ALBAS 25 vjet, një çerek shekulli dritë, një udhë që bashkon zemrën e kombit përmes fjalës, librit dhe dijes
Nga Albert Vataj
Isha edhe unë atë mbrëmje të madhe, sepse jam pjesë e këtij pulsi të këtij shpirti kombëtar që gjallon në gjithëpraninë e një gruaje të suksesshme, Rita Petro, e cila nuk ka ndërtuar vetëm një perandori të mbretërimit të fjalës, dijes dhe dritës, por ka ndërtuar një tempull të rrokaqiellt të përbashkimit gjithshqiptarë përmes librit.
Ndoshta atë që nuk kanë mundur ta përmbushin institucione, një infrastrukturë gjigande njerëzore dhe financiare, e ka bërë Rita Petro, me dashuri, me zemër, me përkushtim dhe me besimin për të krijuar ALBAS, jo vetëm si një ent botues, por si një familje.
Sepse ata jetojnë me njëri-tjetrin, me plagët dhe gëzimet e njëri-tjetrit, më atë shpirtin e madh të një amësie, që e ka mëkuar Rita, te çdo zemër, te çdo vullnet, te çdo kontribut. Ajo dhe askush tjetër si ajo, sepse ajo e ka ndërtuar gjithë këtë me ndjenjë dhe pasion, me histori dashurie dhe tragjizëm ndarjeje. Ajo ka ditur të jetojë me çdo jetë të ALBAS dhe secili ka frymuar si pjesë e këtij organizmi të gjallë të shpirtjes së shqiptarisë.

Ky 25-vjetor flakëroi në gazmimin e atyre që vinin për të nderuar një histori që nuk është vetëm e librave, por e njerëzve, e pasionit, e sakrificës, e një vizioni që sfidoi kufijtë dhe i ktheu ata në ura.
Në këtë kremte u bashkuam nga gjithë shqiptaria, pak ditë pas 113-vjetorit të Mëvetësisë së Shqiptarëve, për një tjetër përvjetor pavarësimi përmes librit, dijes, fjalës dhe komunikimit, pa kufinjë dhe caqe administrative, me një flamur, atë kuqezi.
Ishim atë mbrëmje magjike, për të kurorëzuar 25 vjet ALBAS, që nuk janë thjesht vite pune, janë vite shëmbëlltyrash shërbestarie hyjnimi, janë hapat e një udhëtimi që lidhi Tetovën me Tiranën, Prishtinën me Preshevën, Ulqinin me diasporën, duke krijuar një hartë të re shpirtërore shqiptare, të shkrirë në alfabetin e gjuhës, në magjinë e fjalës shqip. Një pavarësi përmes zërit të qiellt të fjalës së shpirtshme që ndez flakadan shpirti shqiptar, prej krejtkund flitet dhe jetohet shqip.
Ky ishte jubileu i një shtëpie botuese që nuk u ngrit mbi treg, por mbi ideal, mbi diçka të lartësuar në qëllime, të mishëruar në shërbesën e mëmëdheut, të mbarështuar në farën e shkronjave shqipe, që mbollëm në tokën e eshkur nga zjarri dhe zhgënjimi, mohimi dhe përçudnimi.
Udhëheqësit e kësaj kauze nuk panë dhe nuk u prinë nga fitimet, por u nxitën nga misioni për t’i shërbyer gjeneratave, fëmijët që duhej të lexonin më mirë. Ata nuk panë dhe nuk u ndalën nga kufijtë, por hapësirat që duhej bashkuar i bënë realitet. Nuk panë pengesat, por mundësinë për t’i tejkaluar dhe kjo ishte sprova e misionit. Dhe kështu, ALBAS u bë një tempull ku libri ishte ai që bashkon, që fisnikëron, që çliron.

Në atë mbrëmje të paharrueshme, ku ishim të gjithë; autorë, profesorë, akademikë, përkthyes, mësues e miq nga të gjitha trevat shqiptare, shtruar e kuvenduar si rreth një sofre të begatuar nga ëma shqyptari.
Rita Petro, “Amazona” e betejave epike të modernitetit, gruaja e zakonshme e akteve të jashtëzakonshme të përkushtimit, me emocionin e një kapiteni që ka kaluar stuhitë dhe ka arritur në një port plot dritë, asaj mbrëmje të kapluar në magji, i’u drejtua të ftuarve me zërin e njeriut që mban brenda gëzim edhe dhimbje, përmbikrejt kujtesë:
“E di që Latifi (një njeri i hyjtë i zemrës së saj prej shenjtoreje dhe udhëbashkuesi i qëllimeve dhe arritjeve të ALBAS) do të donte të ishte këtu. Por ai është, me mungimin e tij që zbret nga përjetësi, në çdo libër, në çdo hap, në çdo fotografi që dëshmon punën tonë…”, sepse mungimi që është prani me fjalë, zë dhe zemër, drithërima shpirti dhe faqe kujtimesh të lagura me lot.
Këto fjalë të Ritës, gruas që dashuroi si një muzë, dhe i blatoi gjithçka prej madhështisë së gruas vetë dritës hyjnore të mrekullimit të ndjenjës, nuk ishin thjesht një dedikim, por një lloj kungimi shpirtëror, një rit që bashkon të shkuarën me të tashmen, dhe e çon këtë histori drejt së ardhmes.

