Analiza nga REL: 6 çështje për t’u ndjekur në samitin e NATO-s në Turqi
Udhëheqësit e NATO-s po takohen në kryeqytetin turk, Ankara, në samitin vjetor të aleancës më 7-8 korrik, që është lënë në hije nga lufta në Iran dhe ankesat amerikane se jo të gjithë aleatët evropianë po shpenzojnë mjaftueshëm. Pritjet janë që presidenti amerikan, Donald Trump, të ketë komente të ashpra ndaj disa homologëve evropianë kur të takohen për darkë në ditën e parë të samitit dhe gjatë mbledhjes që do të zgjasë tre orë në Këshillin e Atlantikut Verior që mbahet në ditën e dytë dhe përfundimtare të samitit.
Shpenzimet për mbrojtjen
Padyshim, ky samit do të dominohet nga çështja e shpenzimeve për mbrojtjen. Në samitin e vitit të kaluar në Hagë, aleanca u pajtua zyrtarisht që të gjitha 32 vendet anëtare të shpenzojnë 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për mbrojtjen deri në vitin 2035. Prej kësaj, 3.5 për qind do të dedikohet për të ashtuquajturat “shpenzime bazë ushtarake”, si blerja e armëve dhe pajisjeve të tjera ushtarake. Ndërkaq, 1.5 për qind mund të përdoret për investime që forcojnë aftësitë ushtarake, siç është ndërtimi dhe përmirësimi i infrastrukturës.
Në Ankara, gjithçka do të sillet rreth demonstrimit se si do të arrihet ky objektiv. Ose, siç thuhet në draft-deklaratën e samitit, do të paraqitet një “rrugë e besueshme” drejt arritjes së këtij qëllimi. Disa zyrtarë të NATO-s, të cilët folën për Radion Evropa e Lirë, kanë frikë se shumë vende do t’i shtyjnë investimet e mëdha në mbrojtje gjatë viteve të ardhshme për shkak të financave të kufizuara publike. Më pas, ato mund të shpenzojnë shuma të mëdha për pajisje ushtarake vetëm në vitet 2034-2035, në një qasje që brenda aleancës njihet si “qasja e shkopit të hokejit”, sipas të cilës, pas vitesh me shpenzime relativisht të pandryshuara, vjen një rritje e menjëhershme dhe e madhe në fund për të përmbushur objektivin.
Faktori Trump
Pikërisht çështja e shpenzimeve për mbrojtjen pritet të jetë tema ku presidenti Trump do të jetë i ashpër. Ai që një kohë të gjatë ka shprehur skepticizëm ndaj NATO-s dhe vetëm pak ditë para samitit në Ankara, e vuri sërish në pikëpyetje aleancën përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shkroi se është “qesharake që SHBA-ja të vazhdojë në këtë rrugë të njëanshme, kur marrëdhënia nuk është reciproke”. Ai gjithashtu publikoi një grafikë që tregonte se Uashingtoni shpenzon shumë më tepër për ushtrinë e tij sesa secili prej aleatëve evropianë të NATO-s.
Pikërisht në këtë, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, pritet të përdorë sërish aftësitë e tij diplomatike për të vënë në pah se vendet evropiane dhe Kanadaja tashmë po rrisin shpenzimet e tyre në fushën e mbrojtjes. Duke folur pak para samitit, ai tha se 31 aleatët e tjerë “tashmë po investojnë rreth 4 për qind të PBB-së së tyre në mbrojtje dhe siguri”, shpesh duke blerë pajisje ushtarake të prodhuara në Shtetet e Bashkuara. Sipas Ruttes, kjo prirje tregon se 31 vendet e tjera anëtare tashmë janë “në një trajektore për ta barazuar nivelin e shpenzimeve të tyre për mbrojtje me atë të SHBA-së”.
