Akuza nga Haki Çako: “Kryebashkiakut të Beratit i digjet gjysma e territorit dhe nuk hap celularin!”
Temperaturat e larta po shoqerohen me zjarre, në disa vende edhe të rrezikshme.
Kreu i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë nga fshati Velabisht i Beratit në studion e News24 ka komentuar situatën e zjarreve në vend.
Çako u shpreh i indinjuar ndaj kryetarit të bashkisë së Beratit, Ervin Demo, për të cilin tha se “nuk hap telefonin, ndërkohë që i digjet gjysma e territorit” të qytetit.
Ai u shpreh se kryetarët e bashkive në përgjithësi nuk kanë organizuar strukturat dhe kanë kërkuar menjëherë ndihmën e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
“Situata ka qenë jashtëzakonisht e vështirë dhe ka qenë një 24-orësh i vështirë për gjithë strukturat. Jemi në fshatin Velabisht të Beratit, së bashku me drejtorin e policisë dhe zjarri është vendosur nën kontroll pas punës intensive të pilotëve dhe helikopterit Cougar që nuk ka reshtur punën.
Nuk mund të pranojë se si një kryetari bashkie i digjet gjysma e territorit dhe ai nuk hap telefonin. Ka kryetarë bashkie që kanë qindra punonjës nën varësi dhe nuk organizojnë strukturat. Jo vetëm në këtë operacion, por edhe në operacione të tjera. Kryetarët e bashkive nuk kanë qenë në nivelin e duhur, edhe pse jo të gjithë. Këtë e përcjell sepse më indinjon sepse kërkojnë direkt njerëz dhe helikopterin, kur nuk angazhohen”, u shpreh ai.
Kjo që tha Haki Çako është e rëndë, ndaj duhet që kryeministri Rama të paralajmërojë me shkarkime kryebashkiak të tillë.