Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi: Kurti është përgjegjës për progres në normalizim, s’ka avancim drejt BE-së pa Asociacion

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, i cili ka folur pas takimit që sot ka pasur në Prishtinë me kryeministrin Albin Kuti, ka theksuar se ngjarjet e 24 shtatorit tregojnë nevojën emergjente për de-eskalim dhe për normalizim të raporteve.

Lajcak ka thënë se çdo vonesë apo kusht në këtë synim është i papranueshëm, duke shtuar se presin nga Kosova dhe Serbia që të përmbushin obligimet e tyre që dalin nga marrëveshjet. Emisari sllovak ka thënë se ngjarjet e 24 shtatorit nuk hedhin poshtë obligimet e palëve dhe as nuk e ndryshojnë faktin që Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në pjesën e parë të vitit.

“Ngjarjet e 24 shtatorit theksojnë qartë që de-eskalimi normalizimi është i nevojshëm se kurrë. Çdo vonesë apo kusht është i papranueshëm. Presim që Kosova dhe Serbia të miratojnë obligimet e dialogut. Ngjarjet e 24 shtatorit nuk e zhbëjnë këtë dhe as nuk e ndryshojnë faktin që Kosova dhe Serbia kanë bërë marrëveshje më herët gjatë vitit”, ka thënë emisari i BE-së.

Ish-kryediplomati sllovak i rrethuar nga kolegët e tij evropian e amerikan ka thënë se kryeministri Albin Kurti si kryeministër i Kosovës ka përgjegjësinë për të bërë progres në normalizimin e raporteve me Serbinë nëse Kosova dëshiron progres në rrugën drejt BE-së, duke theksuar këtu nevojën për themelimin e Asociacionit pa vonesë.

Pa Asociacion nuk ka progres në rrugën drejt Evropës ka thënë Lajcak.

“Si kryeministër i Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka përgjegjësi për të bërë progres në normalizim të raporteve nëse Kosova dëshiron të bëjë progres drejt BE-së dhe këtu kemi theksuar nevojën për të lëvizur në themelimin e Asociacionit pa vonesë. Pa këtë s’do të ketë progres në rrugën evropiane të Kosovës”, ka shtuar tutje ai.

“Vlerësojmë gatishmërinë e Kurtit për të vazhduar bisedat tona së shpejti”, ka potencuar emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak.

Gjatë kësaj vizite vetë Lajcak ka konfirmuar që kanë sjellë një plan të ri në Kosovë, gjë që është konfirmuar edhe nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës. Të njejtin plan emisarët do t’ia tregojnë edhe presidentit serb, Aleksander Vucic, gjatë qëndrimit të tyre në Beograd./Express/

SHKARKO APP