E keni bërë Bashkinë e Tiranës lesh e li!
Ajo që po ndodh në Bashkinë e Tiranës nuk është më thjesht një problem administrativ. Është kthyer në një absurd institucional që, në fund, e paguajnë vetëm qytetarët. Erion Veliaj, nga qelia, i heq Anuela Ristanit kompetencat e deleguara për drejtimin e Bashkisë, duke e akuzuar për moszbatim urdhrash, mungesë koordinimi dhe shkëputje nga autoriteti i kryetarit të zgjedhur.
Mirëpo qytetarët e Tiranës kanë të drejtë të pyesin: Po Bashkinë kush po e drejton realisht? Kush përgjigjet për pastrimin? Kush përgjigjet për trafikun? Kush përgjigjet për rrugët, trotuaret, gjelbërimin, transportin publik, çerdhet, kopshtet dhe dhjetëra shërbime të tjera për të cilat qytetarët paguajnë taksa? Tirana nuk mund të drejtohet me letra nga burgu, me delegime që jepen e hiqen dhe me konflikte mes drejtuesve. Qytetarët nuk kanë asnjë faj për sherrin brenda Bashkisë dhe as për përplasjet brenda PS-së.
Nëse PS ka probleme të brendshme, le t’i zgjidhë në selinë e saj. Por mos ia faturoni këtë kaos një qyteti të tërë. Ka ndërkohë edhe një çështje shumë më të madhe që lidhet me drejtësinë. Gjykata Kushtetuese ka dhënë dy vendime me rëndësi të drejtpërdrejtë për situatën e Veliajt. Në nëntor 2025 ajo shfuqizoi vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij dhe anuloi edhe pjesën e dekretit presidencial për zgjedhje të reja në Tiranë. Pra, mandati i Veliajt si kryetar i zgjedhur mbeti juridikisht në fuqi.
Më 25 maj 2026, Kushtetuesja ndërhyri edhe për masën e “arrestit në burg”. Ajo shfuqizoi vendimin e Gjykatës së Lartë dhe e ktheu çështjen për rishqyrtim, duke konstatuar ndër të tjera mungesë arsyetimi për proporcionalitetin e paraburgimit në raport me të drejtën e Veliajt për të ushtruar mandatin e fituar me votë. Kushtetuesja nuk tha drejtpërdrejt: “Lirojeni Veliajn”. Por ajo i tha drejtësisë diçka shumë serioze: rishqyrtoni në mënyrë kushtetuese dhe të arsyetuar nëse arresti në burg është masa e domosdoshme dhe proporcionale. Dhe pikërisht këtu lind absurdi. Nëse mandati juridikisht ekziston dhe nëse Gjykata Kushtetuese ka kërkuar rishqyrtim të masës së arrestit, atëherë kjo çështje duhet të marrë një përgjigje të qartë dhe pa zvarritje. Nuk mund të kemi një kryetar bashkie që ligjërisht është kryetar, por fizikisht qëndron në qeli, ndërsa nga qelia firmos urdhra për atë se kush duhet apo nuk duhet të drejtojë Bashkinë. Kjo nuk është mënyrë normale funksionimi e një institucioni që drejton kryeqytetin e Shqipërisë.
SPAK duhet të vazhdojë hetimin dhe akuzën pa asnjë pengesë. Veliaj duhet të shkojë në gjykatë dhe të përballet me çdo akuzë. Askush nuk është mbi ligjin. Por drejtësia duhet të funksionojë deri në fund edhe në anën tjetër: vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të marrin efekt real dhe çështja e masës së sigurimit duhet të marrë përgjigje përfundimtare, jo të mbetet pezull.
Nëse kushtet ligjore lejojnë një masë më të butë, Veliaj mund të paraqitet në Bashki dhe paralelisht të përballet me gjykimin. Pastaj gjykata të vendosë. Nëse është fajtor, le të dënohet. Por deri atëherë nuk mund të paralizohet Tirana. Sepse tani po luhet një ping-pong institucional.
Gjykata te SPAK-u. SPAK-u te gjykata. Veliaj te nënkryetarët. Nënkryetarët te Veliaj. PS-ja te Bashkia. Dhe në fund, topi përfundon gjithmonë te qytetari. Ai pret në trafik. Ai sheh plehrat. Ai kërkon shërbim. Ai paguan taksat. Ai nuk ka asnjë faj se kush është zemëruar në Bashki. Kjo është tallje me qytetarin. Tirana nuk është pronë e Veliajt. Nuk është pronë e Ristanit. Nuk është pronë e PS-së. Nuk është pronë e SPAK-ut.
Tirana është e qytetarëve të saj.
Dhe qytetarët duan një Bashki që punon, jo një Bashki që funksionon me telekomandë nga qelia. Duan shërbime, jo urdhra që rrëzojnë njëri-tjetrin. Duan përgjegjësi, jo kaos. Mjaft me këtë ping-pong.
Drejtësia le të bëjë drejtësi. Politika le të zgjidhë sherret e saj. Por Bashkia duhet të punojë. Nëse e keni ndarë mendjen ta shkatërroni kryeqytetin, vazhdoni! Por kjo është kosto për njerëzit e Tiranës, ndaj edhe SPAK-u mund të jetë me fleksibël; ta lirojë me kusht dhe Erion Veliaj të vazhdojë punën në Bashki, pasi janë afro 1.2 milionë banorë ose gjysma e Shqipërisë që kërkon administrimin e Tiranës.
Lëvizje në Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj shkarkon nga detyra Anuela Ristanin
KOHA JONË SONDAZH

