Presidenti Biden: “Teknologjinë duhet ta bëjmë të punojë në favor të demokracisë dhe jo kundër saj”

Presidenti Joe Biden çeli punimet e Takimit të dytë për Demokracinë, duke premtuar se Shtetet e Bashkuara do të investojnë 690 milionë dollarë gjatë vitit që vjen për të fuqizuar programet e demokracisë në mbarë botën. 

“Po ndryshojmë rrjedhën këtu. Siç e themi shpesh, gjendemi këtu në një pikë kthese të historisë, kur vendimet që marrim sot do të ndikojnë tek kursi i botës sonë për të paktën disa dekada në vazhdim”, tha Presidenti Biden. 

Shtëpia e Bardhë vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë në veçanti që ta bëjnë “teknologjinë të punojë në favor të demokracisë dhe jo kundër saj”. 

Në këtë forum, kryeministrat e tetë vendeve evropiane nënshkruan një letër të hapur drejtuar drejtuesve të kompanive kryesore të mediave sociale duke u bërë atyre thirrje që të tregohen më agresivë në bllokimin e përhapjes së informacionit fals në platformat e tyre. Letra u nënshkrua nga udhëheqësit e Ukrainës, Moldavisë, Polonisë, Republikës Çeke, Estonisë, Letonisë, Lituanisë dhe Sllovakisë. 

“Platformat e teknologjisë si e juaja janë shndërruar në fushëbeteja virtuale, dhe fuqi të huaja armiqësore po i përdorin për të përhapur variante false që bien në kontradiktë me raportimin që bëjnë mediat me lajme të bazuara në fakte”, thotë letra. “Reklamat e paguara dhe rritja artificialisht e mesazhit në platformat e kompanisë Meta, përfshirë Facebook-un, përdoren shpesh për të bërë thirrje për trazira sociale, shkaktim të dhunës në rrugë dhe destabilizimin e qeverive”. 

Rreth 120 udhëheqës nga mbarë bota janë duke marrë pjesë në takimit përgjithësisht virtual, një përpjekje e Presidentit Biden për të forcuar pozitat e demokracive në një kohë kur qeveritë autokratike po përparojnë me axhendat e tyre, si sulmi prej 13-muajsh i Rusisë në Ukrainë dhe aleanca e Kinës me Moskën. 

“Presidenti Biden e ka quajtur betejën për të fuqizuar qeverisjen demokratike në vend dhe jashtë tij si sfidën përcaktuese të kohërave tona”, deklaroi Shtëpia e Bardhë. “Kjo është për shkak se demokracia, qeverisja transparente dhe e përgjegjshme përpara popullit, mbeten mënyra më e mirë për të arritur paqe afatgjatë, begati dhe dinjitet njerëzor”. 

Përpara se të mbanin fjalimet e tyre udhëheqësit në lidhje me demokracinë në vendet e tyre, Presidenti Biden dhe Presidenti i Koresë së Jugut Yoon Suk Yeol thanë nëpërmjet një deklarate të përbashkët se “forcimi i qeverisjes transparente dhe të përgjegjshme, të bazuar tek miratimi i të qeverisurve është një parim themelor i kohërave tona”. 

Shtëpia e Bardhë tha se financimi i ri amerikan, për të cilin do të duhet miratimi i Kongresit, do të përqëndrohet tek programet që mbështesin median e lirë dhe të pavarur, luftimin e korrupsionit, fuqizimin e të drejtave të njeriut, mbështetjen e teknologjive që përmirësojnë demokracinë, si dhe mbështetjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. 

Por, Shtëpia e Bardhë pranoi edhe mangësitë e vetë Shteteve të Bashkuara për sa i përket demokracisë, përfshirë faktin që deri më tani Presidenti Biden nuk ka arritur të fitojë miratimin në Kongres të legjislacionit që synon të zgjerojë të drejtën e votës. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë vuri në dukje se është shtuar personeli i Departamentit të Drejtësisë për zbatimin e të drejtës së votës dhe se është miratuar legjislacion për të qartësuar procedurat e votimit në Kongres gjatë procesit të numërimit të votave elektorale për zgjedhjen e presidentit.

 

SHKARKO APP