Nga Lëvizja Çartiste e Anglisë tek protestuesit e Tiranës
Historia politike e botës na mëson se shumë lëvizje që kanë nisur si protesta qytetare kanë përfunduar si parti politike. Ndoshta shembulli më domethënës është ai i Kartistëve në Angli në mesin e shekullit XIX.
Në vitin 1838, mijëra punëtorë britanikë dolën në rrugë për të kërkuar më shumë demokraci, të drejtë vote dhe përfaqësim politik. Ata protestonin kundër një sistemi që sipas tyre nuk i dëgjonte dhe nuk i përfaqësonte. Fillimisht ishin një lëvizje qytetare. Por me kalimin e viteve kuptuan se protestat, peticionet dhe tubimet nuk mjaftonin për të ndryshuar realitetin. Për të ndryshuar politikën duhej hyrë në politikë.
Kjo është arsyeja pse historia e Kartizmit vazhdon të studiohet edhe sot. Jo sepse fitoi menjëherë, por sepse tregoi se protesta dhe politika shpesh ecin bashkë.
Duke parë zhvillimet e ditëve të fundit në Tiranë, është e vështirë të mos bësh një krahasim. Protestat para Kryeministrisë nisën me argumentin e kundërshtimit të projektit në Zvernec dhe me thirrjen për mbrojtjen e interesit publik. Por deklaratat e bëra në fund të protestës së së dielës treguan se lëvizja po hyn në një fazë tjetër.
Kur organizatorët shpallin se më 10 qershor do të mblidhen për të ngritur një grup organizator dhe për të diskutuar organizimin politik, atëherë është e qartë se kemi të bëjmë me diçka më shumë sesa një protestë për Zvernecin.
Natyrisht që kjo nuk është as e ndaluar dhe as e papranueshme. Në demokraci çdo grup qytetar ka të drejtë të organizohet politikisht dhe të kërkojë mbështetjen e qytetarëve. Madje kjo është rruga më e ndershme. Më mirë të kërkosh votën sesa të pretendosh pafundësisht se flet në emër të popullit.
Por po aq e vërtetë është se nga momenti kur një protestë fillon të ndërtojë struktura politike, të organizojë grupe drejtuese dhe të artikulojë objektiva pushteti, ajo nuk mund të konsiderohet më thjesht një lëvizje qytetare.
Ajo hyn në territorin e politikës.
Pikërisht këtu qëndron ngjashmëria me Kartistët e Anglisë. Edhe ata nisën me protesta dhe përfunduan duke kërkuar ndryshimin e sistemit politik. Edhe sot, pas kauzës së Zvernecit, duket se po shfaqet një ambicie më e madhe se sa mbrojtja e një zone apo kundërshtimi i një projekti të caktuar. Zvërneci shërbeu si pretekst.
Në fund të fundit, nuk është Zverneci ai që po diskutohet sot. Debati i vërtetë është nëse pas protestave po lind një alternativë e re politike. Dhe nëse kjo është e vërtetë, atëherë beteja nuk do të zhvillohet më para Kryeministrisë, por përpara qytetarëve shqiptarë, të cilët me votën e tyre do të vendosin nëse kjo lëvizje meriton apo jo të bëhet pjesë e qeverisjes së nesërme.
Ashtu si në kohën e Kartistëve, edhe sot mbetet e njëjta pyetje: a mjafton protesta për të ndryshuar politikën, apo për ta ndryshuar atë duhet të hysh në garën për pushtet?

KOHA JONË SONDAZH

