35 vite Partia Socialiste: Nga Fatos Nano te Edi Rama
Partia Socialiste feston sot 35-vjetorin e krijimit të saj, një histori politike që ka lënë gjurmë të thella në zhvillimet e Shqipërisë pas rënies së komunizmit. Nga transformimi i ish-Partisë së Punës në vitin 1991, deri te fitorja e katërt radhazi në zgjedhjet parlamentare, PS mbetet forca politike më jetëgjatë dhe më e suksesshme e tranzicionit shqiptar.
Në këtë histori 35-vjeçare kanë kontribuar shumë figura politike, por është e vështirë të mohohet se periudha më e suksesshme elektorale lidhet me drejtimin e Edi Rama. Nën udhëheqjen e tij, Partia Socialiste ka arritur të fitojë katër mandate qeverisëse radhazi, një rekord që nuk është arritur më parë nga asnjë forcë politike në Shqipërinë pluraliste.
Kjo nuk do të thotë se nuk ka pasur gabime, kritika apo pakënaqësi. Përkundrazi, pas më shumë se një dekade në pushtet, është normale që të ketë debate të forta për mënyrën e qeverisjes, për reformën në drejtësi, për emigracionin, ekonominë apo korrupsionin. Por në aspektin e rezultateve elektorale, faktet mbeten fakte: PS e drejtuar nga Rama ka fituar besimin e shumicës së shqiptarëve në katër procese zgjedhore të njëpasnjëshme.
Paradoksalisht, disa nga kritikat më të forta ndaj Ramës vijnë sot nga individë që kanë qenë pjesë e historisë së PS-së dhe që për vite me radhë kanë mbajtur poste të rëndësishme në qeveri, në parlament apo në administratë. Shumë prej tyre kanë përfituar nga mbështetja politike e partisë dhe kanë qenë pjesë e vendimmarrjes në periudha të ndryshme.
Kjo është një dukuri që nuk i përket vetëm Partisë Socialiste. Në politikën shqiptare shpesh ndodh që njerëzit janë pranë liderit kur kanë pushtet, por bëhen kritikët me të ashpër kur humbin ndikimin apo pozicionet e tyre. Është një fenomen që shfaqet në të gjitha partitë dhe që lidhet më shumë me kulturën politike shqiptare sesa me një forcë të caktuar.
Në fund të fundit, 35-vjetori i PS-së është një moment reflektimi. Një parti nuk matet vetëm me fitoret elektorale, por edhe me aftësinë për t’u rinovuar, për të dëgjuar kritikat dhe për t’u përshtatur me kohën. Megjithatë, askush nuk mund të mohojë se kapitulli i Edi Ramës ka qenë deri tani kapitulli më fitues në historinë e Partisë Socialiste.
Dhe kjo është arsyeja pse, pavarësisht debateve dhe kundërshtive, festa e sotme në sheshin “Nënë Tereza” është mbi të gjitha një festë e një partie që ka arritur të mbetet forca dominuese e politikës shqiptare për më shumë se një dekadë.
KOHA JONË SONDAZH

