Presidenti amerikan shkon me avion në Ukrainë dhe kthehet me tren në Poloni
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden mbërriti me tren në Poloni të hënën pas një vizite të paparalajmëruar në Ukrainë.
Pamjet e kanalit televiziv lokal TVN24 treguan Presidentin Biden ndërsa zbriste nga treni dhe në vazhdim një autokolonë makinash iu largua stacionit të trenit “Przemyśl Główny”. Të martën Presidenti Biden pritet të takohet me Presidentin e Polonisë, Andrzej Duda.
Në Ukrainë, Presidenti Biden u takua me Presidentin Volodymyr Zelenskyy, një gjest solidariteti që vjen disa ditë para njëvjetorit të nisjes së agresionit rus në Ukrainë.
Në Kiev, presidenti amerikan njoftoi për një ndihmë prej gjysmë miliardë dollarësh shtesë nga SHBA, përfshirë predha, raketa antitank, radarë të mbikëqyrjes ajrore dhe ndihma të tjera, por jo armatime të reja të avancuara. Banorët e Kievit thanë se mbetën ‘pa fjalë’ dhe ishin ‘të gëzuar’ pas vizitës së papritur të presidentit Biden.
Misioni i presidentit amerikan me vizitën në Kiev, e cila u bë përpara një udhëtimi të planifikuar në Poloni, ishte të theksonte se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura të qëndrojnë me Ukrainën “për aq kohë sa duhet” për të zmbrapsur forcat ruse.
Presidenti Biden pa nga afër terrorin me të cilin ukrainasit kanë jetuar për gati një vit. Sirenat e sulmeve ajrore ulërinin mbi kryeqytet pikërisht kur ai dhe presidenti ukrainas, Volodomyr Zelenskyy po dilnin nga kupola e artë e Katedrales Shën Mikael, të cilën ata e vizituan së bashku.
“Unë jam këtu për të treguar mbështetjen tonë të palëkundur për pavarësinë e vendit, sovranitetin tuaj dhe integritetin territorial. Sot shpresoj se do të kemi një shans për të diskutuar se si Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë do të vazhdojnë mbështetjen në mënyrë më efektive për ju dhe vendin tuaj”, tha presidenti amerikan Joe Biden në Kiev.
“Së bashku me aleatët jemi zotuar për rreth 700 tanke dhe mijëra mjete të tjera të blinduara. 1000 sisteme artilerie, më shumë se dy milionë municione armatimi, më shumë se pesëdhjetë sisteme raketash të avancuara dhe sisteme të mbrojtjes ajrore. E gjithë kjo për të mbrojtur Ukrainën dhe kjo nuk llogarit gjysmë miliardë dollarë të tjerë që do t’i shpallim sot”, tha zoti Biden./VOA/