Analiza nga Reuters: Konflikti izraelito-palestinez përcaktohet nga shtetësia, toka, Jerusalemi, refugjatët

-Reuters-

Luftimet midis Izraelit dhe Hamasit, që nisi një sulm të papritur më 7 tetor, janë më të rejat në shtatë dekada luftë dhe konflikt midis izraelitëve dhe palestinezëve që kanë tërhequr vëmendjen e fuqive të jashtme dhe kanë destabilizuar rajonin më të gjerë të Lindjes së Mesme.

Cila është origjina e konfliktit?

Konflikti vendos kërkesat izraelite për siguri në atë që prej kohësh është konsideruar si një rajon armiqësor kundër aspiratave palestineze për një shtet të tyrin.

Themeluesi i shtetit të Izraelit, David Ben-Gurion, shpalli shtetin modern të Izraelit më 14 maj të vitit 1948, duke krijuar një strehë të sigurt për hebrenjtë që ikin nga persekutimi dhe kërkojnë një shtëpi kombëtare në një tokë, me të cilën ata thonë se kanë lidhje të thella historike.

Palestinezët ankohen për krijimin e Izraelit, duke e quajtur atë “Nakba” apo katastrofë, gjë që rezultoi në shpronësimin e tyre dhe ua bllokoi ëndrrat për shtetësi.

Në luftën që pasoi, rreth 700.000 palestinezë – gjysma e popullsisë arabe të asaj që ishte një Palestinë e sunduar nga britanikët – u larguan ose u dëbuan nga shtëpitë e tyre, duke përfunduar në Jordani, Liban dhe Siri, si dhe në Gaza, Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor.

Izraeli, një aleat i ngushtë i SHBA-së, kundërshton akuzat se i dëboi palestinezët nga shtëpitë e tyre dhe thekson se u sulmua nga pesë shtete arabe një ditë pas krijimit të tij. Paktet e armëpushimit ndaluan luftimet në vitin 1949, por nuk pati paqe formale.

Tani, palestinezët që qëndruan në luftë, formojnë komunitetin arab izraelit, duke përbërë rreth 20 për qind të popullsisë së Izraelit.

Çfarë luftëra të mëdha janë luftuar që nga atëherë?

Në vitin 1967, Izraeli nisi një sulm parandalues kundër Egjiptit dhe Sirisë, duke nisur Luftën Gjashtë Ditore. Që nga atëherë, Izraeli ka pushtuar Bregun Perëndimor, Jerusalemin Lindor Arab, të cilin e pushtoi nga Jordania, dhe Lartësitë Golan të Sirisë.

Në vitin 1973, Egjipti dhe Siria sulmuan pozicionet izraelite përgjatë Kanalit të Suezit dhe Lartësive të Golanit, duke filluar Luftën e Yom Kipurit. Izraeli i zmbrapsi të dyja ushtritë brenda tre javësh.

Izraeli pushtoi Libanin në vitin 1982 dhe mijëra luftëtarë palestinezë nën drejtimin e Jaser Arafatit u evakuuan përmes detit pas një rrethimi 10-javor. Në vitin 2006, lufta shpërtheu përsëri në Liban kur militantët e Hezbollahut kapën dy ushtarë izraelitë dhe Izraeli u hakmor.

Në vitin 2005 Izraeli u largua nga Gaza, të cilën e kishte pushtuar nga Egjipti në vitin 1967. Por, në Gaza pati shpërthime të mëdha më 2006, 2008, 2012, 2014 dhe 2021. Ato përfshinin sulme ajrore izraelite dhe raketa palestineze, dhe ndonjëherë edhe inkursione ndërkufitare nga të dy palët.

Përveç luftërave, ka pasur dy intifada ose kryengritje palestineze mes viteve 1987-1993 dhe përsëri më 2000-2005. Gjatë të dytës pati valë të sulmeve vetëvrasëse të Hamasit kundër izraelitëve.

Çfarë përpjekje janë bërë për paqe?

Në vitin 1979, Egjipti dhe Izraeli nënshkruan një traktat paqeje, duke i dhënë fund armiqësisë 30-vjeçare. Në vitin 1993, kryeministri izraelit, Yitzhak Rabin, dhe Arafati shtrënguan duart për Marrëveshjen e Oslos për autonominë e kufizuar palestineze. Në vitin 1994, Izraeli nënshkroi një traktat paqeje me Jordaninë.

