Tirana sot, kryeqendra europiane (VIDEO)

Tirana ka mbledhur sot liderët europianë dhe përfaqësues të vendeve të rajonit, ku po mbahet për herë të parë Samiti i Procesit të Berlinit.

Sot Europa ka ardhur në Tiranë. Emri i Shqipërisë lartësohet nga ky Samit.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen mbërriti dje në Tiranë, ndërsa i pranishëm në samit është edhe Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel. Nuk mund të mungonte kancelari gjerman, Olaf Scholz, vendi i të cilit inicioi Procesin e Berlinit. Në punimet e samitit ndodhet kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron anuloi pjesëmarrjen, mirëpo pasdite do të jetë në Tiranë vizitën e parë zyrtare. Sikurse kanë ardhur dhe shumë kryeministra të tjerë nga BE.

Për mbarëvajtjen e këtij Samiti janë angazhuar më shumë se 2 mijë efektivë policie, ndërkohë disa rrugë janë bllokuar duke nisur nga ora 20:00 e mbrëmjes së djeshme. Dy ditë më parë policia publikoi hartën e bllokimeve që nis që nga Rinasi e deri në brendësi të qytetit.

Perimetri i sigurisë nis nga Bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’, Ura e Dajtit deri tek Sheshi Nënë Tereza ndërsa do të jenë 1604 efektivë dhe 400 punonjës të Gardës së Republikës të angazhuar për këtë event të rëndësishëm që do të zhvillohet për herë të parë jashtë kufijve të BE-së.

Kryeministri i vendit, Edi Rama ka pritur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” liderët e rajonit dhe udhëheqësit e BE-së, në nisje të Samitit historik të Procesit të Berlinit.

“I zoti i shtëpisë” i uroi mirëseardhjen të gjithë liderëve, të cilët mbërrin një nga një jashtë ambienteve të kryeministrisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbërritur në Tiranë dhe është pritur në tapetin e kuq nga kryeministri Edi Rama, me të cilin ka shtrënguar duart dhe madje i kanë dhuruar një buzëqeshje njëri-tjetrit.

Ndërkohë që liderët e tjerë janë takuar përzemërsisht me Ramën, kryeministrja serbe Ana Brnabiç duket se ka ardhur me zor në Tiranë. Ajo ishte mjaft e ngrysur dhe e ngurtë në takimin me Ramën si edhe në parakalimin në tapetin e kuq, gjë që është pasqyruar edhe te kryeministri shqiptar.

Kujtojmë se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç mungoi në Samit pasi ka udhëtuar drejt Kinës, ku do të marrë pjesë në Forumin e tretë “Belt and Road”, i cili fillon nesër në Pekin.

Kryeministri i Holandes Mark Rutte në një komunikim të shkurtër për mediat u shpreh se sot do të ketë disa surpriza duke mos zbuluar më tej detaje.

“Ndihem mirë që jam këtu, kemi disa surpriza”- tha ai pasi u prit nga kryeministri Edi Rama.

Nga ana tjetër, edhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, nuk do të marrë pjesë. Në vendin e saj do të marrë pjesë zv.kryeminsitri, Antonio Tajani.

Edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka folur për mediat para nisjes së Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë, teksa ka deklaruar se samiti i sotëm është i një rëndësie shumë të veçantë. Sipas saj zhvillimi i samitit në një vend të Ballkanit Perëndimor përcjell një mesazh të fuqishëm për të treguar përkushtimin për zgjerimin e BE-së.

Ka mbërritur për punimet e Samitit të Berlinit edhe lideri shqiptar i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, i cili u prit me përqafime nga kreu i qeverisë shqiptare. Abazoviç u ndal para mediave ndërsa uroj kryeministrin Rama për punimet e Samitit dhe tregoi se e sheh vendin e këtij samiti si një shenjë të mirë për të ardhmen evropiane të rajonit.

Mes të ftuarve të pranishëm në samitin e Procesit të Berlinit ishte dhe një përfaqësues i vendeve të BE, që ecte me paterica. Problemi me këmbën e tij të djathtë nuk e ka penguar zyrtarin të marrë pjesë në samitin, që bashkon liderët e BE dhe të Ballkanit sot në Tiranë.

Tirana sot, kryeqendra Europiane

SHKARKO APP