Përplasja e hapur mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt ka çarë fasadën e unitetit socialist. Njëri në Kryeministri, tjetri në paraburgimin e Fierit, por tashmë të dy përballë njëri-tjetrit në publik. Pabarazia e pushtetit është e jashtëzakonshme; megjithatë, politikisht, edhe njeriu në qeli mund t’i krijojë kosto atij që drejton qeverinë.
Letra e Veliajt e ka kaluar konfliktin në një tjetër shkallë. Ai pretendon se ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, i përcolli kërkesa dhe kërcënime në emër të kryeministrit. Gogu e pranon takimin, por mohon përmbajtjen që i atribuohet dhe thotë se shkoi për të dëgjuar ankesat mbi kushtet e trajtimit. Takimi është i konfirmuar; pretendimet për presion mbeten të kundërshtuara mes palëve.
Pikërisht këtu nis problemi politik për Ramën: pse një vizitë e ministrit të Drejtësisë përfundoi në një akuzë publike për ndërhyrje të kryeministrit? Çfarë synohej të zgjidhej dhe përse rezultati ishte një konflikt edhe më i madh?
Nuk kemi prova për të thënë se Rama e kërkoi këtë përplasje. Por mund të gjykojmë pasojën: qeverisë i është hapur një front brenda familjes së saj politike. Dhe konfliktet brenda pushtetit shpesh kushtojnë më shumë se sulmet e opozitës, sepse protagonistët njohin njëri-tjetrin, marrëdhëniet dhe mënyrën se si funksionon sistemi.
Nëse synimi ishte të arrihej një tërheqje e heshtur e Veliajt, efekti publik duket i kundërt. Ai po e përdor përplasjen për të ndryshuar pozicionin e vet në debat: nga një zyrtar që duhet t’u përgjigjet akuzave penale, në një socialist që pretendon se po ndëshkohet edhe politikisht. Kjo strategji nuk provon pafajësinë e tij, por mund t’i sigurojë vëmendje dhe simpati përtej rrethit të mbështetësve. Njerëzit e tij në PS kanë filluar të gjallerohen dhe me sa duket ndonëse kanë frikë “shpaten” e kryeministrit, përsëri mësohet se po lëvizin, ndonëse akoma në heshtje. Erion Veliaj për shkak të pushtetit që i dha kryeministri, dikur, ka akoma miq si deputetë, ish-deputetë, ish-ministra, zv/ministra, ish-zyrtarë të lartë. Ata rrinë e bëjnë temena kryeministrit, por një sy e kanë nga burgu në Fier.
Por duke vazhduar me tej publikimi i bisedës nga Veliaj ka një çmim. Miqësia e hershme me Gogun do të kërkonte, në rrethana të zakonshme, një tjetër rezervë. Me publikimin e versionit të vet, Veliaj ka treguar se tashmë vendos mbijetesën politike përpara ruajtjes së marrëdhënieve personale. Ai e ka bërë të qartë se nuk synon të largohet në heshtje.
Për qeverinë, përgjigjja duhet të jetë e dokumentuar. Ministri i Drejtësisë Toni Gogu thotë se rrethanat e vizitës janë të verifikueshme; por ato duhen sqaruar publikisht nëse takimi është regjistruar. Në burgje thuhet se gjithçka filmohet dhe regjistrohet. Sa më gjatë të mbetet kjo histori mes akuzës dhe mohimit, aq më shumë hapësirë fiton dyshimi. Dhe ku publiku shkon kah atij që përsekutohet, siç po thotë kryebashkiaku Veliaj.
Ndërkohë drejtësia duhet të përcaktojë përgjegjësinë penale të Veliajt. Ndërsa përgjegjësia politike për këtë përplasje po gjykohet që tani nga publiku. Dhe për Ramën, rreziku është i qartë: duke e pasur Veliajn përballë si kundërshtar të hapur, mund t’i japë pikërisht atë rol politik që paraburgimi ia kishte dobësuar.
Fasada e unitetit socialist është çarë. Tani çështja është sa thellë shkon çarja dhe sa të tjerë do të gjejnë zërin përmes saj. Kjo përplasje mes Ramës dhe Veliajt do të krijojë me shumë të çara në PS, bile me shumë se krejt fronti i Protestës dhe Opozitës.
Nuk dihet kush e këshillon kryeministrin apo ai nuk pyet më njeri, por në këto kohë sherri dhe përplasje, aq me tepër që shkohet drejt zgjedhjeve vendore me 9 maj 2027, e ku Tirana do të jetë bashkia që do të përcaktojë fatin politik të mazhorancës, ndaj duhet që Rama të krijojë qeveri të re, mirëfilli politike, me personalitetet me të spikatura të majtës, sikurse duhet të vendosë kandidat për Tiranën, jo një partiak, por një nga shoqeria civile./Spiten Prulli/
