Erion Veliaj shkon te “Hojëzat” e shkollës “Kiço Blushi”
“Ky është kopshti i 50-të! Kemi hapur edhe 49 çerdhe. Pra, në total, 99 institucione arsimore, si qendra edukimi dhe zhvillimi për fëmijët. Por, kemi edhe 200 shkolla, mes të cilave janë 40 shkolla të reja, të cilat u hapën vitin e kaluar, ndërsa këtë vit shkollor hapim edhe 9 shkolla të tjera të reja. Sot nuk ka më vend as për debat sepse nuk debatojmë kush bëri 99 shkolla, kush bëri 100 të tilla. Sot bilanci është: 99 kopshte e çerdhe me 0; 40 shkolla të reja me 0. Ndaj, duhet të shohim përpara. Nuk mund të matemi me ata që vetëm shajnë e përçajnë, e sot janë non grata”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës tha se Shqipëria e vogël dhe modeste është vend i mundësive të mëdha. Ai shtoi se një prej qendrave më të mëdha si Piramida do të jetë në funksion të fëmijëve dhe të rinjve të Tiranës.
Veliaj tha po ashtu se Tirana është qyteti që ka pasur rritjen më të madhe të turistëve pas Antalias. “Ka qenë e gjitha merita e qytetarëve të Tiranës, atyre që kanë hapur shtëpitë e tyre, madje punojnë edhe me ‘Airbnb’, por edhe i një stafi të përkushtuar të kësaj skuadre që, duke filluar nga hyrja në qytet, e deri tek sheshi “Skënderbej” apo edhe në periferinë më të largët, ku është Zipline apo Teleferiku, apo ku ka një bunker nuklear për të parë, apo edhe në vende të tjera ku më përpara dora e shtetit ishte absente, ka punuar me dashuri, me pasion dhe me cilësi”, e mbylli Veliaj fjalën e tij.