A po përgatitet nxjerrja e ushtrisë në rrugë?!
Denoncimet për djegie, shkatërrime dhe sulme ndaj bizneseve private në Tiranë kërkojnë reagim të menjëhershëm institucional dhe verifikim të plotë. Situata po degradon keq, sidomos në Tiranë, dhe policia nuk po arrin të vendosë rendin publik.
Qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë siguri dhe të dinë se kush mban përgjegjësi për mbrojtjen e tyre. Përballë një situate që mund të përshkallëzohet, pyetja bëhet konkrete: a mund ta nxjerrë kryeministri ushtrinë për të rivendosur rendin?
Përgjigjja është e prerë që angazhimi i ushtrisë lejohet në kushte të përcaktuara kushtetuese, por nuk vendoset vetëm nga kryeministri.
Neni 173 i Kushtetutës parashikon se, kur rrezikohen rendi kushtetues dhe siguria publike, Këshilli i Ministrave mund t’i kërkojë Kuvendit vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme. Kuvendi mund ta vendosë atë në një pjesë ose në të gjithë territorin, për aq kohë sa vazhdon rreziku, fillimisht jo më shumë se 60 ditë.
Por shpallja e kësaj gjendjeje nuk e aktivizon automatikisht ushtrinë. Kushtetuta vendos një kusht tjetër thelbësor: ndërhyrja e Forcave të Armatosura kërkon vendim të Kuvendit dhe lejohet vetëm kur policia nuk është në gjendje të rivendosë rendin.
Pra, Edi Rama, si kryeministër, mund të vërë në lëvizje qeverinë për të paraqitur kërkesën përkatëse. Ai nuk mund ta zëvendësojë vendimin e Kuvendit me një urdhër personal për përdorimin e ushtrisë në kontrollin e protestave. Kjo procedurë është një garanci kushtetuese për qytetarët dhe për vetë shtetin.
Policia duhet të përmbushë detyrën e saj: të mbrojë jetën, pronën dhe institucionet, të ndalojë aktet e dhunës dhe të sigurojë provat ndaj autorëve. Protestuesit paqësorë duhet të mbrohen; personat që djegin dhe shkatërrojnë duhet të përballen me përgjegjësinë individuale për veprimet e tyre.
Nëse autoritetet konstatojnë se policia realisht nuk e përballon dot situatën dhe se përmbushen kushtet kushtetuese, qeveria duhet t’i drejtohet Kuvendit dhe të mbajë përgjegjësi për kërkesën e saj. Çdo masë e jashtëzakonshme duhet të jetë proporcionale me rrezikun dhe të synojë rikthimin sa më të shpejtë të normalitetit.
Burime pranë mazhorancës thanë se nuk do të arrijmë te dalja e ushtrisë në rrugë, pasi policia ka forca të mjaftueshme për të rivendosur rendin. Por nuk është çudi nëse ndodh…
Nxjerrja e ushtrisë do të jetë gabim i madh, sepse vetëm sa do ta përkeqsojë situatën. Duhet politika të gjejë udhën e zgjidhjes.