Në samitin e Camp David, në vitin 2000, ish-presidenti amerikan Bill Clinton, pa që presidenti Bill, ish-kryeministri izraelit, Ehud Barak, dhe Arafati nuk arritën një marrëveshje përfundimtare për paqe.

Në vitin 2002, një plan arab i ofroi Izraelit marrëdhënie normale me të gjitha vendet arabe në këmbim të një tërheqjeje të plotë nga tokat që i mori në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967, krijimit të një shteti palestinez dhe një “zgjidhjeje të drejtë” për refugjatët palestinezë.

Përpjekjet për paqe kanë ngecur që nga viti 2014, kur bisedimet dështuan mes izraelitëve dhe palestinezëve në Uashington të SHBA-së.

Palestinezët më vonë bojkotuan marrëdhëniet me administratën e ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, pasi ajo përmbysi politikën disadekadëshe të SHBA-së duke refuzuar ta miratojë zgjidhjen me dy shtete – formula e paqes që parashikon krijimin e një shteti palestinez në territorin që Izraeli e pushtoi më 1967.

Ku mbeten tani përpjekjet për paqe?

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, është fokusuar në përpjekjet për ta siguruar një “marrëveshje të madhe” në Lindjen e Mesme, që përfshin normalizimin e marrëdhënieve midis Izraelit dhe Arabisë Saudite, kujdestarit të dy vendeve më të shenjta në Islam.

Lufta e fundit është diplomatikisht e vështirë për Riadin zyrtar, si dhe për shtetet e tjera arabe, përfshirë disa shtete arabe të Gjirit pranë Arabisë Saudite, që kanë nënshkruar marrëveshje paqeje me Izraelin.

Cilat janë problemet kryesore mes izraelitëve dhe palestinezëve?

Zgjidhja me dy shtete, vendbanimet izraelite, statusi i Jerusalemit dhe refugjatët janë në thelb të konfliktit.

Zgjidhja me dy shtete – një marrëveshje që do ta krijonte një shtet për palestinezët në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, përkrah Izraelit.

Hamasi kundërshton zgjidhjen me dy shtete dhe zotohet se do ta shkatërrojë Izraelin. Izraeli ka thënë se një shtet palestinez duhet të çmilitarizohet në mënyrë që të mos jetë kërcënim për Izraelin.

Vendbanimet – Shumica e vendeve i konsiderojnë si të paligjshme vendbanimet hebraike të ndërtuara në tokën e pushtuar nga Izraeli më 1967. Izraeli e kundërshton këtë dhe citon lidhjet historike dhe biblike me tokën. Zgjerimi i vazhdueshëm i tyre është ndër çështjet më kontestuese midis Izraelit, palestinezëve dhe komunitetit ndërkombëtar.

Jerusalemi – Palestinezët duan që Jerusalemi Lindor, që përfshin vende të shenjta për myslimanët, hebrenjtë dhe të krishterët, të jetë kryeqyteti i shtetit të tyre. Izraeli thotë se Jerusalemi duhet të mbetet kryeqyteti i tij “i pandashëm dhe i përjetshëm”. Pretendimi i Izraelit për pjesën lindore të Jerusalemit nuk njihet ndërkombëtarisht. Trump e njohu Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit – pa specifikuar shtrirjen e juridiksionit të tij në qytetin e kontestueshëm– dhe e zhvendosi ambasadën e SHBA-së atje në vitin 2018.

Refugjatët – Sot rreth 5.6 milionë refugjatë palestinezë – kryesisht pasardhës të atyre që ikën në vitin 1948 – jetojnë në Jordani, Liban, Siri, Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli dhe Gaza. Rreth gjysma e refugjatëve të regjistruar mbeten pa shtetësi, sipas Ministrisë së Jashtme palestineze, dhe shumë prej tyre jetojnë në kampe të mbushura me njerëz.

Palestinezët kanë kërkuar prej kohësh që refugjatët të lejohen të kthehen, së bashku me miliona pasardhësit e tyre. Izraeli thotë se çdo zhvendosje e refugjatëve palestinezë duhet të ndodhë jashtë kufijve të tij.

Përgatiti: Doruntina Baftiu

SHKARKO APP