Në Çepan, fshatin e çative prej guri, ku Ilir Meta fiton lirinë për t’i dhënë lamtumirën e fundit të atit
Nga Albert Vataj-
E lamë Tiranën dje pas, teksa ajo ende po flinte nën dritën e flashkët të mëngjesit, për t’u nisur drejt Çepanit të Skraparit. Atje, mes malesh, do t’i jepej lamtumira e fundit Rexhep Metës, babait të Ilirit Metës. Për të shkuar atje në fshatin e largët, ku një amanet përmbushet dhe një lamtumirë lë pikëllim dhe lot që kridhen mbi një mal me kurora dhe lule të bardha për njeriun zemërbardhë.
Ilir Meta, ish-Kryeministër, ish-President dhe kreu i Partisë së Lirisë, sot po përballet me drejtësinë në një proces sfidues, çka e ktheu këtë rrugëtim mortor edhe në një ngjarje me peshë të veçantë publike.
Pas katër orë udhëtimi dhe rreth 170 kilometrash rrugë të gjarpëruar mes malesh dhe një peizazhi mahnitës, të qëndisur nga dora e panënshtrueshme e lodhjes dhe begatuar nga magjepsja çdo pllajë e kodër, duke e shndërruar sa rrok syri në kartolinë, mbërritëm në Çepan, në fshatin piktoresk të çative të gurta dhe qershive të sapopjekura. Përgjatë rrugicave dhe pak shkallëve që të çojnë drejt shtëpisë ku u lind Ilir Meta, e ku sot jeton xhaxhai i tij, na pritën të afërm dhe miq të shumtë. Kjo është një familje që ka ruajtur gjithmonë lidhje të forta historike dhe shpirtërore me truallin e të parëve, e njohur tradicionalisht në mbarë zonën për vlerat e punës, mikpritjen dhe një jetesë të ndershme.
Pasi u përkulëm me nderim dhe respekt përpara arkmortit me trupin pa jetë të 83-vjeçarit, u pritëm nga familjarët. Sipas zakonit të këtyre anëve, u ndezën cigaret, u pi kafeja dhe rakia e përmotshme, për të kujtuar e nderuar të ndjerin që u nda nga jeta më 1 qershor 2026. Pas nesh, vargani i njerëzve nuk rreshtte. Të tjerë e të tjerë vinin pa ndërprerje në këtë lamtumirë.
Personalitete të politikës, emra të njohur të artit e sportit, por edhe qytetarë të thjeshtë e miq të vjetër, mbushën shtëpinë dhe oborrin e madh. Çepani ishte vendi ku i ndjeri, Rexhep Meta, kishte lënë amanet të merrte bekimet e fundit, atje ku nisi jetën, mes malesh të lartë e dinjitozë, atje dëshironte edhe të prehej.
Kishte pritur të birin, siç na thanë të familjes, pra Ilirin qw ta takonte para se ndahej nga jeta, por Ilirit nuk i kishin leje nga burgu i Tiranës. E ashtu me sytë nga rruga ai kishte ikur nga jetë, duke pritur të birin.
Ilir Meta, lë qelinë e paraburgimit të 313-tës, lamtumira nën masat e rrepta të sigurisë
Nuk mund të ndodhte ndryshe, fokusi kryesor i këtij rrethi mortor, e gjithashtu edhe i syrit të vëmendshëm të opinionit publik, ishte ardhja e Ilir Metës për t’i dhënë lamtumirën e fundit të atit. Prania e tij e ktheu këtë ceremoni private në një ngjarje me vëmendje të jashtëzakonshme mediatike. Për herë të parë që nga tetori i vitit 2024, kur u vu në pranga, ish-Kryeministri dhe ish-Presidenti la pas muret e ftohta të qelisë së paraburgimit te “313”.
Rruga e tij drejt fshatit të të parëve nuk ishte një udhëtim i zakonshëm zie, por një lëvizje e monitoruar rreptësisht. Me miratimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Metës iu dha një leje e posaçme shoqërimi, një dritare e shkurtër humane e parashikuar nga ligji, vetëm për të përmbushur amanetin e fundit të të atit, që kërkonte të prehej në tokën e tij, në Çepan.
