Ambasada e Gjermanisë flet për bllokimin e EMS në portin e Durrësit: Të ҫlirohen zonat e bllokuara konҫesionare!
Nga Ani Ruci
Ambasada e RFGJ reagoi me një deklaratë (03.08) ndaj bllokimit të aktivitetit të kompanisë “EMS Albanian Operator”(EMS APO) në Terminalin Lindor të Portit të Durrësit, që operon me konҫesion nga Shqipëria për 35 vjet.
“Është në interes të dy vendeve tona që kompanitë gjermane dhe të tjera ndërkombëtare të gjejnë një mjedis tërheqës për investime në Shqipëri. Për këtë janë thelbësore kushtet e drejta dhe ligjore”, theksohet në deklaratën e Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë (RFGJ) në Tiranë. Në të vihet në dukje vëmendjen me të cilën “Ambasada Gjermane në Tiranë po ndjek zhvillimet lidhur me koncesionin e “EMS APO”
Përse u bllokua aktiviteti konҫesionar i kompanisë gjermane?
Projekti i qeverisë së Shqipërisë drejtuar nga kryeministri Edi Rama „Durrës Yacht & Marina” me vlerë 2 miliard euro, parashikon të shtrihet në 812 600 m2, ku do të dërtohen 12 000 apartamente luksoze dhe dy hotele me nga 425 dhoma secili. Projekti parashikon 80 000 metër katror hapësira të gjelbra dhe një gjatësi plazhi 700 metra. Ai përfshin rreth 90 përqind të hapësirës që zë Terminali Lindor.
Në këtë terminal kompania gjermane „EMS APO” operon prej 20 vitesh. Sipas informacionit në website e kësaj kompanie aktiviteti i saj ka të bëjë me pëpunimin e ngarkesave me shumicë që mbrrijnë në Terminalin Lindor të Portit të Durrësit, depozitimin e tyre, mbushjen e mekanizuar të kontejnerëve dhe ruajtjen afatgjatë të mallrave.
Kontrata konҫesionare është lidhur në maj 2013 për 35 vjet mes EMS Shipping & Trading GmbH me seli në qytetin e Gjermanisë Leer, në Saksoninë e Poshtme dhe Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit në Shqipëri
Të ҫlirohen zonat e bllokuara konҫesionare!
Kompania gjermane “EMS APO” në një deklaratë publike i kërkon Autoritetit Portual ,Durrës „t’i rikthehet ligjshmërisë duke ҫliruar zonat e saj konҫesionare”, pasi ato ia ka dorëzuar Autoriteti Portual, Durrës sipas protokollit. Blloqet e betonit që ky autoritet ka vendosur janë brenda zonës sonë të koncesionit dhe kufizojnë lëvizjen e automjeteve dhe klientëve, pra aktivitetin koncesionar”, thuhet në deklaratë.
Bllokimit të aktivitetit të kompanisë gjermane i parapriu vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar dhe mos shqyrtuar ankimimin ndaj Autoritetit Portual, Durrës, që kjo kompani i kishte adresuar Gjykatës.
Kompania „EMS APO” i kishte kërkuar Gjykatës Kushtetuese të shfuqizonte disa dispozita të ligjit përkatës për projektin e investimit strategjik ” Durrës Yacht & Marina”, si të papajtueshme me Kushtetutën, pasi sipas saj “ato cënojnë lirinë e veprimtarisë ekonomike dhe parimin e barazisë përpara ligjit”.