Megjithëse disa zyrtarë të NATO-s, të cilët folën për Radion Evropa e Lirë, e pranuan se kanë frikë se presidenti amerikan do të jetë i ashpër gjatë samitit, shumica prej tyre besojnë se takimi do të zhvillohet relativisht pa probleme dhe me pak dramë. Oana Lungescu, ish-zëdhënëse e NATO-s, e cila tani është studiuese në Institutin Mbretëror për Shërbime të Bashkuara, tha se ka optimizëm që atmosfera pozitive nga samiti i fundit i G7-ës në Francë do të përcillet edhe në Ankara. “Diplomatët shpresojnë që ‘fryma e Evianit’, atmosfera konstruktive e bisedimeve të fundit të G7-ës në Francë, të shtrihet edhe në Ankara – përfshirë nevojën për të vazhduar mbështetjen për Ukrainën, në një kohë kur momentumi në fushëbetejë duket se po ndryshon”, tha ajo.
Lungescu tha se zyrtarët besojnë gjithashtu se raporti i mirë personal mes Trumpit, Ruttes dhe presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, mund të ndihmojë që samiti të ecë sipas planit. Sipas saj, edhe pse Trumpi mund të kritikojë disa udhëheqës evropianë për luftën me Iranin ose për shpenzimet në mbrojtje, “ai nuk do të dëshirojë që samiti të dështojë dhe Erdogani t’i shkojë fytyra në vendin e tij”.
Trupat amerikane në Evropë dhe ambiciet industriale
Paralelisht me këtë debat, në rend dite është edhe çështja e pranisë së trupave amerikane në Evropë. Numri aktual prej rreth 80.000 trupash amerikane në Evropë mund të reduktohet, pasi po flitet se Uashingtoni mund të ridislokojë si kapacitetet strategjike, ashtu edhe personelin ushtarak në rajone të tjera, veçmas në Azi. Meqë sekretari amerikan i Mbrojtjes*, Pete Hegseth, deklaroi në maj se SHBA-ja do të kryejë një rishikim gjashtëmujor të pranisë së saj ushtarake në Evropë, pak zyrtarë të NATO-s besojnë se kjo do të jetë një temë e madhe në samit. Megjithatë, ata nuk e përjashtojnë mundësinë e negociatave dypalëshe dhe përpjekjeve lobuese në prapaskenë nga vendet evropiane që janë mikpritës të bazave ushtarake amerikane.
Ndërkohë, komandanti suprem i NATO-s për Evropën, Alexus Grynkewich, tha se aleatët evropianë kanë ndërmarrë në masë të madhe hapat e nevojshëm për të mbushur boshllëqet në kapacitete dhe përforcime, të krijuara pas reduktimeve të fundit të trupave dhe mjeteve ushtarake amerikane në Evropë. Draft-deklarata e samitit në Ankara, të cilën pritet ta miratojnë të gjithë aleatët, e përmend në mënyrë eksplicite Nenin 5 të NATO-s për mbrojtjen kolektive, edhe pse në disa kryeqytete evropiane ekzistojnë shqetësime nëse aleanca do ta zbatonte atë në rast se Rusia do ta sprovonte NATO-n në vitet në vijim.
Një tjetër zhvillim nga i cili zyrtarët e aleancës shpresojnë se do të nxisë rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen është Forumi i Industrisë së Mbrojtjes të NATO-s, i cili do të mbahet më 7 korrik, vetëm pak orë para nisjes së samitit. Në këtë forum, kompanitë kryesore të industrisë së mbrojtjes dhe politikanët pritet të njoftojnë për një sërë marrëveshjesh shumëpalëshe për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, përfshirë edhe sipërmarrje të përbashkëta transatlantike. Me Kanadanë në krye të nismës, disa shtete do të njoftojnë po ashtu për krijimin e një “banke globale të mbrojtjes”, e cila synon ta bëjë më të lehtë financimin për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që veprojnë në industrinë e mbrojtjes.
Po ashtu, pritet që kompanitë ukrainase të jenë shumë aktive në arritjen e marrëveshjeve, pasi Ukraina synon të sigurojë një lloj licence për prodhimin e raketave Patriot (ose sistemeve të ngjashme) brenda territorit të saj. Por, vende të tjera ndoshta do të jenë edhe më të interesuara të përfitojnë nga njohuritë teknologjike të Ukrainës. Një zyrtar i lartë i NATO-s i tha Radios Evropa e Lirë se Kievi së shpejti mund të prodhojë versionin e vet të penguesit, të quajtur Patriot Advanced Capability-2 (PAC-2). “Ukrainasit po na thonë se mund të zhvillojnë një pengues, që praktikisht është i njëjtë me një PAC-2, në më pak se një vit”, tha zyrtari. “Dhe ata mund t’i prodhojnë në numër të madh. Nëse arrijnë ta bëjnë këtë, ne e duartrokasim”.