Udhëtimi drejt Skraparit u krye nën masa drakoniane sigurie. I rrethuar nga efektivë të Policisë së Burgjeve dhe nën një mbikëqyrje të rreptë, Meta mbërriti në Çepan rreth mesditës, fiks për ceremoninë e lamtumirës që nisi në orën 12:00.
Atë, drejtoria e burgjeve, duhej ta linte ligjerisht dhe njerëzisht të ishte me parë e jo fiks 35 minuta para se të varrosej i ati.
Përpara bashkëfshatarëve dhe miqve të shumtë që kishin udhëtuar kryesisht nga Tirana dhe jo vetëm, u shfaq një djalë që po varroste të atin, por i zhveshur nga pushteti i dikurshëm dhe i pranishëm aty nën mbikëqyrjen e rreptë të uniformave të shtetit që dikur drejtonte.
Monitorim i rreptë, aqsa edhe të shkonte në këmbë mes njerëzve të tij, nuk e lanë të ecte nga shtëpia deri te varrezat, diku te 150 metra! E futën në furgonin e burgut!
Ato që i mbetën në dispozicion nuk ishin orë të gjata zie e ngushëllimesh, por vetëm pak minuta të numëruara. Koha rrodhi pamëshirshëm shpejt. Ishin çaste të pakta për të bërë nderimet e fundit mbi arkmortin e Rexhep Metës, për të shkëmbyer shtrëngime duarsh të heshtura dhe për t’u shmallur mes pikëllimit me njerëzit e dashur, përpara se të merrte sërish rrugën e kthimit drejt izolimit. Një lamtumirë e shpejtë, e nxehtë dhe e thyer mes detyrës djaloshore dhe lirisë së privuar.
Procedura ligjore përballë obligimeve njerëzore
Shteti dhe institucionet e tij ligjzbatuese, ndoshta edhe kësaj here, zgjodhën të shfaqeshin të zhveshur nga çdo etikë dhe krejtësisht johumanë. Ky qëndrim duket si një vazhdimësi e asaj linje që nisi me spektaklin mediatik të arrestimit të Ilir Metës, vazhdoi me trajtimin e tij në muret e paraburgimit, e deri tek procedurat tejet burokratike për lejimin e një figure me profil të lartë shtetëror, që t’i jepte lamtumirën e fundit të atit. Ligji u tregua dorështrënguar edhe për t’i dhënë mundësinë që të takohej, qoftë edhe në një liri rreptësisht të kufizuar, me ata qindra njerëz që Rexhepi i mblodhi sot në Çepan.
Përtej rregullave të shkruara që parashikon neni dhe detyrimit moral që buron nga humaniteti, shteti u shfaq në rolin e tij më të zymtë, atë të një “xhelati” burokratik. Pati zero tolerancë dhe asnjë lëshim apo refleks respekti ndaj statusit të një ish-Kryeministri dhe ish-Presidenti, të cilit iu numëruan sekondat për të hedhur një grusht dhe mbi varrin e të atit.
Kjo panoramë e ftohtë, ku një burrë shteti shoqërohej nga furgoni i burgut dhe një numër i konsiderueshëm forcash sigurie nëpër rrugicat e vendlindjes, ngjan në njëfarë mënyre me një relativizim të së keqes. Këto hapa tepër të sforcuar të pushtetit për të demonstruar forcën, madje edhe në një ditë morti, nuk dëshmojnë fuqi, por zbulojnë një lloj paniku të brendshëm të vetë shtetit.
Ato tregojnë pasigurinë e një autoriteti që ndjen nevojën të vetëshpallet i fortë me anë të prangave, pikërisht sepse është i paaftë për të qenë human atëherë kur duhet. Ndoshta sot, më shumë se kurrë, dora e ligjit duhej të ulej më butë, më njerëzishëm, mbi dhimbjen e një biri që varros prindin.
Megjithatë, kjo mbetet e vërteta e zhveshur e kësaj dite. Një e vërtetë që u pa përmes syve të përlotur të familjarëve dhe që u përjetua nga dhjetëra të pranishmit e ardhur nga larg në këtë fshat të thellë malor, njerëz që sfiduan distancën për të ofruar praninë, solidaritetin dhe ngushëllimin e tyre në këtë ndarje të dhimbshme.

