Sot 25-vjetori i bombardimeve të NATO-s në Beograd, Millosheviç nuk pranoi të zgjidhte krizën në Kosovë
24 mars 1999, pak pas orës 19:00 në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, dëgjohen sirenat e para. Ato paralajmërojnë fluturimin e avionëve ushtarakë të NATO-s mbi qellin e Serbisë.Pak para orës 21:00, dëgjohet një shpërthim i fuqishëm në fabrikën e aeroplanëve “Lola Utva”, në Pançevë të Serbisë. Flaka dhe tymi mbulon këtë lokacion në periferi të Beogradit. Ky moment sh ënon fillimin e një fushate 78-ditore të bombardimit të Jugosllavisë. Aeroplanë të NATO-s bombarduan në territorin e Serbisë, Kosovës dhe Malit të Zi.
Mes dilemash dhe kundërshtimesh nga Kina dhe Rusia, në atë kohë sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana, më 23 mars 1999, në orën 22:17, urdhëroi një sulm ajror mbi Republikën Federale të Jugosllavisë, raporton Radio Evropa e Lire. Arsyetimi, në Serbi nuk ka gatishmëri për zgjidhje politike të krizës së Kosovës Sulmet ajrore nisën pa aprovimin e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Vendimi për bombardim u ndërmor pas refuzimit të asokohe presidentit të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç, që të zgjidhej politikisht kriza e Kosovës. Më 1999, në Kosovë llogaritej se ishin rreth 40 mijë trupa ushtarake jugosllave. Në mars 1999, UNHCR-ja përllogariste rreth 475 mijë kosovarë të zhvendosur pas ofensivës së forcave ushtarake dhe policore serbe.
Ky numër vazhdoi të rritej dhe deri në fund të luftës, rreth një milion kosovarë ishin larguar nga vendi.
Sipas të dhënave të publikuara nga Fondi për të Drejtën Humanitare, gjatë luftës në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë mbi 13.500 persona – 76 për qind e të cilëve besohet se kanë qenë civilë.
Për më shumë se 1.600 persona të zhdukur në luftë vazhdon kërkimi.
Sulmet e NATO-s ishin sfida më e madhe që ndoshta ndonjëherë ka mbijetuar Aleanca veriatlantike. Dëshmi për këtë janë divergjencat e shumta mes shteteve anëtare, të cilat shfaqen menjëherë – para dhe pas ditëve të para të bombardimeve, kur prognozat për kapitulimin e shpejtë të Milosheviqit nuk përmbushen… Më poshtë është pjese nga shkrimi me titullin “Nuk ishte lufta e tretë botërore, por dëshmoi se sa ka ndërruar bota”, i publikuar në mars 2000 në Javoren Politike Shqiptare – “Zëri”, ku në mënyrë të detajuar përshkruhen 78 ditët e sulmeve të NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe.
***
“Institucionet e OKB-së janë muzeale”, tha në një intervistë për javoren “Zëri”, ish-kryetari polak Lech Walesa. Këtë e ka dëshmuar lufta në Kosovë. Këtë e ka dëshmuar paqja e sotme e cila kurrë nuk do të realizohej duke u bazuar në Rezolutat e Këshillit të Sigurimit!?
Uniteti në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, aty ku gravitojnë sfera të ndryshme interesi, vështirë se arrihet për ndonjë akt apo sulm të përbashkët. Rezolutat e OKB-së nuk mund ta ndalin luftën dhe vuajtjen në asnjë vend ku sundon ligji i kriminelëve, siç ishte ai i Milosheviqit në Kosovë.
Lufta në Kosovë ka dëshmuar se e vetmja forcë garantuese e paqes dhe sigurisë në rajon është NATO-ja. Shikuar në kontekstin tjetër, problemet që dolën në shesh më vonë, si dhe ngecja ushtarake e evropianëve ndaj amerikanëve, dëshmoi se globalizimi ka nevojë për udhëheqës të fortë – për Amerikën.
Çka e shtyri NATO-n, forcën më të madhe ushtarake në botë të marrë anën e Kosovës? Spekulimet mund të jenë të shumta, filluar prej atyre banale se gjoja bota po e lanë borxhin ndaj padrejtësive të bëra më parë në Kosovë, e deri tek tendencat amerikane për të mbetur në Evropë. Ç’është e vërteta, arsyet kryesore për të cilat themelohet aleance veriatlantike ishin mbrojtja e Perëndimit nga zgjerimi eventual i komunizmit dhe evitimi i ringjalljes së nazizmit gjerman. Komunizmi u shkatërrua, ndërsa Gjermania më shumë se kushdo tjetër lufton sentimentet dhe mbeturinat e regjimit të vjetër nazist. Sipas kësaj, NATO-ja nuk ka nevojë të ekzistojë më e as shtetet të japin shuma të mëdha parash për këtë strukturë ushtarake.