PDK-së tha se një marrëveshje e tillë nuk përfaqëson një dakordim me partinë që ai drejton. “Marrëveshja për z. Sejdiun nuk është marrëveshje me PDK-në. Është marrëveshje me një subjekt tjetër politik. E patë edhe ju lajmet, ‘hajde të flasim’. Është marrëveshje me LDK-në. Unë nuk kam asnjë vërejtje personale apo politike ndaj z. Sejdiut, por kjo është një marrëveshje e bërë jashtë tavolinës së PDK-së”, u shpreh Hamza.
Ndërkohë, Kosova ndodhet pranë një tjetër procesi zgjedhor, teksa po skadon afati i mandatit dhe palët politike nuk kanë arritur një marrëveshje për të shmangur zgjedhjet. Për këtë situatë, Hamza fajësoi drejtpërdrejt Lëvizjen Vetëvendosje. “Edhe kësaj radhe, vendi shkon në zgjedhje si projekt i Lëvizjes Vetëvendosje. Sepse Vetëvendosje i do të gjitha për vete, edhe ato që nuk i takojnë”, deklaroi kryetari i PDK-së.
Me qëndrimin e tij, Hamza ka bërë të qartë se PDK nuk është e gatshme të mbështesë marrëveshje të arritura jashtë dialogut me strukturat e saj, ndërsa zhvillimet e fundit po e shtyjnë vendin gjithnjë e më pranë zgjedhjeve të reja.

