“Zëri i Amerikës”: Ish-Presidenti Trump thotë se mund të arrestohet të martën, bën thirje për protesta popullore

Nga “Zëri i Amerikës”-

Ish-Presidenti Donald Trump thotë në një postim në rrjetet sociale se ai pret të arrestohet të martën. Postimi i zotit Trump në rrjetin social “Truth Social” vjen në një kohë kur prokurorët e Nju Jorkut po shqyrtojnë mundësinë e ngritjes së akuzave në kuadër të një hetimi lidhur me pagesat e bëra ndaj dy grave, që pretendojnë se kanë patur marrëdhënie seksuale me zotin Trump.

Ish-presidenti thotë në postimin e tij se “sipas rrjedhjes së paligjshme të informacionit” nga Zyra e Prokurorit të Qarkut në Manhatan, tregohet se “udhëheqësi republikan dhe ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara” do të arresohet të martën e ardhshme. Në postim, ai i bëri thirrje mbështetësve të tij për protesta.

Ndërkohë, më herët ka patur informacione se zyrtarët e zbatimit të ligjit në Nju Jork po bëjnë përgatitje që lidhen me masat e sigurisë, në rast të ngritjes së një padie ndaj ish-presidentit amerikan.

Nëse kjo ndodh atëherë zoti Trump do të bëhet ish-presidenti i parë që do të akuzohej për një vepër penale.

Nëse i ngrihet aktakuzë, ish presidenti Trump do të arrestohej vetëm nëse do refuzonte të dorëzohej. Avokatët e zotit Trump kanë thënë më parë se ai do të ndiqte procedurën normale, që do të thotë se ai ka të ngjarë të pranojë të dorëzohet në një zonë të Departamentit të Policisë së Nju Jorkut ose drejtpërdrejt në zyrën e prokurorit Alvin Bragg.

Danielle Filson nga zyra e prokurorit të qarkut tha se prokurorët nuk “do të konfirmojnë ose komentojnë” mbi pyetjet në lidhje me postimin e zotit Trump, si dhe akuzat e mundshme. Avokatët e ish presidentit, Susan Necheles dhe Joseph Tacopina, ende nuk kanë bërë asnjë koment.

Thirrja e zotit Trump për mbështetësit e tij për të protestuar, ishte veçanërisht e mprehtë, duke evokuar gjuhën që presidenti përdori pak para sulmit në Kapitolin e SHBA-së më 6 janar 2021.

(Marrë me shkurtime nga VOA)

SHKARKO APP