Nga Artan Hoxha/Propozimi konstruktiv optimal i Ilir Metës

Nga Artan Hoxha

Ilir Meta foli gjatë, qartë, saktë në konferencën e sotme për shtyp ndërsa dy liderët e tjerë vazhdonin letërkëmbimin në rrjetet sociale. Ilir Meta ofroi zgjidhjen më konstruktive, më optimale të mundshme nga e cila fitojnë shqiptarët, fiton vendi, fiton çdo forcë politike përfshirë Rilindjen.
Përpara se të vijoje leximin e shkrimit i këshilloj lexuesit se duhet të lexojë me domosdoshmëri transkriptin e plotë të konferencës së Ilir Metës, përndryshe shkrimi do të ishte i pakuptimte.
Transkripti gjendet lehtësisht në faqen zyrtare të Kuvendit www.parlament.al
Përmbledhtazi, propozimi i Ilir Metës përmban katër pika të pandashme:
1) gjetja me doemos e zgjidhjes së çështjes së fundit të Reformës në Drejtësi, sipas Komisionit të Venecias, me konsensus, pa akuza të ndërsjellta me burg e kapje, me pëlqim të ndërkombëtarëve dhe miratimi i gjithë paketës së reformës nga ky Kuvend mbi të njëjtat parime;
2) shpërndarja e këtij Kuvendi menjëherë pas miratimit;
3) krijimi i një qeverie ekspertësh (apo teknike);
4) zgjedhje të parakohshme në afat të arsyeshëm.
Të katër pikat janë të nevojshme dhe të mjaftueshme. Nëse propozimit do t’i mungonte një pikë, e gjithë vlera e pritshme e efekteve të propozimit do të zvogëlohej ndjeshëm deri në zerim.
Njëherazi, propozimi s’ka nevojë për asnjë pikë shtesë për të rritur vlerën e efekteve të pritshme. Ky nuk është gjë tjetër veçse përkufizimi i maksimumit.
Lexuesit i sugjeroj të sjellë në mend çdo pretendim të palëve të ndryshme dhe t’i ballafaqojë me propozimin katërpikësh të Ilir Metës. Çdo vlerësim e peshim me mend në kokë çon tek i njëjti përfundim, ai i vlerës maksimale të efektit pozitiv të pritshëm nga ky propozim për shqiptarët, vendin dhe çdo force politike.
Shumica e përfitimeve janë evidente: reforma miratohet siç duhet dhe si duhet; ky parlament me damkën e kriminalizimit e mbyll me një vepër të lavdërueshme; vendi fiton një parlament të ri të filtruar nga ligji i dekriminalizimit; zgjidhen pretendimet e opozitës për kapje sistemi apo për vjedhje të zgjedhjeve; shmanget qeverisja me këmbën zvarrë; bie çdo dyshim për vjedhje të zgjedhjeve nga qeveria pasi s’ka motiv t’i vjedhë zgjedhjet një qeveri ekspertësh etj.
Nëse e mendon me qetësi, edhe Rilindja do ta kuptonte se përfiton nga ky propozim, ndonëse në pamje të parë do t’i duket se, duke lënë qeverinë e duke kaluar në zgjedhje, do të ketë më shume kosto se përfitim, ndaj nuk ia vlen kjo sakrificë. Rilindja pushtetin të humbur e ka që e ka. Në rastin më ekstrem do të qeveriste me brekë nëpër këmbë edhe 10 muaj. Propozimi i Ilir Metës i mundëson Rilindjes një ndërpreje pushteti me nder e hir, jo me turp e me pahir.
Vlera tërësore e propozimit të Ilir Metës nuk formësohet vetëm nga materia e katër pikave, por edhe nga fryma e së tërës dhe koha e gjetur. Propozimi i sotëm i Ilir Metës është zgjidhja optimale që shmang krizën që po troket, i paraprin krizës me zgjidhje, e fut vendin në rrugën normale të zhvillimit të ngjarjeve, pa konflikt, stres, nerv. Është zgjidhje para-krize.
Nëse nuk pranohet kriza shpërthen. Çdo zgjidhje e mundshme post-krize nuk ka se si te ketë vlerën maksimale që ka propozimi i sotëm i Ilir Metës.
Logjikshëm, më së pari i takon Edi Ramës të flasë.
E pranon apo jo?
Pas tij e ka radhën Lulëzim Basha.
Pas këtij ndërkombëtarët.
Të fundit folën të parët, Vlahutin dhe Lu.
Gjashtë ore pas fillimit të konferencës së Ilir Metes, pesë orë pas përfundimit të saj dhe tre ore pas publikimit të transkriptit vijon heshtja e Ramës dhe Bashës. Shpresoj të jetë heshtje reflektuese për një qëndrim të urtësh e te maturish.

SHKARKO APP