Anandi Gopal Joshi, Kei Okami dhe Tabat M. Islambooly, ëndrra e të cilave u bë prelud i emancipimit global të gruas
Nga Albert Vataj
Ato janë të trija në një foto të 10 tetorit 1885, në një imazh që është më shumë se kujtesë. Kjo është një dritare nga e cilat shohim përtej historisë, vështrojmë thellë në shpirtin e guximit njerëzor, lejohemi të bëhemi dëshmitar në zgjimin e gruas për të jetuar realitetin e ëndrrës së saj të vrarë për shekuj, për të zënë vendin e merituar në sfida dhe suksese.
Kjo foto ka udhëtuar në kohë për t’i sjellë këto tri gra, që në fundin e shekullit XIX, si dëshmi e guximit për të marrë në duar të ardhmen, në një kohë kur femra nuk lejohej as të ëndërronte për dije, e aq më pak për shkencë.
Në këtë fotografi të tetorit 1885, shfaqen tre personifikime force dhe shpirti ngulmues që thyen zinxhirët e kohës: Dr. Anandi Gopal Joshi nga Saranysore, Indi; Dr. Kei Okami nga Tokio, Japoni; dhe Dr. Tabat M. Islambooly nga Damasku, Siri.

Ato u takuan në Filadelfia, në udhën që do të shndërrohej në një prelud të emancipimit global të gruas, për të studiuar mjekësi, për të mësuar trupin dhe shpirtin e njeriut në një epokë që ua mohonte atyre të drejtën për të kuptuar vetveten dhe botën.
Rrugët e tyre u hapën falë një gruaje tjetër, Elizabeth Blackwell, e cila në vitin 1847 u bë e para që u pranua në një fakultet mjekësie në Shtetet e Bashkuara. Ironia e historisë ishte se studentët meshkuj e miratuan pranimin e saj duke menduar se kërkesa ishte një shaka, një shaka që do të ndryshonte përgjithmonë fatin e grave në shkencë.
Anandi Joshi u bë gruaja e parë indiane me diplomë mjekësie në SHBA, një triumf për një vend ku martesa e hershme dhe zakonet patriarkale mbizotëronin.
Kei Okami u kthye në Japoni si e para grua mjeke në historinë e vendit të saj, duke luftuar jo vetëm sëmundjet, por edhe përjashtimin social që shoqëronte çdo hap të saj në jetë.
Ndërsa Tabat Islambooly, më enigmatike në dokumente, mbetet simbol i aspiratës së grave arabe për dije në një kohë të mbylljes fetare dhe kulturore.
Fotografia i bashkon ato në një moment solemn dhe historik. Ajo që përfaqësojnë ato ishte gjithçka përveç qetësisë dhe një formaliteti të një pozimi, ishte përpjekja, kundërvënia, rilindja, kurorëzimi i një mbretërimi.
Tri gra nga tri kultura, të bashkuara në një ideal, vinin të shëronin botën me guximin e tyre dhe ta shndërronin atë.
Në një epokë ku gruas i kërkohej të heshtte, ato folën me gjuhën e shkencës. Në një botë që i kërkonte të shërbente, ato zgjodhën të shëronin. Dhe në një kohë ku dija ishte privilegj burrash, ato e bënë mjekësinë akt dashurie, vetëdijeje dhe çlirimi.
Kjo fotografi mbetet si një testament i përjetshëm, kujtesa e momentit kur guximi mori formë femërore, dhe për herë të parë, historia nisi të shkruhej që aty edhe me dorën e gruas.
KOHA JONË SONDAZH

