SHBA: Kritika Kurtit, ndërsa Vuçiç të jetë i duruar
Gabriel Escobar gjatë intervistës me Zërin e Amerikës (Nju Jork, 20 shtator 2023) kritikoi Kosovën dhe Kurtin por nuk kishte të njëjta kritika ndaj Vuçiç. “Serbinë e inkurajojmë të vazhdojë të jetë konstruktive dhe e duruar…”- theksoi Escobar. Po botojmë një intervistë të shkurtuar të Escobar në lidhje me këtë çështje:
Zëri i Amerikës: Serbia dhe Kosova janë ende në një rënie të gjatë. A ka ardhur koha për një lloj përqasjeje të re nga BE-ja dhe SHBA-ja që do të ndikonte tek vendosmëria e tyre?
Gabriel Escobar: Jo. Nëse do të më duhej të thoja diçka, nuk do të jetë për një përqasje të re nga partnerët brenda dialogut. Ka ardhur koha për një përqasje të re për disa nga personat që e kanë marrë dialogun si një opsion vetëm “po apo jo”. Dhe e kam fjalën konkretisht për qeverinë e Kosovës. Ata kanë një detyrim të qartë për çfarë duhet të bëjnë. Dhe mendoj se deklarata e Borrellit ishte shumë e qartë. Serbinë e inkurajojmë të vazhdojë të jetë konstruktive dhe e duruar, por gjithashtu vazhdojmë t’i kërkojmë Serbisë të mos bëjë ndonjë gjë destabilizuese brenda Kosovës. Do të duhet të vazhdojmë të punojmë me dialogun. Nuk ka alternativë. Nuk ka alternativë për rajonin përveç integrimit evropian.
Zëri i Amerikës: Cili është komenti juaj për kritikat e shprehura nga Kryeministri Kurti për ndërmjetësin Miroslav Lajçak?
Gabriel Escobar: Lajçaku gëzon besimin e plotë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara. Të gjitha vendet e BE-së bënë një deklaratë të përbashkët pas dështimit të bisedimeve, me mbështetje për Lajçakun. Është diçka me të cilën duhet të përballen. Lajçaku nuk do të largohet. Dialogu nuk do të largohet. Dhe nuk mendoj se një vend prej një milion e gjysëm do ta bindë komunitetin transatlantik prej 700 milionësh që të ndryshojë taktikat e tij. Mendoj se duhet të ketë një përqasje më pragmatike nga qeveria e Kosovës. Më duhet të them edhe diçka tjetër. Gjatë javës së fundit jam alarmuar nga sulmet personale ndaj Lajçakut që ekzistojnë në sferën shoqërore të Kosovës. I kërkova Presidentes Osmani dhe Kryeministrit Kurti që t’i dënojnë këto sulme. Nuk po them se vijnë nga qeveria e Kosovës, por qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë e qartë se sulmet personale ndaj përfaqësuesit të posaçëm janë të papranueshme.