Katastrofa në Libi: Vetëm në Darna 20 mijë të mbytur

Pas përmbytjeve të tmerrshme vazhdon gjendja e jashtëzakonshme në Libi. Sipas ekspertëve shteti afrikano-verior ka nevojë urgjente për ndihma humanitare.

Numri i viktimave të katastrofës së përmbytjes pritet të rritet ndjeshëm në Libi. Vetëm në qytetin Darna priten të jenë disa dhjetëra mijëra të vdekur. “Ne presim një numër të lartë viktimash. Po të shohim shkatërrimet në lagjet e Darnas mund të jenë 18.000 deri në  20.000 viktima”, është shprehur kryetari i bashkisë së Darnas, Abdel-Moneim al-Gheity për televizionin Al-Arabija. Deri tani sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme në lindje të vendit në Darna kanë humbur jetën më shumë se 5200 vetë.

Stuhia “Daniel” goditi të dielën Libinë. Në afërsi të Darnas u shembën dy diga, lagje të tëra të qytetit me 100.000 banorë u morën me vete nga ujërat. Rrugë të tëra janë zhytur në baltë. Trupat e shpëtimit vazhdojnë të kërkojnë për të mbijeuar, por shpresa për të gjetur të mbijetuar është e pakët. Në mediat sociale shihen kolona automjetesh që transportojnë të vdekur, në pamje të tjera shihen kufoma në det. Shumë nga viktimat e përmbytjes duhet të varrosen në varreza masive.

Edhe në pjesë të tjera të Libisë sundon gjendje e jashtëzakonshme. Nevoja për ndihma humanitare është emergjente. Vetëm në Darna rreth 30.000 vetë kanë humbur shtëpitë, sipas Organizatës për Migracionin, IOM. 10.000 të tjerë konsiderohen të humbur. Organizata Gjermane e Ndihmës Teknike ka organizuar ndërkohë ndihmat e para humanitare që pritet të mbërrijnë të enjten në vend. Sipas organizatës bëhet fjalë për 100 çadra me ndriçim, 1000 krevatë portativë, 1000 jorganë dhe shumë gjeneratorë të rrymës elektrike. Edhe organizata “Mjekët pa kufij” ka bërë të ditur dërgimin e një ekipi mjekësh në qytetin e goditur rëndë nga katastrofa, Darna. Një mjek libian tha për BBC, se “kemi nevojë thjesht për njerëz që e kuptojnë situatën, për ndihmë logjistike, qen që nuhasin njerëzit dhe i nxjerrin nga rrënojat. Kemi nevojë për ndihma humanitare, njerëz që vërtet e dinë, se ç’duhet bërë.”

Libia prej vitesh vuan pasojat e luftës civile, që pas rrëzimit të pushtetmbajtësit Muamar al- Gadafi në vitin 2011, vendi është i ndarë në dy qeveri rivalizuese. Një qeveri e njohur ndërkombëtarisht me qendër në Tripoli. Qeveria tjetër e ka qendrën në lindje të vendit, ku ndodhën përmbytjet. Sipas ekspertes së Institutit Gjerman për Studime Globale në Hamburg, “German Institute for Global and Area Studies” (GIGA), Asma Khalifakjo përçarja politike është problem strukturor për vendin. “Kjo luftë ka dobësuar institucionet e të dyja palëve dhe ka favorizuar korrupsionin masiv dhe keqpërdorimin e parave publike. Kjo ka çuar në dëmtim masiv të infrastrukturës në vend, të rrugëve apo digave të dëmtuara”, u shpreh Khailfa për portalin gjerman “tagesschau”/DW/

SHKARKO APP