Spiropali, një fytyrë në fjalime dhe një tjetër në votim
Në politikë, dyfytyrësia shfaqet kur fjala publike shkon në një drejtim dhe vota në drejtimin e kundërt. Elisa Spiropali nuk mund të kërkojë njëkohësisht prestigjin e kundërshtares së Edi Ramës dhe rehatinë e deputetes që, në çastin vendimtar, mbështet atë që vetë e kritikon.
Nëse reforma territoriale ishte e gabuar, përse e votoi? Nëse ishte e drejtë, përse e sulmoi? Dhe nëse ndërroi mendim, cilat argumente e bindën? Këto pyetje kërkojnë përgjigje publike, sepse qytetarët kanë të drejtë të kuptojnë se çfarë përfaqëson deputetja e tyre.
Të shfaqesh si zë i pavarur kur flet dhe të rreshtohesh pas kryetarit kur voton, e zbraz kundërshtimin nga përmbajtja. Rebelimi bëhet dekor për imazhin personal, ndërsa vota i shërben po asaj vije politike që pretendohet se kundërshtohet.
Spiropali ka përvojë të mjaftueshme institucionale për ta ditur se pesha e deputetit matet edhe te butoni i votimit. Pikërisht aty provohet nëse një qëndrim është bindje apo thjesht shfaqje.
Disiplina partiake mund ta shpjegojë një votë, por nuk e zhduk mospërputhjen. Kush kërkon të paraqitet si alternativë brenda PS-së duhet të tregojë se është në gjendje të mbrojë qëndrimin e vet edhe kur kryetari kërkon të kundërtën.
Përndryshe, mbetet një fytyrë për publikun dhe një tjetër për drejtimin e partisë. Dhe besueshmëria politike nuk ndërtohet duke i ndërruar ato sipas momentit. Ndaj Edi Rama nuk ka asnjë emër që mund ta konkurojë me ide dhe vendime në PS. E gjitha stuhia që ngriti në gotë, pra deputetja Spiropali, u derdh kur votoi pro sapo kryeministri i hodhi një vështrim të egër. Kur nuk mbajnë dot një shikim me qortim, atëhere pse flasin e bëjnë sikur janë e ardhmja e PS? Të enjten në votim me 85 vota kryeministri iu tregoi të gjithëve që rrini në rrjesht sepse prej meje jeni në pushtet!

