Kryeministri i Kosovës thotë se strukturat kriminale serbe synojnë destabilizimin e vendit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, paralajmëroi të enjten mbi rreziqet nga përsëritja e sulmeve të dhunshme nga siç tha “strukturat kriminale të Serbisë në Kosovë”, ngjashëm me sulmin e 24 shtatorit në veri të vendit.
“Institucionet tona të sigurisë dhe të inteligjencës së fundmi kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimeve të sulmeve të dhunshme nga grupe të strukturave kriminale të Serbisë në Kosovë”, tha kryeministri Kurti gjatë një mbledhje të qeverisë së tij, duke theksuar se qëllimi i tyre kryesor i tyre është fajësimi i policisë së Kosovës dhe paraqitja e saj si forcë shtypëse mbi serbët e Kosovës.
“Për të arritur këtë, nuk kanë vënë çmim tavan. Nuk do të zgjedhin mjet”, tha ai.
Me 24 shtator një grup serbësh të armatosur sulmoi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë në veri të vendit, ku mbeti i vrarë oficeri i policisë Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që vazhduan përgjatë asaj dite tre nga sulmuesit mbetën të vrarë në një ngjarje që ka ngritur shqetësime të shumta për qëndrueshmërinë në rajon.
Kosova akuzon Serbinë për organizimin e sulmit, por Beogradi zyrtar ka mohuar çfarëdo lidhje me grupin e armatosur.
“Dokumentimi para syve të botës i përfshirjes së të paktën katër shtresave të shtetit serb, përkatësisht, Presidencës, Shërbimit të inteligjencës, Ministrisë së Mbrojtjes dhe ushtrisë serbe, në frymëzimin, përgatitjen, furnizimin dhe pjesëmarrjen në sulmin terrorist në fshatin Banjskë, janë motiv shtesë për skenarë tjerë destabilizues”, tha kryeministri Kurti.
Përgjegjësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiç, nënkryetari i deritashëm i Listës serbe, subjektit më të madh politik të serbëve në Kosovë që është themeluar dhe mbështetet nga Beogradi.
Ai u arrestua në Serbi pak ditë pasi mori përgjegjësinë por u lirua shumë shpejt nga autoritetet serbe.
“Lirimi i Milan Radoiçiçit, më pak se 24 orë pas arrestimit, është dëshmi dhe sinjal i potencialit për rigrupim dhe hakmarrje, sepse me 24 shtator, Beogradi zyrtar e militar dështoi”, tha kryeministri Kurti.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha të mërkurën se prokuroria po vazhdon hetimet mbi krimet që i ka pranuar vet Milan Radoiçiç, në përfundim të të cilave paralajmëroi se do të ngrihet aktakuzë kundër tij.
Tensionet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës arritën një shkallë të pashembullt që nga pavarësia e Kosovës pas ngjarjeve të 24 shtatorit. Kosova ka kërkuar në vazhdimësi sanksionimin ndërkombëtar të Serbisë për sulmin që është cilësuar si terrorist nga autoritetet vendëse dhe Bashkimi Evropian, ndërsa ka shfaqur shqetësimin se mungesa e ndëshkimit do të inkurajonte përsëritjen e akteve të ngjashme.
Bashkimi Evropian tha në fillim të javës se pret bashkëpunim të pa kusht të Serbisë në hetimin e sulmit të 24 shtatorit ndaj policisë së Kosovës në veri të vendit dhe se pas ndriçimit të plotë të rrethanave blloku do të vendosë për hapat e ardhshëm./VOA/