Miratohet qeveria e re, Albin Kurti zyrtarisht kryeministër i Kosovës

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka marrë zyrtarisht detyrën e kryeministrit të Kosovës. Me 66 vota pro  e 10 abstenime parlamenti i Kosovës ka votuar qeverinë e re të drejtuar nga Albin Kurti.

Qeveria nuk është votuar nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Lista Serbe dhe Nisma Socialdemokrate. Kabineti qeveritar i Kurtit do të ketë 15 ministri ku gjashtë do të udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje, gjashtë nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe tri nga komunitetet pakicë.

Pas votimit si kryeministër i Kosovës, Albin Kurti ka mbajtur një fjalim në foltoren e Kuvendit. Kurti tha se sot nuk fitoi VV dhe LDK, por qytetarët e Kosovës. Ai tha se ka mbaruar mënyra e vjetër e të bërit politikë dhe po fillon një etapë e re në qeveri Ai shtoi se do të japë maksimumin për të mirën e qytetarëve dhe do të jetë kryeministri i të gjithëve.

Sot nuk ka fituar LVV-apo LDK, po qytetarët e Kosovës. Sot pushtetin dhe shtetin e ka fituar populli se atij i takon dhe do t’i takojë përherë. Sot kanë fituar qytetarët. Sot pushtetin e shtetin e ka fituar populli. Ne jemi kalimtar e shërbëtor që punojmë në emër të popullit e për popullin. Populli mbetet i përhershëm e ne jemi të zëvendësueshëm. Unë zotohem këtu para jush që do të jap maksimumin për të mirën e të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim. Pavarësisht kënd e keni votuar unë do të dëgjoj zërin tuaj, sidomos kur nuk pajtohemi. Sot fillon rruga jonë e punës së palodhshme për të sjellë ndryshimin. Sot mbaron mënyra e vjetër e të bërit politikë dhe fillon një etapë e re e të bërit qeveri”,- tha Albin Kurti.

Kreu i Vetëvendosjes u shpreh se Kosova ka një lidership të ri që do të çojë përpara vendin. “Nga sot ka një lidership të ri, që i konsideron aleatë ata që tregojnë zero tolerancë ndaj korrupsionit. Le t’i mbajmë pushtetet e ndara në një shtet të përbashkët. Populli na ka zgjedhur të punojmë për interesat e tyre dhe jo për interesa personale a grupore. Ata që na njohin, u themi që do të fuqizojmë partneritetin. Ata që hezitojnë të na njohin u themi që do të punojmë ta marrim njohjen tuaj. Ata që synojnë ta na ndajnë e mohojnë, u them që Kosova ka një kryeministër të ri dhe që ajo kohë ka mbaruar.  Ne synojmë bashkërisht anëtarësimin në BE dhe NATO, e kultivim të aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga sot do të flasim më pak e do të punojmë shumë më shumë”,- deklaroi Albin Kurti.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka uruar Albin Kurtin për zgjedhjen e tij dhe të kabinetit qeveritar. Mustafa i cili është edhe partner i Kurtit në këtë qeveri, ka thënë se Kosova sot kompletoi të gjitha institucionet e saj.

Uroj Kryeministrin Albin Kurti për zgjedhjen e tij dhe të kabinetit qeveritar. Ecëm ngadal, me vështirësi, por arritëm në cak. Kosova sot kompletoi të gjitha institucionet e saj. Pritjet janë të mëdha, ashtu sikurse edhe premtimet, por Qeverisë duhet dhënë hapësirë të punojë normalisht. Nuk e ka leht!”, shprehet Mustafa.

Në lidhje me qeverinë e re ka reaguar edhe presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi.  Ai ka uruar kabinetin e ri të qeverisë dhe shprehet se mirëpret nisjen e punës së kabinetit të ri qeveritar. “E mirëpres votimin e sotëm të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për krijimin e Qeverisë së re. Duke uruar kabinetin e ri qeveritar, i ftoj të fillojnë sa më shpejt punën për përmbushjen e premtimeve të dhëna karshi qytetarëve, duke kompensuar ditët e humbura dhe vazhduar angazhimin institucional për përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë. Republika e Kosovës ka sfida të shumta përpara të cilat mund të tejkalohen vetëm me punë, me përkushtim, me përgjegjësi dhe përgjegjshmëri shtetërore”-, shkruan Thaçi.

Përbërja e qeverisë së Kosovës

Qeveria e re e Kosovës do të ketë gjithsej 15 ministri, dy zëvendëskryeministra, dhe 33 zëvendësministra.

Kryeministër i Kosovës – Albin Kurti (VETËVENDOSJE)

Zëvendëskryeministër i parë – Avdullah Hoti (LDK)

Zëvendëskryeministër i dytë – Haki Abazi (VETËVENDOSJE)

Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporë – Glauk Konjufca (VETËVENDOSJE)

Ministër i Integrimit Evropian -Blerim Reka (VETËVENDOSJE)

Ministre e Drejtësisë – Albulena Haxhiu (VETËVENDOSJE)

Ministre e Arsimit Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit -Hykmete Bajrami (LDK)

Ministër i Financave dhe Transfereve – Besnik Bislimi (VETËVENDOSJE)

Ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike – Agim Veliu (LDK)

Ministër i Ekonomisë, Punësimit Tregtisë, Industrisë, Ndërrmarrësisë dhe Investimeve Strategjike – Rozeta Hajdari (VETËVENDOSJE)

Ministër i Mbrojtjes – Anton Çuni (LDK)

Ministër i Infrastrukturës dhe Ambientit- Lumir Abdixhiku (LDK)

Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural – Besian Mustafa (LDK)

Ministër i Shëndetësisë – Arben Vitia (VETËVENDOSJE)

Ministre e Kulturës Rinisë dhe Sportit – Vlora Dumoshi (LDK)

Ministre e Administrimit të Pushteti Lokal – Emilia Rexhepi (Grupi 6+, pakicat joserbe)

Ministër për Komunitet dhe Kthim – Dalibor Jevtiç (Lista Serbe)

Ministër për Zhvillim Rajonal – Ivan Milojeviç (Lista Serbe)

SHKARKO APP