Megjithatë, edhe pse rritja e madhe e shpenzimeve për mbrojtjen pritet të vazhdojë, pyetja që mbetet është nëse vendet evropiane po i shpenzojnë këto para në mënyrën e duhur. Olga Oliker, drejtoreshë për sigurinë evropiane në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, paralajmëroi se “shpenzimet nuk përkthehen automatikisht në rritje të kapaciteteve ushtarake”. Ajo u shpreh se qeveritë evropiane dhe prodhuesit e industrisë së mbrojtjes ende po përballen me sfidën se si të balancojnë investimet në “armë të shpejta, me kosto të ulët dhe të përshtatshme”, me nevojën urgjente për të prodhuar më shumë sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore.
Ukraina
Përderisa presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të jetë i angazhuar si në Forumin e Industrisë së Mbrojtjes, ashtu edhe në darkën e udhëheqësve, takimi më i shumëpritur mbetet ai me Trumpin në margjinat e samitit. Pasi Rusia vrau sërish dhjetëra njerëz në Kiev, pas një tjetër sulmi me raketa pak para samitit, ka shpresë se bisedimet e paqes të udhëhequra nga SHBA-ja – të cilat një zyrtar i lartë i NATO-s i përshkroi së fundi se janë në “në gjendje kome” – mund të ringjallen.Atmosfera brenda NATO-s sa i përket Ukrainës ka ndryshuar ndjeshëm. Disa zyrtarë janë mahnitur nga aftësia e Kievit për të goditur objektiva thellë brenda territorit rus.
“Ukraina është në një pozitë më të mirë në fushëbetejë krahasuar me disa muaj më parë”, tha një zyrtar evropian, duke theksuar se SHBA-ja tani po e mbështetë Ukrainën shumë më fuqishëm. “SHBA-së i pëlqen pala që duket më e nënvlerësuar, për aq kohë sa ajo ka gjasa të fitojë”, shtoi ai. Ndryshe nga viti i kaluar, këtë herë nuk ka debat nëse presidenti ukrainas Zelensky do të marrë pjesë në samit, edhe pse ai nuk do të jetë pjesë e takimit kryesor, pasi ai është i rezervuar vetëm për vendet anëtare të NATO-s. Në deklaratën e samitit përfshihet edhe një zotim për t’i siguruar Ukrainës 70 miliardë euro gjatë vitit 2026, si dhe një shumë të njëjtë edhe për vitin pasues, megjithëse para samitit ishte diskutuar që deklarata të përmendte vetëm një zotim financiar për Kievin për vitin 2026.
SHBA-ja nuk do të kontribuojë në këtë fond, teksa 30 miliardë euro nga totali prej 70 miliardë eurosh vijnë nga një hua prej 90 miliardë eurosh që Bashkimi Evropian ia miratoi Ukrainës më herët gjatë këtij viti. Me fjalë të tjera, nuk bëhet fjalë për shumë fonde të reja. Duke folur për gazetarët para samitit, ambasadorja e Ukrainës në NATO, Alyona Hetmanchuk, tha se një zotim financiar i përfshirë në deklaratën e samitit mund të ndihmojë që aleatët t’u përmbahen premtimeve të këtij viti për financimin e Ukrainës, si dhe të sigurojë mbështetje shtesë.
“Shpresojmë që nëse në deklaratë përfshihet një detyrim financiar, kjo të ndihmojë. Së pari, t’i detyrojë vendet të përmbushin premtimet financiare të bëra këtë vit. Dhe së dyti të sigurojë fonde shtesë”, tha ajo. Në një tjetër fitore të vogël për Ukrainën dhe mbështetësit e saj, në deklaratën e samitit përmendet edhe Rusia, e cila cilësohet si “një kërcënim afatgjatë për sigurinë euroatlantike”. Ky është i njëjti formulim që u përdor në deklaratën e miratuar në samitin e vitit të kaluar në Hagë, por këtë herë zyrtarët e NATO-s thonë se nuk pati kundërshtime dhe as përpjekje për ta zbutur formulimin.
