Kryeministri grek nuk kishte hallin e Ballkanit Perëndimor, por te Ukrainës. Përdori Samitin për synimet e tij
Samiti i Athinës duhej të trajtonte në fakt progresin në procesin e anëtarësimit në BE. Megjithatë personi kryesor në takimin e Athinës për zgjerimin e BE në Ballkanin Perëndimor ishte presidenti ukrainas Volodimir Zelenski.
Fillimisht kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis deshi t’i jepte një shtysë të re procesit të zgjerimit të BE. Ai ftoi të hënën (20.08.2023) për një darkë në Athinë krerët e qeverive të vendeve të Ballkanit për të shënuar 20 vjetorin e të ashtuquajturit “Premtimi i Selanikut”.
Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova janë prej 20 vitesh në dhomën e pritjes së BE. Në qershor 2003, BE konfirmoi, se e mbështet pa rezerva orientimin evropian të shteteve të Ballkanit Perëndimor.”E ardhmja e shteteve të Ballkanit është në Bashkimin Europian”, u tha atëherë në deklaratën përfundimtare të samitit europian pranë qytetit grek të Selanikut, nga i cili deklarata mori edhe emrin. Në gusht 2023 gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor presin ende në korridor dhe vende si Greqia përpiqen të hapin për ta derën e BE, por me sukses shumë të limituar.
Darka në Athinë duhej t`i jepte një shtysë dhe një lëvizje të re situatës së ngrirë. Por protagonisti i takimit në kryeqytetin grek nuk ishte asnjë shef ballkanik – por Volodimir Zelenski.
“Deklarata e Athinës” për Ukrainën
Pas darkës liderët e vendeve të Ballkanit theksuan mbështetjen e tyre të palëkundur “për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht, bazuar në vlerat e demokracisë dhe shtetit të së drejtës kundër agresionit rus”. Përveç vendeve aspirante të BE, të pranishëm ishin edhe vendet anëtare të BE në Ballkan. Vetëm kryeministri i Shqipërisë Edi Rama nuk ishte i ftuar për shkak të tensioneve aktuale mes Greqisë dhe Shqipërisë.
Krerët e qeverive të Serbisë, Republikës së Moldavisë, Malit të Zi, Greqisë, Rumanisë, Kosovës, Bosnje dhe Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë, Kroacisë dhe Ukrainës nënshkruan të ashtuquajturën “Deklarata e Athinës”, sipas së cilës “krimet e luftës dhe krimet e tjera nuk duhet të mbeten pa u ndëshkuar”. Të gjithë ata që janë përgjegjës për krime si sulme ndaj civilëve, por edhe për shkatërrimin e infrastrukturës, duhet të japin llogari, kërkojnë nënshkruesit në deklaratë.
“Deklarata e Athinës” përmbante edhe disa rreshta për arsyen e hershme të takimit: se është urgjentisht e nevojshme të përshpejtohet rruga e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE. Megjithatë për një “zhvillim të ri në këtë çështje” nuk kishte asnjë shenjë.