Osmani: Reforma e teksteve, ndryshime për klasat e para, të gjashta dhe të dhjeta

Nga shtatori i vitit të ardhshëm, klasat e para, të gjashta dhe të dhjeta do të përdorin tekste shkollore të përditësuara. Ministria e Arsimit e konsideron këtë hap si pjesë të reformës që synon modernizimin e sistemit parauniversitar, duke u përshtatur me zhvillimet e kohës dhe nevojat e tregut.

Zëvendësministrja e Arsimit, Orjana Osmani, tha për rëndësinë e reformës: “Synojmë të kemi nxënës që përdorin mendimin kritik dhe të përqasim kurrikulën me atë ç’ka ndodh në botën reale dhe me tregun e punës. Kjo do të bëjë që nxënësi të jetë i aftë të përballojë sfidat e së nesërmes.”

“Tekstet do të ndryshohen në masën 20%. Kjo do të thotë ndryshime të tematikave të vjetruara, të ushtrimeve që janë të vështira ose shumë të lehta për moshën e nxënësve. Synojmë gjithashtu të bëjmë metodologjinë më praktike dhe më pak teorike,” sqaroi Osmani.

Swiss Digital Desktop Reklama

Përveç këtyre ndryshimeve, nxënësit e klasave të para, të gjashta dhe të dhjeta do të kenë librin e qytetarisë tërësisht të ri. Ndërkohë, nxënësit e viteve të para të gjimnazeve do të përdorin tekstin e ri të gjuhës shqipe, me fokus te praktika dhe zbatimi i drejtë i gjuhës amtare.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Nuk do të mungojnë orët e drejtshkrimit dhe sintaksës, por fokusi kryesor do të jetë në përdorimin korrekt të gjuhës, sipas asaj që kërkohet sot. Orët e gjuhës shqipe do të jenë më praktike dhe funksionale për nxënësin,” tha Osmani.

Paralelisht me ndryshimet në tekstet shkollore, do të zhvillohet edhe trajnimi i mësuesve, për t’i përgatitur ata për zbatimin e kompetencave të kurrikulës së re.

Puna për përditësimin e të gjitha teksteve shkollore do të vijojë gradualisht deri në vitin 2029 për të gjitha klasat e sistemit parauniversitar në vend.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi drejt Gjykata Kushtetuese për rastin Balluku?