Çështja e Ngushticës së Hormuzit
Lufta në Iran ka krijuar po ashtu tensione brenda aleancës, me presidentin Trump që është ankuar për mungesë “besnikërie” nga disa aleatë, pasi ata kufizuan ose fillimisht ndaluan përdorimin nga Uashingtoni të bazave ushtarake në territoret e tyre për sulmet të SHBA-së kundër Iranit. Ambasadori i SHBA-së në NATO, Matthew Whitaker, tha për gazetarët më herët gjatë këtij muaji se “nuk ka dyshim që presidenti shprehu zhgënjim”, por shtoi se aleanca tashmë e ka lënë pas këtë çështje. “Fatmirësisht, ato ditë tashmë kanë kaluar”, shtoi ai.
Deklarata e samitit të NATO-s do t’i bëjë thirrje Teheranit që të respektojë plotësisht lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit. Gjithashtu, në Ankara do të jenë të pranishëm edhe një numër përfaqësuesish nga vende të ndryshme të Gjirit Persik. Megjithatë, nuk parashikohet që NATO-ja të ketë ndonjë rol të veçantë në rajonin e Gjirit. Në vend të kësaj, një koalicion i vendeve, që udhëhiqen nga Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, dhe ku pritet t’u bashkohen edhe shtete të tjera, po përgatitet të kontribuojë me kapacitete si anije për pastrimin e minave detare dhe ekipe zhytësish.
Megjithatë, sipas një zyrtari të NATO-s, rregullat e angazhimit të këtij koalicioni mbeten ende të paqarta. Zyrtari theksoi se nga Irani po vijnë “sinjale të përziera” lidhur me faktin nëse anijet e vendeve të tjera do të lejohen të operojnë në Ngushticën e Hormuzit. Një tjetër sfidë është se pak anije luftarake evropiane kanë mbrojtje adekuate kundër sulmeve me dronë, duke bërë që çdo koalicion më i gjerë që do të dislokohej në Ngushticën e Hormuzit do të ishte shumë i cenueshëm ndaj sulmeve, nëse do të dislokohej në terren në një të ardhme të afërt.
Kur dhe ku do të mbahet samiti i ardhshëm?
Çështja e fundit që pritet të zgjidhet në Ankara është se ku do të mbahet samiti i ardhshëm i NATO-s dhe në çfarë kohe do të zhvillohet. Deklarata e Hagës thoshte se Shqipëria do të organizonte samitin pas Turqisë, por në draft-deklaratën e Ankarasë ende nuk përmendet as vendi dhe as data e mbajtjes së tij. Kjo për shkak se disa zyrtarë në NATO kanë shprehur dyshime nëse një vend që shpenzon pak më pak se 2 për qind të PBB-së për mbrojtjen duhet të jetë mikpritës i një samiti të aleancës. Shqipëria po përpiqet të ketë për këtë vit një buxhet të mbrojtjes që do t’i rrisë shpenzimet në 2.6 për qind të PBB-së, por është e mundur që vendimi përfundimtar nëse Tirana do të mirëpresë samitin e ardhshëm të mos merret deri më vonë gjatë këtij viti. Ndaras, po ashtu janë zhvilluar diskutime nëse NATO-ja duhet t’i rikthehet mbajtjes së samiteve çdo dy vjet, siç ishte praktika para pushtimit rus të Ukrainës më 2022. Përderisa disa argumentojnë se NATO-ja duhet të vazhdojë të mblidhet çdo vit për sa kohë që në Evropë ka luftë, të tjerë besojnë se mungesa e rezultateve konkrete politike nga takimet vjetore duhet t’i lejojë aleancës që të zhvillojë më rrallë samite në nivelin më të lartë.
*Shënim: Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv në shtator të vitit 2025, duke e ndryshuar emrin e Departamentit të Mbrojtjes në Departament të Luftës, si emër të dytë. /REL/
KOHA JONË SONDAZH

