PD: Rama të merret i pandehur për 80 mijë dollarët e fotos me Obamën

Partia Demokratike kërkoi sot që kryeministri Edi Rama të merret i pandehur për 80 mijë dollarët që u paguan për realizimin e fotos së tij me ish-presidentin e SHBA, Barak Obama.

Ish-deputeti Enkelejd Alibeaj, në një deklaratë për mediat tha se është vërtetuar nga gjyqet në SHBA se burimi i parave për foton e realizuar në vitin 2012 ka qenë i paligjshëm dhe pas këtij operacioni financiar është Edi Rama. “Të gjithë këta, shqiptarët, media dhe prokuroria politike e dinë për fakt të vërtetë, të provuar nga drejtësia amerikane, se fotoja e Edi Ramës me Barack Obamën është kryer përmes një kontributi të paligjshëm prej 80 mijë dollarësh. Të gjithë e dinë së për atë foto, Edi Rama u paraqit si gruaja e shtetasti amerikan Bilal Shehu, i cili sot është i dënuar nga drejtësia amerikane, bashkë me shtetasin tjetër amerikan William Argeros, për përdorimin e fondeve të huaja në zgjedhjet amerikane”,- deklaroi Enkelejd Alibeaj.

Ish-deputeti i PD-së tha janë dënuar dy persona në SHBA për këtë shkelje ligjore dhe i vetmi që nuk ka dhënë sqarime është kryeministri Edi Rama. “Tre persona janë përgjegjës për foton e Edi Ramës me Barack Obamën, e cila u krye nëpërmjet një kontributi të paligjshëm prej 80 mijë dollarësh: Bilal Shehu, William Argeros, Edi Rama Dy prej tyre janë tashmë të dënuar nga drejtësia Amerikane. I treti, Edi Rama, vijon të jetë mbi ligjin. Sot, ironia për ta paraqitur Edi Ramën si “gruaja e Bilalit”, nuk mjafton”,- deklaroi Alibeaj.

Sipas PS-së, shuma me të cilën është financuar fotoja e Edi Ramës nuk është deklaruar nga kryeministri dhe as nga Partia Socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Sipas tij, ky fakt është i mjaftueshëm që prokuroria të thërrasë Edi Ramën si të pandehur. “Ne jemi këtu për të theksuar se pas dënimit të dy bashkëpunëtorëve të tij, Bilali dhe Argeros, i takon Edi Ramës të merret si i pandehur, sepse shuma prej 80 mijë dollarësh, vjen nga një burim i paligjshëm dhe nuk është deklaruar as nga Edi Rama, as nga Partia Socialiste e Shqipërisë. Qytetarët presin që drejtësia shqiptare të jetë e paanshme. Për të nxjerrë të vërtetën e financimit të paligjshëm të fotos 80 mijë dollarëshe të Edi Ramës, sot kërkohet standardi i drejtësisë amerikane”,- deklaroi Enkelejd Alibeaj

SHKARKO APP