LIBRA/Ben Blushi ikën, Mimoza Hafizi përjashtohet

Ben Blushi, kryetari i Partisë LIBRA, ka njoftuar sot dorëheqjen nga drejtimi i kësaj force politike. Me anë të një deklarate në Facebook, Blushi jep arsyet e largimit të tij nga posti drejtues.

Nga Ben Blushi

Kur ftova shumë njerëz ti bashkoheshin idesë së LIBRA-s kam premtuar se Libra nuk do të ishte kurrë partia ime.

Ka ardhur koha që këtë premtim ta mbaj duke u tërhequr nga drejtimi i Libras, partisë që krijova me shpresën se Shqipëria do fitonte një instrument lirie që nuk e kishte njohur.

Sot më vjen mirë të kujtoj, se si dhe sa shpejt u kthye Libra në një mjet të jashtëzakonshëm njerëzish të zakonshëm.

Ditën e pare isha një, kur e vendosëm ishim 10, kur e themeluam ishim 100, kur e shpallëm 1500, kur e regjistruam si parti 3000, kur votuam së brendshmi 4000, kur shkuam në zgjedhje 8 mijë dhe kur dolëm nga zgjedhjet 20 mijë. E gjitha kjo ndodhi vetëm në shtatë muaj nga Nëntori 2016 deri në Qershor 2017.

Shpejtësia ishte aq e madhe saqë rruga herë pas herë nuk dukej, ç’ka i bëri disa të ndalojnë dhe disa të shkojnë deri në fund të hutuar dhe të lodhur.

Si në çdo aventurë edhe ne paguam çmimin e njohur të së panjohurës.

Megjithë pasionin njerëzor që investoi, Libra nuk arriti dot të bindte shumë shqiptarë të ndaheshin nga dyqani, nga dhuna nga shëmtia, ligësia dhe kotësia e partive të vjetra.

Në një garë të pandershme zgjedhore pasi u masakrua, dhe u grabit në mënyrë të organizuar Libra u rendit partia e pestë në Shqipëri, por padyshim e para, si partia më e varfër, më e drejtë dhe më e denjë.

Libra ishte në opozitë me të gjitha partitë dhe në zgjedhje ishte opozita e vetme e Qeverisë dhe e Opozitës.

Libra është partia e vetme në Shqipëri, që nuk ka bërë asnjë dëm, nuk ka bërë asnjë krim, nuk ka futur asnjeri në punë, nuk ka hequr askënd nga puna dhe nuk i ka marre kujt asnjë cent.

Mijëra shqiptarë që e ngritën dhe e votuan duhet të jenë sot krenarë se krijuan diçka që, nëse nuk u dha dot gjë, të paktën nuk u mori asnjë gjë.

Libra ishte dhe mbeti e lirë nga çdo borxh.

Mua personalisht Libra më ndihmoi ti njihja më mirë shqiptarët dhe pa dyshim dhe veten time.

Nuk kam sot asnjë droje të them se Libra më provoi diçka për të cilën dyshoja. Shqiptarët nuk e duan opozitën. Ata i besojnë më shumë të djeshmes së të nesërmes. E vjetra i qetëson, e reja i shqetëson. Atë që ishte e çmojnë, atë që vjen e nënçmojnë. Unë e kuptoj këtë zakon, pavarësisht se nuk e mirëkuptoj.

Shqiptarët duan të jenë gjithnjë me të fortët dhe jo me të drejtët, duke menduar se ç’ka është e fortë është edhe e drejtë dhe ç’ka është e drejtë është gjithnjë e dobët.

Zgjedhjet e fundit ishin një zhgënjim për mua kur pashë se si shumë qytetë votuan banditët dhe grabitësit duke u krenuar me zgjedhjen e tyre.

Nuk më ka habitur kurrë aftësia e vendit tonë për të prodhuar njerëz të ligj, por nevoja për ti mbrojtur ata me vota më shqetëson.

E keqja që mbrohet nga populli me vota kthehet në mënyrë jetese dhe bëhet edhe më e keqe duke u kthyer në normë.

Prandaj kam vendosur ta heq përkohësisht politikën nga artet e mia. Politika, siç njihet dhe ushtrohet sot në Shqipëri, nuk më jep më shije dhe as motiv dhe unë nuk bëj gjëra të cilat nuk i besoj.

E dua shumë Libra për ta dëmtuar me këtë mungesë besimi, prandaj kam vendosur të tërhiqem nga drejtimi i saj.

Duke falenderuar të gjithë ata miq brenda dhe jashtë Libra që më mbeshtetën, jam i bindur se ka burra dhe gra, të cilët me pasion dhe me besim do të hapin rrugët që deri tani duken të mbyllura.

Faleminderit

Ben Blushi.

https://www.facebook.com/benblushi.al/posts/652686464854999

Edhe Mimoza Hafizi u përjashtua nga LIBRA!

Pak ditë më parë, në datë 13 Janar LIBRA vendosi përjashtimin nga partia të themelueses Mimoza Hafizi. Sipas njoftimit në faqen zyrtare të partisë LIBRA, Komisioni i Etikës ka përjashtuar Hafizin me arsyetimin se ka shkelur statutin.

