Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë për objektet e “paidentifikuara”: Nuk kemi tregues se janë aktivitet i alienëve!
Një avion luftarak amerikan rrëzoi një “objekt të paidentifikuar” mbi liqenin Huron të dielën me urdhër të presidentit Joe Biden. Ky ishte rasti i katërt brenda tetë ditësh dhe reagimi i fundit ushtarak në një situatë të jashtëzakonshme episodesh të tilla të njëpasnjëshme në hapësirën ajrore të SHBA-së. Zyrtarët e Pentagonit besojnë se kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në kohë paqeje.
Zyrtarët e Pentagonit thanë se këto objekte të paidentifikuar nuk përbënin kërcënime për sigurinë, por dihej aq pak për to, saqë zyrtarët e Pentagonit nuk përjashtonin asgjë, madje as UFO-t.
Por Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, nisi konferencën për shtyp të së hënës, duke sqaruar se SHBA-ja nuk është e shqetësuar për një prezencë të jetës aliene apo jashtëtokësore.
“Unë thjesht doja të sigurohesha që ta adresojmë këtë nga Shtëpia e Bardhë. E di që ka pasur pyetje dhe shqetësime në lidhje me këtë, por nuk ka asnjë tregues të alienëve ose aktivitetit jashtëtokësor me rrëzimet e fundit të objekteve” – tha Jean-Pierre.
“Doja të sigurohesha që populli amerikan ta dinte këtë. Dhe është e rëndësishme për ne që ta thoshim këtë nga këtu, sepse kemi dëgjuar shumë për këtë”, – tha zyrtarja e lartë duke shkaktuar të qeshura tek gazetarët në dhomën e informimit.
Ajo bëri shaka se “e pëlqente filmin “ET”, përpara se t’ia linte podiumin koordinatorit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për komunikimet strategjike, John Kirby. SHBA tha se po punon ende për të përcaktuar natyrën dhe qëllimin e objekteve fluturuese që janë rrëzuar së fundmi.
Por dyshimi nga Pentagoni se po hetohet edhe veprimi alien ka ngjallur polemika në mbarë botën.