Berisha nga takimi me Bardhin dhe aleatët: Protesta, jo arma e vetme e opozitës

Ish-kryeministri Sali Berisha, në takimin e thirrur nga Gazment Bardhi, deklaroi se protestat nuk janë e vetmja armë që duhet të ndjekë në aksionin e saj opozita.

Ai tha se beteja duhet të zhvillohet dhe në Kuvend. Mes të tjerash Berisha u ndal dhe te arrestimi e biznesmenit Pëllumb Gjoka.

“Së pari, dua të falënderoj përzemërsisht zotin Bardhi dhe të gjithë ata të cilët mendoj se në një moment shumë të rëndësishëm të jetës politike, u angazhuan për thirrjen dhe mbajtjen e këtij takimi të shumëpritur nga populli i përçmuar opozitar. T’u falënderoj të gjithë ju që jeni sot këtu dhe shpreh bindjen se, në kushtet në të cilat ndodhet Shqipëria, misioni i opozitës shqiptare është më i vështiri që ai ka pasur në 32 vite, por njëkohësisht ështe edhe më vendimtari. Ne ulemi këtu me mandat deputeti dhe jemi kaq dhe të tjerë që nuk janë këtu, por në fund të fundit, nuk duhet të harrojmë kurrë se mandat tona janë marrë në një terren në të cilin qeveria ka diktuar më të gjitha mënyrat, vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Ka krijuar një reaksion fatal në të cilin krimi shndërrohet në vota dhe vota në krim. Ky reaksion është shndërruar në një faktor pothuajse përcaktues të spastrimit etnik të Shqipërisë sa kurrë ndonjëherë në historinë e saj. Nga ky rreth vicioz nuk ka asnjë mekanizëm tjetër dalje përveç se përgjegjësive të opozitës.

Në rast se e sheh dhe analizon këtë rreth vicioz padiskutim që ka vend për fatalitet, por opozita nuk është ajo që mund të pranojë kurrë të bjerë në fatalitet, por është ajo që ka detyrën, ka misionin ligjor dhe moral të japë zgjidhje, të krijojë shpresën dhe të ngjallë shpresën. Dhe unë mendoj se ky takim i ynë sot është mesazhi më i duhur që ne u dërgojmë mbi 600 mijë qytetarëve që në kushtet më të pabarabarta në 32 vite, qëndruan si idealist dhe votuan opozitën në farsën elektorale të 14 majit. Vetëm protestat e qëndrueshme popullore mund t’i hapë vendin atij. Kjo nuk mund të jetë armë e vetme e opozitës. Opozita në radhë të parë në Kuvend, që drejtohet në mënyrën më staliniste që është drejtuar në 32 vite, por ne duhet të bëjmë gjithçka për një bashkërendim dhe për të shfrytëzuar çdo hapësirë për të nxjerrë në shesh të vërtetën e këtij regjimi.

Zonja dhe zotërinj deputetë, para 1 muaj u arrestua Pëllumb Gjoka, por shumëfishi i tij është Rama, me të gjitha lidhjet dhe dokumentet. Është e zakonshme që të thuhet se këto komisione nuk kanë sjellë gjë. Ai komision shënoi një kthesë në qëndrimin tërësor ndaj vjedhjes më të madhe të realizuar. Rama po i mbron bajlozët kryesorë, por ata janë të zhveshur para shqiptarëve. Ju ftoj ju sipas kohës së lirë që keni, në një paraqitje që ne i bëjmë raportit për farsën elektorale të 14 majit. Është bërë një punë e konsiderueshme, Asgjë nuk ka qe ne nuk dimë, por ne faktojmë dhe dokumentojmë dhe ngrihemi kundër atij koncepti se; ky i vjedh dhe fiton zgjedhjet. Por jo, ai nuk i fiton zgjedhjet, por i vjedh.”, tha Berisha.

SHKARKO APP