Tmerri i luftës/Rreth 2.2 milionë njerëz po mbeten pa ushqim, ujë dhe gjëra të tjera themelore
Spitale pa rrymë e pa ujë, qyteti pa gaz e me mungesa ushqimesh. Në rrethana të tilla, qindra mijëra qytetarë të Sarajevës kaluan 1.425 ditë rrethim në vitet ‘90, gjatë të cilave u vranë mbi 10.000 njerëz dhe qyteti u shkatërrua.
Katastrofa humanitare në kryeqytetin e Bosnje dhe Hercegovinës u gdhend në kujtesën e publikut botëror si pasoja e rrethimit të parë në tokën evropiane, pas Luftës së Dytë Botërore.
Imazhet e atij makthi shumëvjeçar kthehen sërish në mendje këto ditë, kur Gaza – një zonë ku jetojnë 4-5 herë më shumë njerëz sesa në Sarajevën e kohës së luftës – po rrëshqet drejt një fatkeqësie humanitare.
Izraeli shpalli “bllokadë totale” të Gazës më 10 tetor, në përgjigje të një sulmi nga grupi militant i Hamasit. Rreth 2.2 milionë njerëz mund të mbeten pa ushqim, ujë dhe gjëra të tjera themelore, përfshirë furnizime mjekësore, ndërsa energjia elektrike tashmë është ndërprerë.
Mesazhe frike dhe pasigurie
“Jemi tmerrësisht të frikësuar”, tha mjeku Azmi Mequat. Ky palestinez me nënshtetësi rumune foli nga Gaza për shërbimin rumun të Radios Evropa e Lirë. Ai jeton në territorin e rrethuar me gruan dhe tre fëmijët e tyre.
“Këtu në Gazë nuk kemi bunkerë, nuk kemi bodrume, nuk kemi asgjë. Rrimë në banesë, është e vështirë, po bombardojnë majtas e djathtas, uji vjen e shkon, rrymë nuk ka”, tha Mequat.
Mëngjesin e së premtes, Izraeli u dha afat prej 24 orësh 1.1 milion njerëzve që të largoheshin nga veriu i Gazës dhe të zhvendoseshin në jug të këtij territori.
Geoffery Nice, ish-prokuror në Gjykatën e Hagës, ku u dhanë dënime komandantëve të përgjithshëm për krime të kryera në luftërat në territorin e ish-Jugosllavisë, sugjeron të mos bëhen krahasime.
Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, ai thotë se në rastin e ngjarjeve aktuale në Gazë sheh elemente në të cilat mund të përgjigjet si pozitivisht, ashtu edhe negativisht.
Sipas tij, e drejta e Izraelit për të tentuar t’i kthejë pengjet nuk duhet të kontestohet, ashtu siç nuk mund të justifikohet asnjë veprim që çon në hakmarrje ndaj civilëve të pafajshëm.
“Mendoj se është e kotë dhe jo domosdoshmërisht e arsyeshme të kërkosh mbështetje në bazë të rasteve të tjera që mund të kenë ngjashmëri, por janë në mënyrë të pashmangshme të ndryshme”, thotë Nice i pyetur për ngjashmëritë e mundshme midis ngjarjeve që publiku botëror është duke parë në Gazë dhe mizorive që përcollën luftërat jugosllave.
Çfarë thuhet në vendimet e Hagës?
Krimet kundër civilëve duke ua mohuar kushtet elementare për jetesë, përmenden në së paku dy aktgjykime për ngjarjet në Sarajevë, të shpallura nga Tribunali i Hagës. Një prej tyre është dënimi që iu dha Ratko Mlladiqit.
“Vështirësitë e vuajtura nga qytetarët e Sarajevës ishin të mëdha; atyre u mungonin në mënyrë të vazhdueshme gjërat themelore si: ushqimi, uji, gazi dhe energjia elektrike. Ata u detyruan të jetonin në një gjendje të vazhdueshme vështirësish”, thuhet në aktgjykimin e Mlladiqit, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Sërpska, i dënuar për terrorizimin e civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës, mes tjerash.
Në Nenin 54 të kësaj konvente thuhet se “është e ndaluar që të sulmohen, të shkatërrohen, të largohen ose të bëhen të pashfrytëzueshme gjërat që janë të domosdoshme për mbijetesën e popullatës civile”. Aty shtohet se ndalesa vlen edhe nëse motivi është që civilët të kenë uri, apo të detyrohen të zhvendosen.
Rezoluta 2417 e Kombeve të Bashkuara, e vitit 2018, e dënon urinë e civilëve si metodë lufte, si dhe mohimin e paligjshëm të qasjes humanitare për popullatën civile.
