Çelësi i Alfred Mirashi -Milot, porta e çelur drejt qiellit të lirisë dhe dialogut të artit me peizazhin
Nga Albert Vataj
Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci në mbrëmjen e djeshme ka ndarë në rrjetet sociale një episod nga një fragment i qyteti, ku arti monumental dhe natyra bashkëndajnë një marrëdhënie që shndërrohet në “Askund si në Shkodër… thjeshtë bukur… thjeshtë ndryshe”.
Në një kohë kur arti shpesh kërkon të tronditë, të pushtojë ose të marrë vëmendjen me çdo kusht, Milot zgjedh një rrugë tjetër, rrugën e harmonisë. Skulpturat e tij monumentale, të pleksuara me rrënjët e shpirtit, në tokë, si ritet reja të një besimi të lashtë, nuk imponohen mbi natyrën, por e përqafojnë atë. Këto “Çelësa”, të farkëtuar në çelik e të ngjyrosur nga koha, shndërrohen në ura midis njeriut dhe hapësirës së pakufishme që e rrethon. Ata nuk janë thjesht objekte arti; janë ftesa për të parë botën si një tempull të hapur, ku çdo formë dialogon me qiellin, dritën, frymën e Tokës është shpirtje.
Në prani të tyre, peizazhi nuk është më sfond, bëhet bashkëfolës dhe bashkëjetues, përjetues dhe ndijues. Arti nuk është më objekt, bëhet ndërgjegje, zë zgjimi.
Kështu nis udhëtimi drejt thellësisë së veprës së Milotit.
Veprat monumentale të “Çelësave” të Milotit, të farkëtuara në çelik si simbole të hapjes, lirisë dhe shpresës, nuk rrinë kurrë të vetmuara, as të ngritura mbi peizazh si pushtues të tij. Ato shfaqen si një dialog epik, një frymëmarrje e dyfishtë mes njeriut dhe natyrës, ku arti nuk kërkon të sundojë, por të dëgjojë dhe të bashkëjetojë.
Ftohtësia e metalit të rëndë përballet me pulsin e qetë të natyrës; forca e linjave të harkuara sfidon rregullsinë, ndërsa ngjyra e ngrohtë e Cortenit pasqyron dridhjen e tokës, të qiellit, të kohës. Ky material, që ndryshket me dinjitet dhe plaket bukur, bëhet vetë metaforë e jetës që përdoret, gërryhet, por mbetet e pathyeshme në kuptim.
Milot e vendos veprën e vet jo përballë, por pranë madhështisë natyrore, duke e bërë artin pjesë të ekosistemit emocional të vendit. Ai i rikujton shikuesit se arti më i vërtetë nuk është ai që ngrihet për të dominuar hapësirën, por ai që zgjohet në të, që e nderon atë dhe që na mëson të shohim më thellë. Arti që nuk shkul rrënjët e natyrës, por i rrit rrënjët e ndërgjegjes sonë.
Këto skulptura nuk janë thjesht çelësa formash, janë çelësa të perceptimit. Ato hapin një portë të padukshme, përmes së cilës peizazhi zbulon shenjtërinë e vet, heshtjen e tij të lavdishme dhe energjinë e fshehur që e mban botën në ekuilibër.
Në këtë mënyrë, vepra e Milotit bëhet një akt i ngadaltë iluminimi, një ftesë për të parë me sy të tjerë, për të ndier peshën kozmike të natyrës dhe për t’u bërë pjesë e saj, jo pronar i saj.
Ky është “Çelësi i Shqipërisë”, në hyrjen e Shkodrës nga mjeshtri Alfred Mirashi -Milot, në hyjninë e shpirtit krijues, ku zbret legjenda e qytet dhe ngjitet përjetësia e aktit të lirisë përmes artit.
KOHA JONË SONDAZH