Historia e botimeve ALBAS është në simbiozë me idealet e kombëtarizmës, në frymshmëri të ndjenjës që bashkohet e mbruhet në magjen e fjalës, që kremtoi rrugëtimin më 29 shkurt 2000, për në Tetovë, ku u ndez shkëndija e parë. Pastaj Tirana, Prishtina, Presheva, Mali i Zi…. A nuk ndoqën të njëjtën rrugë edhe farkëtarët e shqipshkrimit, ata që ishin limfa e atij gjallimi shqiptar që zuni fill pas natës së kobshme osmane.
ALBAS prjekur u lindi, ia behu me pretendime modeste, por me një vizion të madh, të fshinte kufijtë që dikur kishin ndarë njerëzit dhe t’i bashkonte me librin, të korrigjonte historinë, të çirrte maskën e zezonave që i rretherdhën fatit tonë, duke e mohuar, vrarë, gjymtuar, linçuar, si një gjë e nëmur. Por kishte ruajtur kjo tokë në thellësinë e kores së saj farën që do të mbinte, dhe koha do të sillte ata që do t’i shërbenin kësaj gjuhe, kësaj letrarie, këtij leximi, fjalës, gërmës si një rruzareje.
Nga një apartament i vogël në Rrugën e Elbasanit, me kompjutera të vjetër e pa internet, por me entuziazëm të pashuar, nisën librat e parë, projektet e para, ëndrrat e para. Nisi rrugëtimin shqipja e një gruaje të zakonshme që nuk e dinte se ajo që po bënte do të shënjohej në histori.
Rita me biçikletë, revista “Grupsat” nën sqetull, rrugëve të Tiranës,imazh që sot tingëllon si një metaforë e thjeshtë, e bukur, e pambarimtë: librin që ecën vetë për te fëmijët.
Dhe ashtu nisi rrugëtimi drejt një “Shqipërie të Madhe”, jo politike, por shpirtërore, arsimore, kulturore.
Këtu përkujtohen me nderim Menduh Dërguti, Idriz Metani, Emine Oktrova, Selman Sheme, Nikolla Përdhiku, Skënder Selimi, gurët e themelit të dijes, që sot nuk janë fizikisht, por që jetojnë në çdo faqe libri.
Natasha Pepivani, krahu i djathtë i Ritës, kujton fillimet me emocion të kthjellët dhe thotë: “U rritëm, u aftësuam, dhe sot vajzat janë më të mira se unë. E kur nxënësi e kalon mësuesin, ia ka vlejtur mundi. Shekulloftë ALBAS-i!”
Këto fjalë janë vetë thelbi i arsimit: rritja e tjetrit është fitore e vetes.
Driton Ajrullai e quan rrugëtimin e ALBAS-it “mision kombëtar”, sepse vërtet që ishte dhe është misionare e një kauze.
Koha do të rridhte furishëm, dhe në këtë zëshmëri, rrëzime e ngritje, lëngime e lartësime, do të trokiste një përvjetor, një çapitje e ndrojtur në portën e madhe të fjalëshkrimit dhe libërbotimit. Do të vinte kremtimi i 25 viteve, ALBAS, një ent botues që krijoi jo vetëm tekste moderne, alternativa digjitale, platforma mësimore, por krijoi bashkëpunim ndërkrahinor, solidaritet kulturor, një trung të ri ku lidhen rrënjët e të gjithëve që flasin shqip.

Po, Ishte shumë më shumë, ishte një kushtrim i përbashkimit përmes fjalës, librit, shpirtit, zemrës, ndjenjës dhe çasteve që të lënë pa frymë, ishte një shugurim i shqiptarisë që udhëtoi shpirtshëm nga Tirana në Tetovë; nga Prishtina në Preshevë; nga Ulqini në diasporë; nga klasa e parë tek universiteti; nga libri tek shpirti, për tu ngjitur në hyjninë e kombit, sepse ALBAS dhe Rita Petro dhe të gjithë ata që janë puls dhe zë i kësaj kushtrimoreje, vinin të hynin në historinë e Shqipërisë.
Ky është rrugëtimi i ALBAS-it që kremtoi, një lëvizje e madhe që nuk e bën vetëm libri, por dashuria për të dhe për çdo epje që gatitet mish e shpirt një galdimi.
25 vjet ALBAS nuk është thjeshtë një përvjetor, por një amanet që thërret nga thellësia e kohës dhe gjaku. ALBAS nuk festoi atë mbrëmje në Plaza, Tiranë, vetëm çerek shekulli, ajo na kujton se libri është identitet, është liri, është frymëzim, është memorie dhe dritë.
25 vjet ALBAS është një thirrje për të vazhduar, për të mos ndalur, për të mbrojtur dijen dhe për të ndërtuar një të ardhme ku çdo fëmijë shqiptar, kudo që jeton, ta ketë në dorë librin që e meriton.
Dhe kështu, ajo mbrëmje nuk ishte vetëm festim, kremtim, por bekim.
Ishte dhe do të mbetet, përkulje dhe besim si para një shenjtërie, para punës, sakrificës dhe bukurisë së vizionit. Po, ishte amaneti që lë pas Latifi, një zë dhe një zemër, në shpresë dhe besim, një vlerë dhe një kontribut.
Është zëri i së ardhmes, i atyre që besojnë te mrekullia e shpirtit dhe përkushtimit, që thërret: “Shekulloftë ALBAS-i!
Shekulloftë libri!
Shekulloftë dija që bashkon kombin.”
KOHA JONË SONDAZH

