Njësia Speciale e Kosovës merr nën kontroll Manastirin e Banjskës, janë vrarë disa sulmues
Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka marrë nën kontroll Manastirin e Banjskës në Zveçan, ku ishin stresuar grupi kriminal serb. Ky grup sulmoi policinë e Kosovës, duke vrarë një polic kosovar dhe plagosur një tjetër.
Ndërkohë disa prej sulmuesve serbë janë vrarë, derisa deri tani sipas informacioneve zyrtare të Policisë së Kosovës janë tre të vrarë, një sulmues i arrestuar dhe katër të tjerë të arrestuar pasi janë kapur.
Grupi kriminal i armatosur i përbërë prej mbi 30 personave ishte pozicionuar në Manastirin e Banjskës në Zveçan dhe kishte shfrytëzuar edhe objekte të tjera private, prej nga ka sulmuar Policinë e Kosovës.
KFOR-I ka dalë me një reagim se janë në afërsi të Banjskës dhe se janë në gatishmëri të përgjigjen nëse shfaqet nevoja, duke theksuar se Policia e Kosovës janë përgjegjësit e parë.
Kronika
Tre sulmues mbetën të vrarë në operacionin e sotëm në Banjskë, ndërsa u arrestuan gjashtë persona, bëri të ditur ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.
Sipas tij, dy nga të arrestuarit janë “të plagosur, me uniformë dhe të armatosur”, ndërsa katër të tjerë kanë qenë në mbështetje të sulmit me radio-lidhje.
Duke folur për gazetarët nga pjesa veriore e vendit, Sveçla tha se aksioni në kërkim të sulmuesve të Policisë së Kosovës është duke vazhduar.
Policia e Kosovës, tha ai, ka zbuluar edhe një sasi të madhe armatimi, përfshirë eksploziv, uniforma, logjistikë, ushqime e pajisje për barrikada.
“Lirisht mund të themi se ishin pajisje për disa qindra sulmues tjerë. Do të thotë, përgatitjet ishin që një kohë, në mënyrë masive, që të sulmojnë policinë e Kosovës, institucionet e Republikës së Kosovës dhe seriozisht ta cenojnë integritetit teritorial”, tha Sveçla.
Ai shtoi se ka informacione se bëhet fjalë për një “grup terroristësh”.
“Ne kemi vijë kufitare jashtëzakonisht të gjatë me Serbinë dhe hyrjet e këtyre terroristëve nuk janë të pamundshme, por veprimtaria e tyre tash po bëhet e pamundshme”, tha ministri i Brendshëm.
“I gjithë territori i vendit është vendosur nën kontroll”, shtoi ai.