Mediat kosovare sulmojnë Kastriot Myftaraj : Kontravers, përçmues !
Kastriot Myftaraj, analisti kontravers nga Shqipëria ka sulmuar mjaftë keq Majlinda Kelmendin përmes një statusi në Facebook, ku thotë se ai nuk është krenar për Majlindën dhe se askush nuk duhet të jetë-shkruan gazeta më e lexuar kosovare Express. Media të tjera kosovare e quajnë të çmendur analistin Myftaraj.
“Kohë më parë u bë i famshëm për deklaratat e tij ndaj Ballistë Morinës, që ngjallën shumë diskutime dhe urrejtje ndaj tij, por Kastriot Myftaraj nuk ndalet me kaq. Ai madje nuk ndihet krenar për suksesin në Olimpiad të Majlinda Kelmendit, por e përçmon atë”-“- shkruan Bota Sot.
Lexoni statusin e plotë të Kastriot Myftaraj:
Pse nuk jam krenar për Majlinda Kelmendin, madje e përçmoj atë.
Jo për faktin se braktisi përfaqësimin e Shqipërisë, vendin e origjinës së të parëve të saj, për të përfaqësuar Kosovën. Kjo ishte zgjedhje e saj.
Unë nuk jam krenar për arritjen e saj, për një arsye tjetër.
Majlinda Kelmendi e fitoi medaljen e artë në emër të flamurit me gjashtë yje të Kosovës, që përfaqësojnë secili një prej etnive të Kosovës.
Nëse dje medaljen e artë olimpike do ta kishte fituar cilido prej përfaqësuesve të etnive të tjera të Kosovës, ai do të kishte ekspozuar edhe flamurin kombëtar përkatës përveç flamurit shtetëror të Kosovës.
Jo si flamur të një shteti tjetër, Shqipërisë, por si flamur të etnisë së cilës i përket sportisti në Kosovë.
Sepse përdorimi i simboleve kombëtare të etnive përkatëse është një e drejtë kushtetuese në Kosovë.
Me sa duket paska një rregull të pashkruar që këtë të drejtë nuk duhet ta ushtrojnë vetëm shqiptarët, nga të gjitha etnitë e Kosovës.
Majlinda Kelmendi nuk respektoi shqiptarët e Kosovës, jo Shqipërinë.
Majlinda Kelmendi ka detyrim të thotë se kush e urdhëroi që të sillej kështu para nisjes, nga qeveritarët kosovarë.
Për medaljen e artë të Majlinda Kelmendit janë gëzuar shumë ata që mbrojnë idenë e krijimit të kombit Kosovar.
Për medaljen e artë të Majlinda Kelmendit janë gëzuar shumë ata që bëjnë dallimin mes Shqipërisë shtetërore dhe hapësirës shqipfolëse përtej kufijve ku bën pjesë edhe Kosova.
“Shqipfolës” domethënë joshqiptar që flet shqip.
Pse je duke nxitur përçarje ndërshqiptare më thonë disa?
Përçarjen me “p” të madhe e nxiti Majlinda Kelmendi, me urdhër të atyre që i di ajo.
Këtë e kupton çdo njeri që lexon Kushtetutën e Kosovës.
Rasti i Majlinda Kelmendit tregon se Kushtetuta e Kosovës vlen për të gjitha etnitë, përveç shqiptarëve.
Të jesh krenar për Majlinda Kelmendin si shqiptar? Një rom i Kosovës në vend të saj do të kishte ekspozuar me krenari edhe flamurin me rrotë të romëve. Majlinda Kelmendi nuk tregoi as dinjitetin e bashkështetasve të saj romë./Kastriot Myftaraj
/GazetaExpress/
Futbollisti i Bundesliga I: Nëse do të isha në Kosovë, i pari do të merrja makinën për Majlindën
Futbollisti i kombëtares së Shqipërisë, Mërgim Mavraj, anëtar i Koln në Bundesliga I, nuk përmbahet dot nga gëzimi, duke uruar kampionen olimpik, xhudisten Majlinda Kelmendi. “Lum Lum Shqiptaria ????????. Nëse do isha në Kosovë, do isha i pari që do merrja makinën, flamurin, burinë dhe me vrap në Aeroport për të pritur kampionen Majlinda Këlmendi. Ti je arsyeja që kombi shqiptar sot duhet të festojë…Ti je arsyeja që sot duhet të mbushen sheshet me njerëz duket gëzuar këtë arritje… Ti je ajo që more vëmendjen e vërtetë të botës…”, shkruan Mavraj në facebookun e tij.
Kroatët çmendin serbët, ja si tallen me ta për Majlindën
Kroatët iu janë gëzuar shumë triumfit të Majlinda Kelmendit në “Rio 2016”.
Kështu lë të kuptohet shkrimi i mediumit “Indekshr”, që ka ngacmuar serbët duke theksuar që Kosova me një pjesëmarrje në Lojërat Olimpike u barazua me Serbinë, që ka disa pjesëmarrje.
E kjo i ka hidhëruar mediat serbe, që thonë kështu: Fqinjëve nuk iu desh edhe shumë kohë që të ngrihen e të komentojnë për medaljen e artë të fituar nga Majlinda Kelmendi nga shteti i vetëshpallur i Kosovës.
“Ajo që serbëve do t’u pengojë në veçanti është se, Kosova, të cilën ata e quajnë “të vetëshpallur” e “shtet i vetëquajtur”, qysh në Lojërat e para Olimpike që merr pjesë, me fitoren e Majlinda Kelmendit, është barazuar me medalje të arta olimpike me Serbinë, shtet me histori e traditë të madhe sportive”, është një pjesë e tekstit të shkruar nga Indeks.hr e që është shkëputur nga Telegraf.rs, përmes së cilit e kritikon mediumin kroat se nuk e ka përmendur se kur Serbia ka garuar e vetme e kur me republikat tjera ish-jugosllave.