“Europa e Lirë”: Pse Putini po tenton ta fajësojë Kievin dhe Perëndimin për sulmin në Moskë?
-Botuar në radion “Europa e Lirë”-
Në deklarimin e parë pas sulmit në sallën e koncerteve në periferi të Moskës më 22 mars, mbi 18 orë pasi sulmues të armatosur vranë të paktën 140 persona në sulmin më vdekjeprurës në Rusi në 20 vjetët e fundit, presidenti rus, Vladimir Putin, nuk përmendi grupin ekstremist, Shteti Islamik, i cili veçse kishte marrë përgjegjësinë për sulmin.
Ai përmendi Ukrainën duke thënë se Kievi kishte ofruar një “dritare” në kufirin mes dy shteteve që u mundësoi sulmuesve të tentonin të iknin. Ai nuk ofroi asnjë dëshmi për këtë pretendim.
Në deklarimin pasues më 25 mars, Putin tha se “islamistët radikalë” kryen sulmin, për të cilin Shtetet e Bashkuara thanë se Shteti Islamik Korasant, degë e IS-it, kishte përgjegjësinë e plotë. Udhëheqësi rus po ashtu dyfishoi akuzat se Ukraina kishte luajtur një rol në sulm dhe drejtoi gishtin edhe kah SHBA-ja dhe Perëndimi.
Përmes formulimeve të ndryshme që synojnë t’iu thonë qartë rusëve se Ukraina dhe Perëndimi qëndrojnë prapa sulmit, Putin tha se SHBA-ja po “përdor çdo kanal për të tentuar që të bindë satelitët e saj dhe shtetet tjera… se gjoja nuk ka asnjë tregues për përfshirjen e Kievit”. Dhe, ai sugjeroi se sulmi ishte pjesë e asaj që udhëheqësi rus e përshkroi si përpjekje të Ukrainës “për të zbatuar urdhra të patronëve të saj perëndimorë” për të “mbjellë panik” në Rusi përderisa forcat e Moskës po shënojnë përparim në pushtimin e fqinjit të tyre.
Ndërkaq, mediat shtetërore në Rusi me ngulm kanë paraqitur idenë se Ukraina dhe Perëndimi qëndrojnë parapa sulmit, siç kanë bërë edhe zyrtarët e lartë dhe ligjvënësit. Në një këmbim të shkurtër të publikuar në Telegram, një gazetar pyeti sekretarin e Këshillit të Sigurisë, njëherësh aleatin e ngushtë të Putinit, Nikolai Patrushev, “IS-i apo Ukraina?”, dhe Patrushev u përgjigj: “Ukraina, sigurisht”.
Vendosja e fajit jashtë vendit për gjërat që ndodhin në Rusi – nga sulmet terroriste e deri te protestat paqësore opozitare – nuk është diçka e re për Putinin. Ai e ka bërë këtë gjë prej vitit 2004, pas krizës së pengjeve që la të vdekur më shumë se 330 persona në një shkollë në qytetin jugor të Beslanit, duke lënë të kuptohet se Uashingtoni dhe Perëndimi po mbështesnin militantët islamikë në Kaukazin Verior në përpjekje për të dobësuar Rusinë.
Por, situata kësaj radhe ka më shumë peshë: Putin sapo ka fituar një mandat të ri gjashtëvjeçar pas zgjedhjeve të përshkruara me dëshmi për mashtrime në shkallë të gjerë dha vendimi i tij për të nisur një pushtim të plotë të Ukrainës ka çuar në një luftë të gjatë dhe rraskapitëse dhe qindra mijëra rusë janë vrarë. Lufta ende po vazhdon, pavarësisht pritjes fillestare të Putinit se Kievi do të binte shpejtë.
Në këtë tekst iu sjellim disa prej arsyeve se pse Putini po drejton gishtin kah Kievi dhe Perëndimi sa i përket sulmit në sallën e koncerteve Krokus.
Që nga nisja e pushtimit në shkallë të gjerë në shkurt të vitit 2022, Putin ka tentuar që ta shndërrojë Rusinë në një shtet ku lufta është diçka e natyrshme, një fakt i jetës, dhe ka përdorur atë për të shtrënguar kontrollin ndaj shtetit. Zëdhënësi i tij, Dmitry Peskov, së fundi bëri thirrje për “mobilizim të brendshëm”, duke sugjeruar se rusët nuk duhet ta mbështesin luftën vetëm nga jashtë, por të besojnë në të – një sugjerim që ndodh në kohën kur për shumicën e rusëve, mbështetja për luftën është pasive dhe pa entuziazëm personal.
