BIRN: Prokuroria akuzon Berishën dhe Malltezin për 5.4 milionë euro përfitime të parregullta

Prokuroria e Posaçme bëri të ditur të dielën se ka marrë të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha dhe bashkëshortin e vajzës së tij Jamarbër Malltezi nën dyshimin se kanë përfituar 5.4 milionë euro në formën e pagesës në shkëmbim të veprimeve qeveritare në favor të kompanive Homeplan dhe Magnet, bashkëpronari i së cilës Fatmir Bektashi u mor i pandehur për pastrim parash. Berisha deklaroi veten i pafajshëm dhe akuzoi Ramën se po kërkon të eliminojë opozitën përmes atë që ai aludoi se është “prokurori politike”.

Nga Gjergj Erebara-

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) mori të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha dhe bashkëshortin e vajzës së tij Jamarbër Malltezi nën akuzën e korrupsionit pasiv, duke akuzuar se kanë përfituar 5.4 milionë euro përmes përdorimit të funksionit publik të ish-kryeministrit, para të dhëna nga biznesmeni Fatmir Bektashi, i cili u mor i pandehur për pastrim parash.

Akuza, e cila u bë publike të shtunën përmes arrestimit të Malltezit në aeroportin e Rinasit dhe komunikimit të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” për Berishën, pritet të shkaktojë tërmet politik në Shqipëri.

Berisha, njeriu që ka dominuar skenën politike të vendit për tre dekada, akuzoi prokurorinë se po bën lojë politike, duke aluduar se vendosja e tij nën akuzë lidhet me dëshirën e kryeministrit aktual Edi Rama për të eliminuar opozitën. Ai akuzoi gjithashtu prokurorinë dhe gjykatën se duke vendosur masë sigurie kundër tij pa autorizim nga parlamenti, kanë shkelur Kushtetutën e Shqipërisë.

“Edi Rama mendon se duke angazhuar prokurorinë e tij kundër meje dhe ndaluar familjarët e mi si kundërshtar politik, në momentin kur opozita ka nisur më e vendosur se kurrë betejën pa kthim për rivendosjen e pluralizmit të plotë dhe politik, rikthimin e votës së lirë, dhe shpëtimin e Shqipërisë nga regjimi i narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë, do mund të frenojë, godasë aksionin opozitar,” deklaroi Berisha.

Akuzat

SPAK bëri të ditur në një njoftim për shtyp të dielën se Berisha akuzohet për korrupsion pasiv dhe përfitim, përmes Jamarbër Malltezit, të 5.4 milionë eurove që ky i fundit i ka përfituar si aksioner i kompanisë Homeplan. Sipas prokurorisë, Malltezi ka përfituar aksione dhe dividente nga kjo kompani pa investuar te ajo, gjë që ngre dyshime se aksionet janë dhënë nga Bektashi në shkëmbim të veprimeve shtetërore të ndërmarra nga Berisha në favor të kompanisë, e cila njihet për zhvillimin e një blloku të madh banimi në Tiranë.

“Shtetasi F. B. dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, pasi është pikërisht ai që ka bashkëpunuar me shtetasin J. M. për arritjen e qëllimit, i cili ka qene shfrytëzimi i territoreve sportive për kryerje ndërtimesh. Nëpërmjet shoqërisë “Homeplan” sh.p.k. i ka siguruar shtetasit J. M., dhënien e përfitimeve të paligjshme në shumën totale 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Berisha akuzohet se ka lehtësuar procesin e zhvillimit të zonës në fjalë, të njohur në gjuhën popullore si pallatet Kontakt ose zona e pallateve Libeskind, përmes akteve ligjore dhe nënligjore si dhe përmes ushtrimit të kontrolleve të presionit ndaj institucioneve të ndryshme qeveritare me qëllim përshpejtimin e procedurave. Me pak fjalë, Berisha akuzohet se ka përdorur pushtetin e tij si kryeministër në përfitim të bashkëshortit të vajzës.

“Nga ana e shtetasit S. B., në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, jane kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtëpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi J. M,” thuhet në njoftimin e prokurorisë.

