Kur do të votohet ligji i “plehrave”?
Nga Astrit PATOZI.
Nuk të duhet fare të njohësh apo lexosh praktikat më të përparuara bashkëkohore në botë për riciklimin e mbetjeve që të refuzosh sot Edi Ramën. Nuk ka madje as nevojë ta kesh dëgjuar se c’ka thënë ai në 2011-ën, por sidomos pas dy vjetësh, kur u ngjit në kolltukun e lartë të kryeministrit, që të ndjesh se si të shpon hundët duhma e një politike, e cila duhet flakur në koshin e plehrave të kohës.
Nuk të duhet fare ta njohësh historinë e largët dhe të re të industrisë së përpunimit të mbetjeve në Shqipëri dhe as të kesh qenë patjetër aktivist i vëmendshëm i shoqërisë civile në temat e mbrojtjes së mjedisit, për të kuptuar se sa poshtë ka rënë kjo qeveri.
Mjafton të ndjekësh fushatën dëshpëruese të Edi Ramës në ditët që pasuan miratimin e ligjit aq shumë të debatuar në parlament dhe e ke të lehtë për të kuptuar se kjo qeveri po përpiqet me duar e me këmbë të fshehë një krim.
Është rasti i parë në Shqipëri, por ndoshta edhe në botë, që një kryeministër humbet më shumë kohë dhe energji, jo përpara, por pasi e ka marrë një vendim. Aq sa po të kesh qenë këto pesë ditë jashtë shtetit dhe të mos i kesh ndjekur zhvillimet në vend, duke parë fushatën e cuditshme të Edi Ramës, mund të mendosh me të drejtë se ligji ende nuk ka kaluar në parlament. Aq të shpeshta janë daljet e tij dhe aq i madh përqëndrimi.
Dhe pyetja është se cfarë e zgjoi kryeministrin nga arroganca e zakonshme, saqë po i lë të gjitha punët e po merret me sqarimin nga e para të ligjit për plehrat, ndonëse ai tanimë i përket të shkuarës? Si mund të kthehet mbrapsht nga rruga e vet një strateg i madh, që shikon vetëm nga e ardhmja, me devizën “qentë le të lehin, karvani shkon përpara”?
A thua se i ka mbetur ndonjë merak i vogël se mos është keqkuptuar apo se nuk ka pasur kohë sa duhet për t’u shpjeguar publikisht. Ai vetë, por ndoshta edhe Eduard Shalësi, i cili të kujton “dashurinë në kohërat e kolerës”, pasi po pretendon të marrë një dekoratë, kur mbi qeverinë po qëllohet pa mëshirë dhe nga të gjitha anët me domate, vezë dhe me mbeturina të tjera.
Përgjigja është e thjeshtë, tek Edi Rama është rizgjuar makthi i reagimit qytetar për armët kimike dhe orteku që mund të shkaktojë tek një popull i rezoltuar, hapja e një vrime të vogël në digën e zemërimit. Dhe për këtë nuk ka pritur domosdoshmërisht që ta shohë emrin e vet të shkruar me gërma të mëdha në disa kazanë plehrash, por e ka ndjerë shumë më thellë se aq, në të gjithë qenien e vet politike.
Ndaj edhe këto ditë po bëhemi dëshmitarë të një fushate unikale në Shqipëri dhe më gjerë, kur qeveria dhe kryeministri po përpiqen ta bindin popullin, jo përpara, por pasi e kanë marrë një vendim sensitiv kundër tij.
Është njësoj si të vijosh premtimet elektorale, pasi kanë mbaruar zgjedhjet. Është e sigurt që të zënë me gurë dhe me domate, po ta bësh. Kam frikë se kështu do të ndodhë edhe me Edi Ramën.