Thaçi dekreton kreun e Vetëvendosjes për kryeministër. Kurti ka dy javë afat për qeverinë
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka njoftuar zyrtarisht dekretimin e Albin Kurtit për kryeministër të vendit. “Pas pranimit të propozimit për mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Dekretin Presidencial me emrin e kandidatit për Kryeministër e dërgova zyrtarisht në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ky është hap shumë i rëndësishëm për krijimin të institucioneve të reja dhe nga sot fillon edhe rrjedhja e afatit kushtetues për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka shkruar Thaçi në profilin e tij në “Facebook”.
Dekreti u dërgua në parlament pak kohë pasi Lëvizja Vetëvendosje propozoi kryetarin e saj, Albin Kurti, si mandatar për krijimin e qeverisë së re të Kosovës. Kandidati për kryeministër i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha përmes një video mesazhi se propozimin e lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, si subjekt fitues nga zgjedhjet e 6 tetorit, kishin dashur ta dërgojnë te presidenti pas një marrëveshjeje me Lidhje Demokratike të Kosovës. “Në mbledhjen konstituive të Kuvendit më 26 dhjetor shkova pa pasur një marrëveshje, edhe te presidenti me 6 janar shkova pa marrëveshje paraprake dhe tani, dy javë pas atij takimi katër minutësh, ende nuk kemi marrëveshje për qeverinë e re. Ne sot po e dërgojmë propozimin tonë me shkresë te presidenti”,- tha Kurti. Ai theksoi se lëvizja Vetëvendosje nuk e ka pranuar propozimin e fundit të drejtuesve të LDK-së por është treguar e gatshme për takime të mëtejme me synim gjetjen e alternative tjera që do të ishin të pranueshme për të dyja palët.
Vendimi i Thaçi vjen në kohën kur negociatat për krijimin e qeverisë mes Vetëvendosjes dhe LDK janë ende larg një marrëveshje finale.
Pas dekretimit, Kurti ka 15 ditë për krijimin e qeverisë, në të kundërt Presidenti duhet të dekretojë një tjetër parti për formimin e qeverisë.