“Nga ana e shtetasit S. B., në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë  kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhërave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit J. M., bashkëshorti i vajzës së tij,” vijon më tej njoftimi.

“Nga ana e shtetasit S. B., në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive në vendosjen në dispozicion të shtetasit J. M., bashkëshorti i vajzës së tij, të strukturave të ndryshme të administrates shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore,” thotë SPAK.

Berisha iu kundërpërgjigj këtyre akuzave me një  numër argumentesh të dhënë në një konferencë për shtyp mbrëmjen e së shtunës. Sipas tij, ai nuk mund të konsiderohet përgjegjës për ndryshimin e destinacionit të një zone që dikur njihej si kompleksi sportiv Partizani për shkak se vendimi për ta nxjerrë atë zonë nga lista e bazave ushtarake (Skuadra e Partizanit ka qenë strukturë e Ministrisë së Mbrojtjes gjatë kohës së komunizmit), nuk është ndërmarrë prej tij. Dhe gjithashtu, sipas Berishës, vendimi për të transformuar këtë truall nga zonë sportive në truall për ndërtim është marrë nga Edi Rama nga pozicioni i tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës në atë kohë.

“Destinacioni i klubit Partizani, nga terren sportiv në truall për ndërtime, është ndryshuar me firmën e Edi Ramës dhe pa propozimin e Sali Berishës,” deklaroi Berisha. Ai gjithashtu hodhi poshtë akuzën se ka realizuar privatizimin e Klubit Partizani në favor të Malltezit duke sugjeruar se procesi i privatizimit kishte nisur nga qeveria e ish-kryeministrit Fatos Nano.

Ai deklaroi gjithashtu se bashkëpronësia e Malltezit në kompanitë zhvilluese të pronës “nuk përbën shkelje” dhe as konflikt interesi pasi Malltezi nuk është pjesë e familjes Berisha në kuptimin e Kodit të Familjes apo ligjit të Konfliktit të Interesit.

“Ajo në gjykatë ka spekuluar në mënyrë të paturpshme me çështjen e ortakërisë së Jamarbër Malltezit me bashkëinvestitorë. Ortakëri e cila në asnjë rast nuk përbën vepër penale dhe nuk ka asnjë lidhje me SPAK-un e partisë,” deklaroi Berisha.

Kompania Homeplan u themelua në vitin 2008 me themelues dhe ortak të vetëm Fatmir Bektashin. Deri në vitin 2018, Bektashi rezultonte  pronar i vetëm në kompani, por në këtë vit, një kontratë e vitit 2014 u regjistrua në Qendrën Kombëtare të Biznesit, në të cilën, Bektashi rezulton se ka shitur 60% të aksioneve. Kontrata e shitjes, e depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, tregon se Malltezi kishte blerë 35% të aksioneve të kompanisë përkundrejt vlerës nominale prej 35 mijë lekësh. Kjo duket se ka shtyrë prokurorinë të konkludojë se përfitimi i miliona eurove dividente nga kjo kompani nga ana e Malltezit përbën përfitim të paligjshëm ndërsa skema e shitjes së aksioneve me vlerë nominale përbën mekanizmin e përdorur për fshehjen e transaksionit për pagesën e përfitimit, pra mekanizmin e pastrimit të produkteve të veprës penale.

Kompania Homeplan ka vijuar shitjet deri në vitin 2020. Bilanci i saj tregon se vetëm përgjatë viteve 2019 dhe 2020 ka realizuar shitje me vlerë 2.75 miliardë lekë, me fitime neto prej 310 milionë lekësh. Ajo ka deklaruar bilanc zero për vitet në vijim ndërsa në tetor të këtij viti, aksionerët kanë vendosur likujdimin e saj. Prokuroria vendosi sekuestro edhe për kompaninë Magnet IMO, e cila është nën pronësinë 100% të Jamarbër Malltezit, por ka zero të ardhura për vitet 2021 dhe 2022. Magnet IMO është pronare 50% e kompanisë KONTAKT SHPK & MAGNET IMO SHPK e cila është themeluar në vitin 2020 dhe është zhvilluese e disa pallateve të tjera në të njëjtën zonë./BIRN/

SHKARKO APP