Vendimi është publikuar në faqen zyrtare të Partisë LIBRA, ku arsyetohet se Hafizi, ka kryer veprime të cilat përbëjnë shkelje të rënda të Statutit duke cënuar seriozisht funksionimin e Organizatës Politike “Lista e Barabartë”.

VENDIMI

Rezulton se znj. Mimoza Hafizi, anëtare e “Bërthamës” ka kryer veprime të cilat përbëjnë shkelje të rënda të Statutit duke cenuar seriozisht funksionimin e Organizatës Politike “Lista e Barabartë”, krijuar me vullnetin e lirë të të gjithë anëtarëve të saj. Kështu, znj. Hafizi, më datë 08.01.2018, në rrugë paralele dhe pa asnjë konsultim me strukturat e tjera të Partisë si dhe në mungesë të kuorumit të nevojshëm (1/3 e Bërthamës) parashikuar në nenin 11/4 të Statutit Libra, ka thirrur mbledhjen e Bërthamës. Kjo për shkak se kërkesa për mbledhje Bërthame rezulton të jetë firmosur dhe nënshkruar nga persona të cilët në këtë datë nuk kanë qënë anëtarë të Bërthamës Libra pasi ishin dorëhequr me vullnetin e tyre te lire e te pa vesuar nga të qenit anëtarë Bërthame.

Për rrjedhojë kërkesa e tyre është e pa mbështetur në vështrim të normave statutore në fuqi (11/4). Për këtë nismë antistatutore znj. Hafizi është paralajmëruar, jo vetëm në rrugë zyrtare, shih publikimin në faqen zyrtare të Libra. al, por edhe nëpërmjet korrespondencës elektronike të saj ( me email), që të pushojë së kryeri veprime të mëtejshme të cilat përbëjnë një shkelje të hapur të Statutit, të ligjit për “Organizimin dhe funksionimin e Partive Politike”, etikës dhe moralit që subjekti Libra ka për qëllim të mbrojë e respektojë.

Ndonëse znj.Hafizi ka bërë thirrje për mbledhje të Bërthamës jashtë parashikimeve statutore të nenit 11/3, si dhe me gjithë paralajmërimet e marra si më sipër, ajo ka vijuar me paligjshmëri të tjera duke mbajtur kështu më datë 12.01.2018, një mbledhje të cilësuar prej saj si mbledhje Bërthame, pa kuorumin e kërkuar nga statuti, pa formalitetin që kërkon mbajtja dhe pasqyrimi i një mbledhje, cka e provon deklarata e saj publike e shpërndarë për mediat dhe firmosur vetëm nga Znj. Hafizi. Këto nisma, në kundërshtim flagrant me dispozitat statutore, kanë krijuar një situatë totalisht konfuzionale për të gjithë anëtarësinë Libra, të cilët vazhdimisht, pas marrjes dijeni të këtyre qëndrimeve të lartpërmendura, kanë shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me këto struktura paralele dhe të paligjshme të krijuara nga znj. Hafizi, nga njëra anë, dhe strukturave të ligjëruara statutore të Libra- s nga ana tjetër.

Sa më sipër, Komisioni i Etikës, pasi ka marrë dhe shqyrtuar të gjithë korrespondencën zyrtare ndërmjet strukturës së Libra-s dhe znj. Hafizi ka konstatuar se, megjithëse kjo e fundit është ftuar në mënyrë periodike, të marrë pjesë në takimet/mbledhjet e mbajtura nga Libra për të shprehur pikpamjet e saja, ka refuzuar pa ndonjë shkak të përligjur. Po ashtu, Komisioni i Etikës konstatoi se, nga e znj. Hafizi në deklaratën e shpërndarë nga posta e saj elektronike, janë përdorur simbole zyrtare të Subjektit Libra me të cilat ajo identifikohet, pa asnjë tagër ligjor apo ndonjë autorizim tjetër të dhënë nga strukturat e legjitimuara të Libra-s. Veprimet e mësipërme, të përdorimit dhe publikimit të simboleve të partisë Libra pa autorizim, të kryera nga znj. Hafizi, parë në harmoni me njëra-tjetrën dhe qëllimin që është dashur të arrihet nëpërmjet tyre, ne, Komisioni i Etikës unanimisht vlerësojmë se janë konsumuar edhe elemente penale. Përfundimisht, Komisioni i Etikës pasi mori në shqyrtim dhe verifikoi dokumentacionin që provon shkeljet e renda statutore dhe penale të kryera nga Znj. Hafizi, pasi diskutoi gjerësisht mbi rëndësinë e tyre në mbështetje të nenit 12 germa (e) të Statutit vendosi uanimisht si më poshtë:

1. Përjashtimin e znj. Mimoza Hafizi jo vetëm nga anëtarësia e strukturës së “Bërthamës” por edhe si anëtarë e Subjektit Politik Libra, për shkelje të rënda dhe të përsëritura Statutore.

SHKARKO APP