Rezoluta, e miratuar njëzëri nga Këshilli i Sigurimit pas një takimi për mbrojtjen e civilëve në konflikte të armatosura, u kërkon gjithashtu shteteve që të kryejnë hetime për shkeljet e ligjit ndërkombëtar humanitar, “në lidhje me përdorimin e urisë së civilëve si metodë lufte, përfshirë mohimin e paligjshëm të ndihmës humanitare për popullatën civile në konflikt të armatosur”.
Florence Hartmann ishte e angazhuar si zëdhënëse e Gjykatës në Hagë. Ajo u njoh në hollësi me praktikën e asaj gjykate ndërkombëtare, të krijuar nga Kombet e Bashkuara, për të cilën shkroi edhe një libër.
Duke u mbështetur në këto njohuri, me kujdes bën një krahasim midis përvojës së Sarajevës, gati tridhjetë vjet më parë, dhe situatës aktuale në Gazë.
“E drejta për të mbrojtur popullsinë civile është një e drejtë themelore, që u zhvillua gjatë shekullit 20, përmes Konventës së Gjenevës dhe rregullave të luftës”, thotë Hartmann, por shton se “nga ana tjetër, është legjitime edhe e drejta për mbrojtje”, në të cilën thirret Izraeli.
Përveç kësaj, shton ajo, duhet pasur parasysh edhe natyrën e Hamasit – një lëvizje radikale e cilësuar si terroriste nga shumica e komunitetit ndërkombëtar perëndimor, e cila qeveris Gazën që nga viti 2007.
“Hamasi, i cili është një objektiv legjitim ushtarak për Izraelin, është organizuar në një zonë me popullsi të dendur dhe i përdor civilët si mburoja njerëzore. Situata atje është e komplikuar, sidomos nëse e dimë se Izraeli ka shkelur vazhdimisht ndalesat ndërkombëtare për sulme pa dallim”, thotë Hartmann.
Edin Edo Jaganjac, si mjek në spitalin e Sarajevës në kohë lufte, e kujton mirë përvojën e “sulmeve pa dallim”.
Nën predha, pa ujë dhe rrymë, në një spital ku mund të lëvizej vetëm në dy nga 14 katet, thotë Jaganjac, mësohet se sa e rëndësishme është energjia elektrike dhe uji për jetën dhe trajtimin.
“Epidemiologu ynë, Zhelko Ller, i cili edhe sot e kësaj dite jeton në Sarajevë, na ka bërë pika sysh nga solucioni i klorit në shishe. E hidhnim një gotë ujë dhe shtonim një pikë klor, prisnim një minutë dhe e pinim. Ndryshe do të sëmureshim. Të gjithë e kishim shishen në xhep ose në vitrinë”, kujton Jaganjac – mjeku që shkroi librin “Princesha e Sarajevës”, bazuar në përvojën e tij gjatë shërimit të një vajze të plagosur në rrethim. Ishte botimi më i shitur në Çeki – vendin ku Jaganjac jeton dhe punon – në vitin 2015.
Ai kujton se disa pacientë kanë vdekur pikërisht për shkak të kushteve katastrofike të trajtimit.
“Makinat për frymëmarrje për pacientët që janë në gjumë dhe nuk zgjohen… Në Koshevë ishin tetë pacientë të tillë dhe erdhën pacientë të rinj, por nuk kishte makina për ta”, rrëfen Jaganjac.
Në raste të tilla, shton ai, ata i ndihmojnë punonjësit e spitalit duke shtypur disa balona, por që nuk mund ta bëjnë këtë punë për një kohë të gjatë.
“Më pas ndodhi që, meqë erdhën të plagosur të rinj, nuk kishte kush t’i zëvendësonte mjekët që ishin në sallë të operacionit dhe të tetë pacientët vdiqën”, kujton Jaganjac për Radion Evropa e Lirë.
Gaza nën sulm
Në periudhën e ardhshme, më shumë se 37.000 gra janë në rrezik të lindin pa energji elektrike ose pajisje mjekësore në Gazë, sipas Shoqatës Palestineze për Planifikim dhe Mbrojtje të Familjes.
“Ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë me këto gra dhe fëmijët e tyre të porsalindur”, thotë Ammal Awadallah, drejtore ekzekutive e shoqatës, disa ditë pasi Izraeli filloi sulmet nga deti, toka dhe ajri, në përgjigje të sulmeve të Hamasit.
Më shumë se 1.300 njerëz u vranë në Izrael, ndërsa mbi 1.500 u vranë në Gazë.
Në Rripin e Gazës, i cili është 40 kilometra i gjatë dhe 10 kilometra i gjerë, me një sipërfaqe prej rreth 365 kilometrash katrorë dhe me mbi dy milionë banorë, janë vrarë tashmë më shumë se 400 fëmijë, sipas OKB-së.
Përndryshe, sipas të dhënave të OKB-së, rreth gjysma e popullsisë së Gazës janë të mitur.
Përgatiti: Valona Tela