Deklaratë e fortë e drejtuesit të Protestës, Arben Kola: Mes nesh ka grupe të infiltruara greke, serbe,….
Deklaratat e bëra nga drejtuesi kryesor, Arben Kola gjatë protestës së ditës së 22-të hapin një debat të rëndësishëm për natyrën dhe drejtimin që mund të marrë një lëvizje qytetare e cila prej javësh po mban të mobilizuar mijëra njerëz në Tiranë.
Më herët në nisje të protestës, Kola tha se grupe të infiltruara po tentojnë të dëmtojnë lëvizjen dhe t’i japin asaj prapavijë fetare ose kombëtare.
Ai paralajmëroi se shumë shpejt këta persona do të bëhen publikë, ndërsa u bëri thirrje organeve të sigurisë që të ndërhyjnë përpara se situata të lihet në dorë të vetë protestuesve.
“Mes nesh ka grupe të infiltruara, që heqin perden dhe bashkohen me ne. Në ditët në vijim do t’i nxjerrim me fytyra dhe emra. I dimë grupet greke që operojnë këtu kundër Shqipërisë, grupet serbe po ashtu i dimë. Dimë edhe linjat fetare nga Turqia që duan t’i japin një narrativë fetare protestës. Nuk do ta zhbëjnë dot. Ky është vullneti i shqiptarëve”, deklaroi Kola.
Sa i përket incidentit me flamurin e Izraelit, Kola u distancua dhe tha se lëvizja qytetare nuk ka asnjë qëllim agresiv ndaj shteteve të tjera apo simboleve të tyre kombëtare.
“Nuk jemi kundër asnjë shteti, nuk jemi për të dhunuar flamujt as të Izraelit, as Serbisë, as Greqisë, as Iranit, etj. Patjetër që distancohemi dhe do mbajmë dhe një deklaratë,” përfundoi ai.
Arben Kola, shtoi se duhet që policia e shtetit duhet ti arrestojë këto persona.
Për herë të parë një nga figurat e spikatura të protestës pranoi publikisht se brenda tubimeve mund të jenë infiltruar grupe që kërkojnë t’i japin protestës një karakter tjetër nga ai që është shpallur fillimisht nga organizatorët. Sipas Kolës, bëhet fjalë për grupe me agjenda fetare apo edhe me ndikime të huaja, të cilat synojnë ta largojnë protestën nga kauza e saj kryesore kundër kryeministrit Rama.
Ky është një paralajmërim që nuk duhet neglizhuar. Historia e protestave në vende të ndryshme ka treguar se lëvizjet qytetare shpesh bëhen objekt i përpjekjeve për t’u manipuluar nga grupe ekstremiste, organizata radikale apo aktorë që kërkojnë të përfitojnë politikisht nga pakënaqësia popullore.
Pikërisht në këtë kontekst duhet parë edhe incidenti i ndodhur pranë ambasadës izraelite, ku u dëmtua flamuri i Izraelit. Ky akt shkaktoi reagime të forta publike dhe ngriti pikëpyetje mbi identitetin dhe motivet e personave që e kryen atë.

Në foto: Momenti kur personi me maskë hypen mbi gardhin e ambasadës së Izrealit dhe shqyen flamurin.
Distancimi i menjëhershëm i organizatorëve nga ky incident ishte i domosdoshëm. Protesta është shpallur si një lëvizje kundër qeverisë shqiptare dhe jo kundër shteteve të tjera. Çdo përpjekje për ta kthyer atë në një arenë konfliktesh etnike, fetare apo gjeopolitike vetëm sa dëmton kauzën e protestuesve dhe largon vëmendjen nga kërkesat e tyre.
Po aq domethënëse ishte edhe deklarata e protestuesit të moshuar, i cili e lidhi incidentin me një përpjekje për të njollosur protestën. Ai kujtoi një element të rëndësishëm të identitetit shqiptar: marrëdhënien historike me hebrenjtë dhe traditën e mbrojtjes së tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pavarësisht gjuhës së ashpër që përdori ndaj autorëve të aktit, mesazhi i tij ishte i qartë: protesta nuk duhet të identifikohet me veprime që bien ndesh me traditën shqiptare të tolerancës dhe respektit.
Tashmë barra e provës mbetet tek organizatorët. Nëse ekzistojnë vërtet grupe të infiltruara, siç pretendohet, atëherë publiku pret fakte konkrete dhe jo vetëm deklarata politike. Po ashtu, organet ligjzbatuese kanë detyrimin të hetojnë çdo incident që mund të cenojë sigurinë publike apo të nxisë urrejtje etnike dhe fetare.
Një protestë qytetare fiton forcë kur ruan qartësinë e objektivave të saj dhe distancohet nga çdo formë ekstremizmi. Në momentin që lejon të dominohet nga simbole, narrativa apo grupe që nuk kanë lidhje me kërkesat e qytetarëve, ajo rrezikon të humbasë mbështetjen publike dhe legjitimitetin moral.
Për këtë arsye, ditët në vijim do të jenë vendimtare jo vetëm për fatin e protestës, por edhe për aftësinë e organizatorëve për të dëshmuar se lëvizja që ata përfaqësojnë mbetet një protestë qytetare dhe jo një terren ku aktorë të ndryshëm kërkojnë të zhvillojnë betejat e tyre.
KOHA JONË SONDAZH

