Arrestohet dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi, me urdhër të SPAK. Edhe për Berishën masë nga prokurori

Policia ndalon këtë të shtunë, datë 21 tetor, dhënderin e ish-kryeministrit Berisha, Jamarbër Malltezi me urdhër të SPAK.

Mësohet se sapo Malltezi ka zbritur në aeroportin e Rinasit, ai është arrestuar.

Mësohet se urdhri për ndalimin e dhëndrit të ish-kryeministrit Sali Berisha është firmosur nga prokurori i posaçëm Arben Kraja, i cili njihet si një ndër prokurorët më profesionistë në Shqipëri. Prokurori Kraja ishte shef i SPAK, derisa ia dorëzoi postin Altin Dumanit.

Gjykata e Posaçme ka caktuar masë sigurie për ish-kryeministrin Sali Berisha, në kuadër të hetimeve të nisura nga Prokuroria e Posaçme për privatizimin e kompleksit sportiv “Partizani”.

Për Berishën është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim dalje jashtë shtetit”.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka sekuestruar të gjitha pasuritë e Jamarbër Malltezit, pas arrestimit nga policia mbrëmjen e sotme në aeroportin e Rinasit. Arrestimi i dhëndrit të ish-kryeministrit Sali Berisha është bërë teksa ai kthehej nga një vend i BE-së. Bashkë me Malltezin ka rënë në pranga edhe Fatmir Bektashi, bashkëpronar dhe ndërtues në ish-kompleksin ‘Partizani’.

Berisha ka njoftuar konferencë urgjente shtypi sonte në ora 21.00.

Burime nga ky organ tregojnë se priten disa arrestime të nivelit VIP nga e djathta, por pa harruar edhe dosjet në hetim nga e majta qeverisëse.

 

SHKARKO APP