Ministri i brendshëm Taulant Balla godet me brryl ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi

Sot ndodhi diçka e padëgjuar me parë, policia kontrollon territorin e ushtrisë në një bazë shumë të ruajtur me trupa ushtarake. Atje gjen marijuan dhe e denoncon publikisht, duke bërë edhe arrestime. Ndërkohë “Zëri i Amerikës” e bën lajm kryesor.

Në Shqipëri, përpjekjet për kultivimin e marijuanës kanë përfshirë dhe territoret e ushtrisë. Policia njoftoi sot sekuestrimin e 125 bimëve kanabis në një repart ushtarak në Zall Herr të Tiranës.

Në flagrancë, u arrestuan, për shpërdorim të detyrës, Shefi i seksionit të sigursisë dhe dy specialistë, ndërsa janë proceduar penalisht dhe katër të tjerë, mes të cilëve dhe komandanti i repartit.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi reagoi për ngjarjen duke e dënuar atë, ndërsa saktësoi se zbulimi i bimëve të kanabisit ishte bërë i mundur falë bashkëpunimit dhe të policisë ushtarake. Ai njoftoi pezullimin nga detyra të të gjithë personave përgjegjës.

Policia ka ndërmarrë prej kohësh një aksion të shtrirë në të gjithë vendin kundër kultivimit të bimëve narkotike. Vetëm gjatë kësaj jave, sipas të dhënave të saj, afro 6 mijë forca u angazhuan në aksione antikanabis, duke asgjesuar rreth 17 mijë bimë kanabis. Në total janë 12 persona të arrestuar dhe 10 të tjerë të proceduar penalisht. Vetëm në zonat malore në veri të Shqipërisë, si rezultat i operacionit “Alpet e pastra”, janë asgjësuar deri më tani, mbi 46 mijë fidanë dhe bimë narkotike.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla u shpreh sot përmes një postimi në Facebook se “lufta kundër kultivimit, trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike do të jetë sistematike. Kultivimi i paligjshëm i kanabisit ka qenë një burim financash për organizatat kriminale. Ky burim duhet shuar përfundimisht. Goditje të tjera më të forta po vijnë”, nënvizoi ai.

Me sa duket kjo goditje e ministrisë së brendshme, e cila duhet përgëzuar për aksionin e saj ndaj kujtdo, ka goditur reputacionin e ministrisë së mbrojtjes. Dhe Niko Peleshi është ministër.

 

SHKARKO APP