Dokumentari i Marin Memës/Shqiptarët e Sanxhakut të Nishit në Serbi dhe heshtja e Kryeministrit Rama ndaj Presidentit Vuçiç

Gazetari i talentuar shqiptar transmetoi në Top Channel një emision për shqiptarët e Nishit, zonë tashmë serbe, por që ka qenë krejtësisht shqiptare ndër shekuj. Mes aventurave me policinë serbe gazetari Mema filmoi, regjistroi dhe inçizoi tokën e shtëpitë e shqiptarëve të Nishit, ku tashmë nga pala serbe ushtrohet prej dekadave spastrim etnik.

Edhe me Presidentin serb Vuçiç spastrimi etnik vazhdon egër, siç tregoi dokumentari, ku shqiptarët autoktonë, nuk lejohen në votime, nuk i regjistron nga administrata serbe si banorë, etj pra sikur nuk ekzistojnë, ndërkohë që kamerat e Top Channel filmuan gjithçka.

Por le të shikojmë historinë e shqiptarëve të zonës së Nishit, tashmë në Serbi.

Në luftën ruso-osmane, 1877-1878, Sërbia dhe Mali i Zi menjëherë u rreshtuan në anën e Rusisë me qëllim që të realizonin aspiratat ekspansioniste në drejtim të trojeve etnike shqiptare. Luftimet serbo-osmane u zhvilluan kryesisht në trevat shqiptare të Sanxhakut të Nishit që i takonin Vilajetit të Kosovës. Pas humbjeve të njëpasnjëshme dhe me tërheqjen e ushtrisë osmane nga këto troje, Serbia para syve të fuqive të mëdha dhe me bekimin e tyre, kryente spastrimin etnik. Si rezultat i dhunës, terrorit, masakrave dhe gjenocidit të ushtrisë serbe ndaj popullit autokton shqiptar me qindra e mijëra shqiptar u detyruan t’i braktisnin vatrat e tyre duke u vendosur si muhaxher (refugjat) në brendi të Vilajetit të Kosovës dhe me gjerë. Në ketë kohë para tytave të soldateskes serbo-malazeze u shpërngulën rreth 160 mijë shqiptar. Kështu u spastruan etnikisht 640 vendbanime shqiptare të rrethit të Nishit, të Prokupjes, Leskocit, Vranjës, Kurshumlisë etj. Me këto akte antishqiptare Serbia dhe Mali i Zi ngushtuan edhe më hapsirën kombëtare shqiptare duke krijuar kështu parakushte për rrezikim të metejshëm të trojeve shqiptare në përgjithësi dhe të Kosovës në veçanti. (Burimi: Historia e Popullit Shqiptar – hartuar nën drejtimin e Institutit të Historisë).

Kongresi i Berlinit i dha Malit të Zi edhe qytetin e Tivarit ku kishte popullsi shqiptare. Për t’i bërë ballë copëtimit të trojeve shqiptare, u krijua Lidhja e Prizrenit, e cila kundërshtoi me armë aneksimin e trojeve shqiptare. Luftime të rrepta u zhvilluan në Plave e Guci, ku sipas burimeve të kohës “zona kufitare u mbulua me gjak”. Forcat malazeze nuk mundën të marrin Plavën e Gucinë dhe kërkuan nga Kongresi i Berlinit një zonë tjetër. Kongresi caktoi Hotin e Grudën, ku sërish pati luftime të përgjakshme dhe forcat malazeze nuk arritën të thyejnë qëndresën shqiptare. Kongresi atëherë i dha Ulqinin, Malit të Zi. Forcat e Lidhjes së Prizrenit në Ulqin u ndodhën para sulmeve të ushtrisë malazeze dhe nga lindja nga sulmet e ushtrisë Osmane, e cila u dërgua nga Sulltani për të shtypur Lidhjen dhe për të dorëzuar Ulqinin te malazezët. Shqiptarët u tërhoqën dhe u mundën nga forcat e shumta osmane të udhëhequra nga Dervish Pasha, të cilat shkatërruan Lidhjen e Prizrenit në një sërë betejash.
Gjatë copëtimit të parë, shqiptarët humbën zonat veriore të Toplicës, Pazarit të Ri, Nishit, Ulqinin dhe disa territore në jug të Çamërisë.

Kjo ishte historia e copëtimi të fillimit të trojëve shqiptare. Por për ta aktualizuar shkrimin nevojitet që pas dokumentarit të Marin Memës në TCH të pyetet kryeministri Rama se pse nuk ngre problemin e shqiptarëve të Nishit, kur takon Presidentin serb Vuçiç? Pse, përveç të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, kryeministri nuk i vendos kushte palës serbe, edhe për këta shqiptarë në Nish të Serbisë, të cilët tashmë janë kthyer në minoritet dhe nuk kanë asnjë përkrahje? Bile po zhduken si popullsi me dhunë.

Përderisa Rama dhe Vuçiç janë miq dhe duket se kanë interesa të përbashkëta rajonale, si nuk kujtohen që këta shqiptarë, të cilët sa nuk bërtisnin te mikrofoni i Marin Memës të kenë të drejta të barabarta me serbët.

Shqipëria e ka me Kushtetutë detyrimin për tu interesuar dhe mbrojtur interesat e krejt shqiptarëve kudo ndodhen në botë. Aq me tepër për këta shqiptarë, të cilët po asimilohen dhe spastrohen me dhunë nga pala serbe.

S.P.

SHKARKO APP