Rruga që mbeti në rrugë për shkak inatesh politike
Segmenti rrugor prej vetëm pesë kilometrash që lidh Çorovodën me Çepanin është dëshmia e gjallë e një harrese të qëllimshme. Sapo lë pas asfaltin, diku-diku të amortizuar nga moti dhe puna jocilësore, rruga gjarpëron përmes një terreni të thyer malor, duke u shndërruar në një rrugicë fshati ku diku-diku dallohen gjurmë kalldrëmi të vjetër e më tej kthehet në një shtrat dheu e çakull, e mbajtur gjallë vetëm nga mjetet e banorëve që refuzojnë ta braktisin këtë vend.
Paradoksi këtu është i dhimbshëm. Pavarësisht posteve më të larta që Ilir Meta mbajti në shtet dhe të drejtës legjitime për të kërkuar një rrugë dinjitoze për bashkëfshatarët e tij, ky projekt mbeti i pamundur, i bllokuar në rrjetën e inateve dhe llogarive të mbrapshta politike. Edhe pse sipërmarrës të ndryshëm kanë shprehur herë pas herë gatishmërinë për të investuar dhe për t’i dhënë këtij fshati mundësinë e zhvillimit, gjithçka ka mbetur në nivel tentativash. Kjo ka ndodhur për shkak të papajtueshmërive të egra të atyre që, nga lartësia e pushtetit qendror, zgjodhën të hakmerren ndaj një komuniteti të tërë, duke i ndëshkuar banorët e Çepanit vetëm për fajin e vetëm se ky fshat krenohet me birin e tij.
Fakti mbetet trishtues dhe kokëfortë, një rrugë pa rrugëzgjidhje dhe një fshat që i mohohet ajo çfarë i takon me të drejtë, minimumi jetik për të komunikuar me botën dhe për të zhvilluar jetën e përditshme.
Mes këtyre malesh ka jetë, ka histori dhe dinjitet, por nuk ka rrugë. E megjithatë, sot, të gjithë ata që udhëtuan për t’i dhënë lamtumirën e fundit Rexhep Metës, e sfiduan këtë realitet të vështirë. Mes vapës mbytëse dhe pluhurit të bardhë, përmes gropave dhe gurëve që dëshmonin harresën e qëllimshme, vargani i gjatë i makinave dhe njerëzve tregoi se respekti njerëzor dhe solidaritetit janë më të fortë se çdo pengesë e sajuar nga zyrat e politikës.
Heshtja që mbetet mes malesh
Kur dielli ishte në zenit të kreshtave të thyera të Skraparit, vargani i gjatë i makinave dhe njerëzve mori rrugën e kthimit, duke lënë pas pluhurin që ngadalë po nbasej mbi rrugën e harruar të Çepanit. Bashkë me ta, nën shoqërimin e rreptë të uniformave dhe dritave të policisë, u largua edhe Ilir Meta. Koha e tij e numëruar në liri të kufizuar mbaroi aty ku mbaroi edhe grushti i fundit i dheut mbi varrin e të atit. Për të, rruga nuk të çonte drejt shtëpisë, por pas mureve të ftohta të qelisë te “313”, duke e lënë këtë ditë mortor si një ishull të shkurtër njerëzor në mes të një stuhie të egër ligjore.
Mbi fshatin e çative të gurta ra sërish ajo heshtja e thellë, e lashtë, që vetëm malet dinë ta mbajnë. Rexhep Meta mbeti aty, në qetësinë e tokës ku hodhi hapat e parë, duke përmbushur amanetin që e ktheu në zanafillë. Ai iku nga kjo botë duke lënë pas jo vetëm dhimbjen e familjarëve, por edhe një mesazh të heshtur, pushtetet vijnë e ikin, proceset politike dhe inatet njerëzore zhurmojnë e fashiten, por rrënjët dhe vendlindja mbeten të palëkundura.
Çepani, me qershitë e tij të sapopjekura dhe me rrugën e bllokuar nga llogaritë e vogla të kryeqytetit, tregoi sot se dinjiteti nuk matet me kilometra asfalt, por me forcën e njerëzve që nuk e braktisin kujtesën. Kur kamerat u fikën dhe gazetarët u larguan, në fshat mbeti vetëm kujtimi i një burri që udhëtoi një jetë të tërë për t’u prehur pikërisht aty ku nisi, dhe imazhi i një biri që, përballë prangave të shtetit, zgjodhi të jetë thjesht një djalë që përcjell të atin në banesën e fundit.
KOHA JONË SONDAZH

