Rama: Vetëdobësimi diplomatik i Kosovës po i vështirëson përpjekjet tona

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha sot se pozicioni “i vetëdobësuar diplomatik i Kosovës” në sytë e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian po ia bëjnë të vështirë vendit të tij përpjekjet për të ndihmuar në zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës.

Duke folur gjatë një seance të Kuvendit të Shqipërisë, ku pritet të miratohet një rezolutë për Kosovën, Rama tha se “viktimizimi diplomatik i Serbisë falë dhuratave politike të marra bujarisht nga gabimet e Prishtinës zyrtare në procesin e dialogut”, po ashtu po ndikon në përpjekjet e Shqipërisë.

Rama i bëri thirrje Kosovës të mos e humbasë “shansin historik” për t’u ulur në tavolinën e negociatave me planin franko-gjerman, si dhe ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i cili, sipas tij, është kthyer në “litar që po ia shtrëngon këmbët Kosovës.”

Pamje nga takimi i 27 shkurtit në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe diplomatëve të Bashkimit Evropian, Josep Borell dhe Mirosllav Lajçak, në të cilin është arritur pajtueshmëri për Marrëveshjen Bazë.

Kryeministri shqiptar tha se Kuvendi i Kosovës ka të drejtë dhe për detyrë ta miratojë rezolutë për sulmin në Banjskë, ku mbeti i vrarë një polic pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup serbësh të armatosur, ndërsa Shqipërisë i takon ta mbështesë atë rezolutë.

Kuvendi i Kosovës e miratoi më 28 shtator një rezolutë, e cila e dënon sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator, në Banjskë të Zveçanit dhe përmend nevojën e një hetimi ndërkombëtar për Serbinë dhe rolin e saj në këtë sulm.

Ai tha se nuk lëkundet nga qëndrimi i tij se KFOR-i duhet të marrë nën kontroll veriun duke theksuar se “është prezent rreziku i përshkallëzimit me armë të konfliktit në veri, edhe përmes ndikimit rus”.

Çfarë përmban projektrezoluta për Kosovën?

Në draftin e dakorduar nga palët dhe që po diskutohet nga deputetët theksohet se “Kuvendi i Shqipërisë mbështet plotësisht dhe njëzëri rezolutën e miratuar më 28 shtator në Kuvendin e Kosovës.”

Gjithashtu, sipas saj, Kuvendi kërkon nga institucionet kushtetuese të Shqipërisë “që në të gjitha instancat ndërkombëtare dhe në kontaktet bilateral me partnerët të angazhohen fuqimisht dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mundësimin e një hetimi ndërkombëtar lidhur me aktin terrorist në veri të Kosovës”.

Rezoluta inkurajon Qeverinë e Kosovës që të “punojë krah për krah dhe të bashkohet pa rezerva” me aleatët e saj strategjikë, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në funksion të procesit për arritjen e një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe njohjen përfundimtare të Kosovës prej saj./EL/

Kryeministri Rama: Albin Kurtin e kam mik, por kemi divergjenca botëkuptimore

 

SHKARKO APP