Gjithnjë e më shumë, Putin ka tentuar të bindë qytetarët se shteti po lufton jo një luftë agresioni kundër Ukrainës, por një luftë mbrojtëse, thelbësore për ekzistencën e Rusisë dhe se në këtë luftë, Ukraina është vetëm një mjet në duart e Uashingtonit dhe Perëndimit, të cilët po synojnë që të mbizotërojnë apo shkatërrojnë Rusinë. Ky qëndrim është reflektuar edhe në ligjet e miratuara që synojnë të heshtin rusët që kritikojnë apo që vënë në pikëpyetje luftën në Ukrainë.
Në këtë narrativ ka pak vend për një sulm vdekjeprurës nga ekstremistët islamikë. Sulmin në sallën e koncerteve në Moskë mund të sugjerojë se Putini ka hequr sytë nga kërcënimet që janë më të afërta, apo më reale, dhe është përqendruar në ato që ai i cilëson si kërcënime që vijnë nga Perëndimi.
Në këtë situatë, të sugjerosh se sulmi ishte punë e Perëndimit mund të jetë një përpjekje për të zbutur goditjen, sado simbolike të jetë, për atë që Alexander Vershbow, hulumtues në Këshillin e Atlantikut dhe ish-ambasador amerikan në Moskë, tha se ishte “një dështim serioz i inteligjencës”.
Dështimi për të detektuar një kërcënim të tillë është vështirë i shpjegueshëm duke pasuar parasysh faktin se më herët gjatë marsit, SHBA-ja paralajmëroi Rusinë se sipas informacioneve, ekstremistët kishin plane për një sulm në një të ardhme të afërt. Shto këtu faktin që tri ditë para se të ndodhte sulmi, Putin publikisht i kishte hedhur poshtë këto paralajmërime duke i cilësuar si përpjekje “provokuese” për të “frikësuar dhe destabilizuar shoqërinë tonë”.
Pra, një motiv për të sugjeruar se SHBA-ja mund të ketë pasur një rol në sulm mund të ketë qenë për t’u përshtatur me paralajmërimin amerikan – që u lëshua para zgjedhjeve presidenciale ruse të mbajtura më 15-17 mars – në një narrativ më të gjerë të një lufte në të cilën armiqtë e Rusisë nuk ndalen para asgjëje në mënyrë që të kenë avantazhin.
Ukraina ka mohuar se ka ndonjë rol në sulm dhe zëdhënësja e Këshillit amerikan të Sigurisë Kombëtare, Adrienne Watson, tha më 24 mars se “nuk ka asnjë përfshirje ukrainase” në këtë ngjarje.
Përderisa nuk ka ndonjë dëshmi të dukshme të lidhjes së sulmit me Ukrainën, duket se ka një lidhje me Azinë Qendrore: Autoritetet ruse kanë ndaluar të paktën 11 persona dhe kanë lënë në paraburgim tetë prej tyre, përfshirë katër shtetas të Taxhikistanit të cilët po akuzohen se kryen sulmin.
Për shkak se Rusia varet shumë nga punëtorët migrantë nga Taxhikistani dhe shtetet e tjera të Azisë Qendrore, identiteti i sulmuesve të dyshuar paraqet “një dilemë serioze politike” për Putinin, tha Mark Galeotti, analist për politikat ruse dhe çështjet e sigurisë.
“Nëse ai thotë ‘Po, ky ishte Shteti Islamik, që operon përmes banorëve të Azisë Qendrore dhe punëtorëve migrantë’, më pas, gjëja e parë që ai do të bënte është të përkeqësonte tensionet racore, që janë një çështje problematike në Federatën Ruse shumetnike, me shumë besime fetare e ku 10 për qind e popullatës janë myslimanë. Por, po ashtu atëherë shtrohet pyetja: Çfarë do të bëni për këtë?”.
“Përfundimi i pashmangshëm do të ishte një lloj shtypjeje ndaj banorëve të Azisë Qendrore, e cila, siç e dimë nga përvoja e kaluar do të trajtohej në një mënyrë mjaftë të dhunshme dhe të pandjeshme”, tha ai. “Për momentin, Rusia nuk mund të përballojë që të tjetërsojë dhe dëbojë këta punëtorë nga Azia Qendrore, ka nevojë për ta… Midis ndikimit të luftës dhe nevojës që fabrikat e sektorit të mbrojtjes të funksionojnë plotësisht, në fakt ka mungesë të fuqisë punëtore”.
Sulmi në Moskë ka përkeqësuar tensionet etnike dhe shfaqja në publik e pamjeve grafike që tregojnë oficerët rusë duke abuzuar me të arrestuarit mund të jetë projektuar që të shuajë çdo etje për hakmarrje. Por, Putini mund të shpresojë të shmangë hapa më të gjerë si vendosja e kufizimeve më të rënda për hyrjen në Rusi të qytetarëve nga Taxhikistani dhe nga fqinjët e saj, tha Galeotti, sepse kjo do të “dëmtonte ekonominë ruse dhe do të dëmtonte pozitën e Rusisë karshi aleatëve të saj të rëndësishëm në Azinë Qendrore”.
Përgatiti: Mimoza Sadiku