Nisma “AntiKÇK”, PD: Edi Rama po krijon shtet policor

Partia Demokratike e cilëson nismën e qeverisë “AntiKÇK” si projekt për të vendosur një shtet policor. Në një deklaratë për mediat, selia blu thekson se Shqipëria ka ligje të tjera efikase me të cilat mund të luftohet krimi i organizuar. Ndërsa shton se me aktin normativ të miratuar dje, qeveria kalon procedurën e hetimit në duart e Policisë së Shtetit, gjë që bie në kundërshtim me Kushtetutën.

Selia blu shpreh shqetësimin se me ndryshimet ligjore, qeveria “Rama” ka dubluar rolin e strukturave të reja të ngritura nga reforma në drejtësi.

Akti normativ i qeverisë për krimin e organizuar është antikushtetues, nuk forcon luftën ndaj tij, ul standardin e goditjes ndaj krimit të organizuar dhe dublon kompetencat e SPAK-ut dhe BKH-së. Nëse do të zbatohej, ligji antimafia në fuqi ka mekanizma më të fortë dhe më efikasë për luftën ndaj krimit të organizuar, përmes goditjes së pasurisë së tij, por akti normativ synon të zëvendësojë SPAK-un me Ardi Veliun. Duke i dhënë policisë kompetencat që ia rrëzoi Gjykata Kushtetuese 4 vjet më parë, ligji i ri i Edi Ramës krijon bazën për krjimin e modelit të shtetit policor,  ku do të goditet banda që nuk bashkëpunon për t’i ruajtur dhe për t’i siguruar pushtetin në mënyrë të paligjshme”,- thuhet në deklaratën e PD.

PD thekson se kryeministri Edi Rama nuk mund të luftojë krimin e organizuar, pasi karriera e tij dhe pushteti që ka sot janë produkt i krimit. “Shqipëria nuk ka nevojë për ligje të reja për të luftuar krimin e organizuar. Shqipëria ka nevojë për një qeveri dhe një kryeministër që nuk është peng i  krimit të organizuar. Partia Demokratike është e vetmja forcë e madhe politike që mund ta sigurojë këtë. Ne kemi vullnetin për të goditur krimin dhe për të luftuar korrupsionin, që po zbras çdo ditë Shqipërinë”,- thuhet në reagimin e PD.

SHKARKO APP