SHBA/Ligjvënësit republikanë nisin hetimin mbi përdorimin për qëllime politike të agjencive qeveritare, FBI-ja e para
Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve filluan të enjten hetimin e tyre të bazuar në pretendimin se qeveria federale është përdorur si një mjet politik kundër konservatorëve. Ligjvënës dhe ish-ligjvënës konservatorë thanë gjatë seancës së parë se zyrtarë të sigurisë kombëtare, kompani të mediave sociale dhe mediat kanë komplotuar kundër tyre.
Në seancën e Komisionit të ri të Dhomës së Përfaqësuesve, të udhëhequr nga ligjvënësi republikan nga Ohajo, Jim Jordan, u paraqitën argumente partiake dhe nganjëherë të pasakta për ndërhyrjet në zgjedhjet e vitit 2016, krizën e shkaktuar nga COVID-19 dhe sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitol.
Pjesa më e madhe e seancës u përqëndrua në ankesat për veprimet e ndërmarra nga zyrtarë federalë gjatë mandatit të Presidentit Donald Trump.
“Është e qartë për mua se Departamenti i Drejtësisë dhe FBI-ja po vuajnë nga një infeksion politik që, nëse nuk mposhtet, do të bëjë që populli amerikan të mos u besojë më deklaratave të këtyre institucioneve”, tha senatori nga Ajova, Chuck Grassley, ish-kryetar i Komisionit Juridik të Senatit, në një dëshmi të rrallë para komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve.
Në vend që të përqëndrohej në informacione të reja, seanca dëgjimore trajtoi më me hollësi ankesat e konservatorëve për hetimin e lidhjeve të zotit Trump me Rusinë dhe gjykimet e gabuara të zyrtarëve të FBI-së, duke përfshirë mesazhet telefonike me përmbajtje kundër zotit Trump, që janë dokumentuar prej vitesh. Zyrtarët, emrat e të cilëve u përmendën vazhdimisht, tashmë janë larguar nga FBI-ja.
Me shtrirje shumë të gjërë, hetimi i ri ka të ngjarë të vë në provë oreksin publik për llojin e mbikëqyrjes, llogaridhënies dhe hetimeve partiake, agresive që janë në qendër të agjendës së Dhomës së Përfaqësuesve, të kontrolluar nga republikanët.
Ligjvënësi Jim Jordan, kryetar i komisionit të ri, i cili në vitet e fundit ka sulmuar vazhdimisht zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë nga të dyja partitë, tani ka fuqinë t’i hetojë ata.
Ai tha se paneli i parë, i përbërë nga senatorët Chuck Grassley dhe Ron Johnson, si dhe nga ish-ligjvënësja demokrate nga Havai, Tulsi Gabbard, e cila është larguar nga Partia Demokrate, ishte i rëndësishëm për krijimin e një “kornize të hetimit”.
Paneli i dytë i përbërë nga avokatë dhe ish-zyrtarë të FBI-së dhe të Departamentit të Drejtësisë, dokumentoi “censurën e qeverisë federale”, tha ligjvënësi Jordan.
Ai theksoi se “objektivi ynë është të përcaktojmë se sa e rëndësishme dhe sa serioze është kjo. Dhe sigurisht që mendoj se kjo ka ndodhur.”
Seanca dëgjimore preku një gamë të gjerë temash dhe nxori në pah dëshirën e republikanëve për të përdorur komisionin si një mjet për të sulmuar ato që ata thonë se janë vendime politikisht të motivuara jo vetëm nga forcat e zbatimit të ligjit, por edhe nga njerëz në sektorët e teknologjisë dhe kujdesit shëndetësor..