Belinda Balluku insiston pas zbulimit të naftës në Shpirag: Do rritet pasuria e shqiptarëve për një dekadë
Kryesore E Enjte, 24 Gusht 2023 16:52
Zbulimi i naftës me cilësi të klasit botëror në Shpirag të Beratit ka rritur entuziazmin qeveritar se do të kemi një 10 vjeçar plot me para për vendin.
“Në Shpirag, ku zbulimi i rëndësishëm i kryer 6.1km në thellësi të tokës naftëmbajtëse, mbart bashkë me premtimin e madh të nxjerrjes së një pasurie të konsiderueshme për Shqipërinë dhe shqiptarët, edhe sfidën e testit përfundimtar teknik të vlerësimit të qëndrueshmërisë së presionit të fluksit të gazit e të naftës, deri mbi sipërfaqen e tokës. Në fund të këtij viti do ta mësojmë edhe këtë, ndërkohë që po punojmë paralelisht për projektin e Fondit Sovran që do të administrojë në rast suksesi të testit final një pasuri kaq të madhe kombëtare, duke u nisur nga studimi i vëmendshëm i praktikave botërore të fushës, si fondet sovrane të Norvegjisë, Arabisë Saudite, Azerbajxhanit e me radhë” -shkroi kryeministri.
Pas tij edhe zv/kryeministrja Belinda Balluku tregon me vendosmeri se do hyjmë në dekadën e një pasurie të madhe kombëtare me këtë zbulim epokal nafte. Ja se çfarë shkruan Balluku:”Zbulimi i Shell Upstream Albania, është një gur kilometrik për një vend naftëmbajtës si Shqipëria, por që kurrë më parë nuk ka pasur një mundësi të vërtetë të zbulimit të potencialeve nëntokësore që ka.
Prej këtu nis një rrugë e gjatë ndryshuese për vendin tonë dhe ne jemi të angazhuar të arrijmë përmes bashkëpunimit me kompanitë e ekselencës botërore, rezultatet më të favorshëm, por mbi të gjitha të jemi transparent dhe të komunikojmë me shqiptarët gjithçka, pasi të gjitha këto pasuri i përkasin popullit dhe do të jenë në funksion të tij përmes një Fondi Sovran, duke ndjekur praktikat më të mira ndërkombëtare.
Dekada që kemi përpara do të shënojë një periudhë të re, të begatë për vendin tonë, një periudhë të re për çdo fëmijë, vajza e djem, burra e gra që kanë besuar dhe nuk janë asnjëherë dorëzuar së besuari, se Shqipëria është vendi ku ata duan të jetojnë.”- e mbyll postimin e saj Balluku.